Ballina Bota Rihapen plazhet në Greqi, pamjet e qytetarëve duke shijuar lirinë e munguar...

Rihapen plazhet në Greqi, pamjet e qytetarëve duke shijuar lirinë e munguar (Video)

Me shpresën se izolimi nga pandemia do të mbetet thjesht një e shkuar e hidhur në Greqi nis të shijohet ardhja e verës. Duke krijuar hapësira të gjëra me distancë dhe duke ndjekur rregullat e higjienës shteti fqinj këtë fundjavë rihapi plazhet për të mirëpritur vizitorët e parë.

Greqia është një nga destinacionet më të njohura e më të frekuentuara në Mesdhe dhe duke nisur nga java tjetër bëhet gati të lehtësojë më shumë masat kufizuese duke mirëpritur vizitorët e huaj.

Turizmi përbën rreth një të pestën e ekonomisë dhe vendeve të punës të Greqisë dhe vendi nuk mund të përballojë një tjetër verë të humbur.

“Ne po mbështesim shpresat tona në turizëm”, tha Nikos Venieris, i cili menaxhon një plazh me rërë në periferi të Alimos, pak kilometrat jashtë kryeqytetit, Athinë, ku masat e distancës fizike do të vazhdojnë të jenë në fuqi.

Për adhuruesit grekë të plazhit, rihapja e së shtunës në plazhet e organizuara të vendit ishte një shans për të marrë frymë lirisht pas muajsh të tërë bllokim.

“Ne e kemi dëshiruar këtë për gjashtë muaj, sepse ne jemi notarë dimri dhe me të vërtetë na ka marrë malli për plazhin”, shprehet Spiros Linardos, një pensionist, i cili shijon lirinë i ulur në një shezlong.

Sipas masave aktuale, menaxherët e plazhit si Venieris do të duhet të vendosin çadra të paktën katër metra larg, të kryejnë dezinfektime të rregullta dhe të testojnë punonjësit e bareve të plazhit dhe stafin tjetër .

Ndërsa numri i të infektuarve ka rënë dhe vijon vaksinimi i popullsisë, autoritetet kanë lehtësuar në mënyrë graduale kufizimet, duke lejuar në fillim të javës hapjen e bareve dhe restoranteve. Nga 15 maji shteti fqinj bëhet gati të mirëpres edhe turistët e huaj.

@tn.lajmelokale
@tetovanews