Ballina Bota Sa transformuese është presidenca e Joe Biden?

Sa transformuese është presidenca e Joe Biden?

Nga Samuel Moyn, The New York Times

Entuziazmi mbi ambiciet e presidentit amerikan Joe Biden, është shumë i madh në mesin e progresistëve. Në 100 ditët e para të presidencës së tij, ai ka treguar se është frymëzuar nga presidenti Franklin Roosevelt. Gjatë fjalimit të tij në Kongres javën e kaluar, Biden deklaroi se “po e shndërron rrezikun aktual, në një mundësi për vendin”.

Dhe kjo nuk është e çuditshme. Pas hyrjes në zgjedhjet paraprake brenda Partisë Demokratike si një centrist, Biden i ka tejkaluar pritjet e partisë së tij sa i përket shkallës së vizionit të tij dhe u zhvendos fort në të majtë, që në ditët e tij të para në detyrë.

Nuk është e lehtë të shpjegosh “radikalizmin” e presidentit aktual. Për mbështetësit e tij më entuziastë, ne kemi në krye të vendit një kampion të shpenzimeve të mëdha, një president të një shteti të ri të mirëqenies sociale, i dalë nga një fokusim i kujdesshëm dhe miqësor ndaj tregut.

Plani Amerikan i Shpëtimit, Plani Amerikan i Punëve dhe Plani i Familjeve Amerikane, shënojnë një “ndarjen vendimtare” nga epoka e qeverisë së vogël. Ekspozimi që i ka bërë  pandemia pabarazive sociale në SHBA dhe ndryshimeve në mendimin e ekspertëve tanë, ka bërë që shumë njerëz të parashikojnë një epokë të re në politikën tonë.

Por sërish nuk kjo është e gjithë historia. Toleranca e re e demokratëve ndaj deficiteve buxhetore për hir të lehtësimit të situatës ekonomike në vend për miliona njerëz, rindërtimit të infrastrukturës dhe kujdesit shëndetësor, shkon përtej ekonomisë së kursimit të dekadave të fundit.

Por siç vëren gazetari David Dayen, kjo qasje nuk ka prekur ende premtimin për të “rishikuar” shpenzimet civile në nivele që janë ende më pak se sa ato gjatë epokës së Ronald Reagan (si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto).

Ribalancimi i drejtësisë fiskale nga zoti Biden për individët, e çon sërish vendin, siç e pranoi edhe vetë presidenti javën e shkuar, në nivelet e presidencës së George W. Bush, pra nën 40 për qind për grupin më të madh të taksapaguesve, dhe jo në nivelet e Roosevelt prej 94 përqind, apo edhe para Reagan prej 70 për qind.

Gjithsesi, nëse 100 ditët e para të Biden, ndryshojnë dukshëm nga “New Deal”’ i viteve 1930,  frika që i motivoi demokratët në atë kohë, është shpjegimi më i mirë për veprimet e tyre të hershme, sidomos kur bëhej fjalë për të rishikuar kontratën sociale në SHBA.

Në fillim të mandatit të tij të parë, Roosevelt tha ajo nga e cila duhet të kemi frikë është vetë frika. E vërteta, siç e theksoi historiania e “New Deal”, Ira Katznelson, është se ankthi solli shumë nga risitë e epokës, nga tkurrja e pabarazisë klasore (përfshirë normat e larta të taksave), deri tek një qëndrim i militarizuar ndaj armiqve, siç ishin nazistët gjermanë.

Por pas ri-përcaktimit të drejtësisë sociale dhe ngritjes së një lloji të ri të shtetit, qëndron frika e rreziqeve mbi stabilitetin dhe pasurinë. Kjo frikë mund të nxisë reformat, por mundet edhe t’i kufizojë dhe dëmtojë ato. Ajo së cilës i druhen demokratët, shpjegon më së miri se çfarë po bëjnë ata, dhe ku do të ndalen, dhe ky mund të jetë pikërisht problemi.

Stafi i politikës së jashtme të zotit Anthony Biden, ka qenë më i kthjellëti për sfidat e tyre. Sekretari i Shtetit e pranoi se “amerikanët kanë bërë pyetje të vështira, por të drejta në lidhje me atë që po bëjmë, si po udhëheqim, dhe në fakt nëse duhet të udhëheqim botën”.

Drejtori i Këshillit të Politikës Ekonomike, Brian Deese, është gjithashtu i hapur kur thotë se  perspektiva e distancimit të votuesve demokratë në një vend të ndarë, është ajo që e mban atë zgjuar gjatë natës:”Aftësia për të mbështetur një politikë të mirë, lidhet me aftësinë për të garantuar mbështetjen politike për atë politikë të mirë”.

Me një pagë minimale më të lartë që pritet të miratohet (Biden urdhëroi një pagë minimale prej 15 dollarësh për kontraktorët federalë), dhe të panjohurat mbi rritjen e propozuar të taksave mbi korporatat, shumica e historisë që po shkruajnë tani demokratët është në dorën e Kongresit.

Por, si bujaria ashtu edhe kufijtë e frikës nga reformizmi, varen gjithmonë nga ajo që reformatorët e shohin si një skenar të tmerrshëm, dhe nga ajo që ata e mendojnë se do të çojë drejt një sigurie më të madhe. Kërcënimi i humbjes elektorale do të zbehet sa më shpejt që do të duket më pak e besueshme, se Donald Trump apo dikush si ai, mund të përfitojë nga dështimet e elitës demokrate.

Edhe për sa kohë që zgjat një frikë e tillë, ajo mund të çojë lehtësisht në ndryshime optike ose retorike, po aq sa edhe mund të nxisë reformën strukturore. Dhe frika kushtëzon llojin e investimeve qeveritare që janë përzgjedhur nga “menyja” e politikave.

Nuk janë vetëm politikanët, ata që kërkojnë të qëndrojnë në pushtet, frikën e të cilëve duhet që ta vlerësojmë realisht. Shumë gjëra varen gjithashtu nga niveli i frikës së donatorëve, të cilët financojnë politikanët. Në shekullin XX-të, masakra e luftës dhe masat e forta të ndikuara nga depresioni ekonomik, i nxiti të pasurit të rishpërndajnë më me dëshirë një pjesë të pasurisë së tyre tek pjesa tjetër e vendit.

Por është e paqartë nëse të pasurit e brezit tonë, donacionet e të cilëve bënë diferencën për  zotin Biden për zgjedhjet e vitit 2020, janë vërtet të tmerruar, apo sesa larg do të shkojë presidenti në reformimin e politikës në dobi të kërkesave të tyre.

Nëse “New Deal” tregon se frika mund të motivojë reformat, ajo gjithashtu na kujton se reformat mund të shkojnë edhe keq. Një ndryshim i madh në politikën e jashtme që synojnë demokratët ka të bëjë me Kinën, sidomos në lidhje me politikën tregtare.

Fakti që demokratët po e përqafojnë kaq shumë modelin e konkurrencës së madhe të fuqisë me Kinën, ashtu si Trump – madje ndoshta edhe një Luftë të Re të Ftohtë – sugjeron se ata e dinë se kanë nevojë për më shumë sesa vetëm ankthi se do të humbasin sërish, apo kërcënimet ndaj demokracisë (të konfirmuara nga sulmi i 6 janarit në Capitol Hill) për të mbajtur të motivuar veten dhe shumë njerëz në bazën e tyre të mbështetësve.

Konkurrenca gjithëpërfshirëse mund të sjellë shtrembërim, tepricë dhe manipulim. Ambicia mund të burojë nga rivaliteti, por konkurrenca, siç e tregoi edhe Lufta e parë e Ftohtë me Bashkimin Sovjetik, mund të kufizojë reformat dhe të çojë në dëme anësore dhe gabime katastrofike.

Kufizimet e ambicieve të Joe Biden, janë limitet e reformizmit të frikës. Pavarësisht të gjitha të mirave që mund të sjellë, një politikë e diktuar nga kërcënimet e votuesve të zemëruar, kryengritjet e brendshme dhe shtetet e huaja, nuk mund ta prishë ngërçin nga ku gjendet prej kohësh SHBA-ja. Këtë mund të realizojnë vetëm shpresa dhe idealet më të larta. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Samuel Moyn, profesor i drejtësisë në Universitetin e Jeilit, është autori i librit të ardhshëm  “Si Shtetet e Bashkuara e braktisën paqe dhe ri-shpikën luftën”.
@tn.lajmelokale
@tetovanews