Ballina Bota Analiza Pse elita amerikane nuk do ta kontrollojë kurrë politikën amerikane

Pse elita amerikane nuk do ta kontrollojë kurrë politikën amerikane

Nga Rainer Zitelmann, Linkiesta

Për vite me radhë, anti-kapitalistët kanë folur për ndikimin e pretenduar dhe sipas tyre gjithnjë në rritje të një elite të vogël dhe të pasur në politikën amerikane. Por kjo tezë është e kritikueshme nga shumë këndvështrime.

Së pari, nëse paratë do të mund të blinin pushtet politik, Donald Trump nuk do të ishte bërë një kandidat presidencial në vitin 2016. Me shumë gjasa ai do të kishte humbur ndaj Jeb Bush, që kishte shumë më shumë donacione sesa Trump apo ndonjë kandidat tjetër i mundshëm.

Dhe Trump me siguri që do t’i kishte humbur zgjedhjet e vitit 2016 përballë Hillary Clinton, e cila kishte mbledhur më shumë se 1.2 miliardë dollarë donacione. Ndërkohë, Donald Trump arriti të grumbullonte rreth 600 milion dollarë.

Nëse vetëm paratë mund të blinin pushtetin politik, Joe Biden nuk do të ishte sot presidenti i Shteteve të Bashkuara. Më shumë gjasa, tani në Shtëpinë e Bardhë do të ishte Michael Bloomberg, që në kohën e garimit të tij brenda Partisë Demokratike, ishte njeriu i tetë më i pasur në botë me një pasuri prej 61 miliardë dollarësh.

Asnjëherë më parë në histori një kandidat nuk kishte shpenzuar kaq shumë para nga xhepi i tij në një kohë kaq të shkurtër në një fushatë elektorale:rreth 1 miliardë dollarë në pak më shumë se 3 muaj, siç zbulohet në një dokument i Komisionit Federal Zgjedhor (FEC)për financimin e fushatave zgjedhore.

Bloomberg e financoi fushatën me paratë e tij dhe nuk pranoi donacione. Gjithsesi, argumenti se paraja vë në lëvizje botën është më popullor se kurrë, dhe veçanërisht në Shtetet e Bashkuara. Teoricienët e konspiracionit të krahut të djathtë shohin te George Soros dhe Bill Gates mendjet e liga që komplotojnë për të dominuar botën.

Ndërsa për teoricienët e konspiracionit në krahun e majtë, këtë rol e mbanin vëllezërit Koch (David vdiq 2 vjet më parë, duke lënë Charles të luante i vetëm atë rol). Një nga studimet akademike të përmendura më shpesh, që synojnë të tregojnë fuqinë dhe ndikimin e parave në Shtetet e Bashkuara është eseja e vitit 2013 me titull “Demokracia dhe preferencat politike të amerikanëve të pasur”nga Benjamin Page, Larry Bartels dhe Jason Seawright.

Fakti që ky studim citohet kaq shpesh si një dëshmi e ndikimit të të pasurve në politikën amerikane është befasues. Kjo pasi studimi u bazua vetëm në 83 pjesëmarrës, një bazë shumë e vogël për një studim sasior. Për më tepër, të gjithë ata vinin nga zona metropolitane e Çikagos.

Dhe shumë prej tyre nuk ishin edhe aq të pasur, pasi vetëm 36 nga 83 prej tyre kishin një pasuri më të madhe se 10 milion dollarë. Në fakt, është e vështirë të bësh studime që fokusohen vërtet tek të pasurit. Unë vetë kam botuar një studim mbi gjermanët e pasur, duke intervistuar 45 persona me pasuri mbi 10 milion euro – shumica e tyre kishin një pasuri 30 milionë dhe 1 miliardë euro..

Por për këtë arsye, unë mendova se studimi im duhet të jetë më tepër cilësor sesa sasior. Kërkimi për studimin e Page, Bartels dhe Seawright u krye në vitin 2011. Ndaj është interesante të pyesësh nëse 10 vjet më vonë, të pasurit morën atë që donin nga politikanët.

Siç e tregon titulli i studimit, studiuesit donin të identifikonin “preferencat politike të amerikanëve të pasur”. Midis 11 problemeve kryesore të SHBA-së, “deficiti buxhetor” ishte në krye të listës së të anketuarve të pasur. Kështu, për 87 për qind e të pasurve të anketuar në studim, ky ishte problemi kryesor me të cilin do të përballeshin politikanët amerikanë.

Në fund, vetëm 16 për qind e të anketuarve identifikuan si një problem kryesor ndryshimin e klimës.“Theksi që i vihet uljes së defiçitit buxhetor federal adreson atë që është deri tani, problemi më i rëndësishëm në mendjet e amerikanëve të pasur, edhe pse jo për popullin amerikan në tërësi”- përfundojnë autorët e studimit.

Dhjetë vjet më vonë borxhi kombëtar, që amerikanët e pasur do të donin ta shihnin të ulur, u rrit nga 15.6 trilionë dollarë në 28.6 trilionë dollarë, pra gati u dyfishua. Në kohën e studimit, raporti i borxhit ndaj PBB-së ishte më pak se 100 për qind; sot është mbi 133 për qind.

Nëse aspirata më e madhe e amerikanëve të pasur ishte ulja e ndjeshme e nivelit të borxhit kombëtar, ata sigurisht nuk ishin aspak të kënaqur nga presidencat e Barack Obama apo Donald Trump. Dhe sigurisht, nuk do të jetë Joe Biden ai që do të zvogëlojë borxhin publik amerikan.

Përkundrazi,në vendin e parë të axhendës së Biden është pikërisht çështja që u përmend më rrallë nga amerikanët e pasur në sondazhin e10 viteve më parë:lufta për të zbutur ndryshimin e klimës dhe për të nënshkruan një Marrëveshje të Re të Gjelbër (e cila përfshin një zgjerim të dukshëm e të mëtejshëm të borxhit publik).

Atëherë a kanë pasur apo jo ndikim të pasurit në politikën e SHBA-së? Po, por shumë më pak në çështjet e mëdha që diktojnë debatin dhe përcaktojnë drejtimin e politikave amerikane. Autorët e studimit të cituar u shprehën ndër të tjera:“Një nga zbulimet tona kryesore, është se pak më pak se gjysma (44 për qind), njohën rëndësinë e çështjeve që janë përtej interesit vetjak ekonomik”.

John York, që shkroi një ese të shkëlqyer në vitin 2017 me temë“A po e kërcënon demokracinë, rritja e pabarazisë në të ardhura?”, arriti në përfundimin se aktivitetet lobiste priren të jenë më të përqendruara në interesa specifikë dhe sektorialë, sesa të ndikojnë në debatin mbi çështjet më të përgjithshme të politikës.

Dhe kjo, argumentoi ai, mund të parandalohej duke kufizuar ndikimin e shtetit në ekonomi.“Reduktimi i ndërhyrjes publike, do të kishte gjithashtu avantazhin e uljes së sasisë së parave që përfundojnë tek politika.

Anulimi i rregulloreve që e shtrembërojnë tregun e lirë, dhe e manipulojnë lojën në favor të atyre që kanë lidhje politike, do të eliminonte abuzimet nga tenderat qeveritarë, dhe do të eleminonte ryshfetet që lidhen me veprat publike. Denoncimi i politikanët që janë të përfshirë në këto praktika, do të ndërpriste lumin e parave që shkojnë në Uashington”- thekson ai. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews