“Të nderuar kabinet qeveritar, që pritet të vini në Kuvend në çdo moment”, kështu e nisi seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, drejtuesi i këtij institucioni, Glauk Konjufca, i cili pothuajse në të gjitha seancat i ka disa momente që ngjallin reagime e shumë të qeshura në sallë.
Megjithëse seanca e sotme ku duhej të debatohej për ecurinë e deritashme të dialogut me Serbinë, filloi me humor të mirë nga kryeparlamentari, vazhdimi i saj ishte plotë me polemika, akuza e kundërakuza, si nga ana e opozitës, edhe nga ana e pozitës.
https://youtu.be/bSEGkz4d7i8
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalës së tij, ka kritikuar procesin e deritanishëm të dialogut me Serbinë, duke thënë se qasja ka qenë e gabuar, transmeton Telegrafi.
Kurti ka pohuar se “Mungesa e afateve kohore e ka dëmtuar procesin e dialogut”.
“Ne jemi vend i pavarur, koha që kalon duhet ta ndryshojë realitetin në Serbi e ta pranojnë krimet që kanë bërë në Kosovë. Pse të ngutemi, kur e kemi shpallur pavarësinë, askush nuk e ka menduar njohjen nga Serbia”, tha ai.
https://youtu.be/HU4daBBg4M4
Gjithashtu, kryeministri i vendit ka kritikuar Bashkimin Evropian, duke thënë se presioni duhet të jetë mbi Serbinë, e jo mbi Kosovën.
Po ashtu, ai tha se palët në dialog duhet të jenë të barabarta dhe se duhet unitet i brendshëm.
“Unë kam ftuar krerët e opozitës për të diskutuar për dialogun, qasjen tonë e dini, unë po flas se cilat duhet të jenë parimet, Serbia duhet t’i pranojë krimet e bëra në Kosovë, duhet ta pranojë pavarësinë, barazia e përfaqësuesve, dhe qytetari si fitues në fund”, deklaroi Kurti.
https://youtu.be/ElvaeAswPPo
Tutje ai shtoi “le të sillemi ashtu siç jem, nuk i kemi borxh askujt por na kanë borxh shumë çka”.
Kritika erdhën nga krerët e partive opozitare, Enver Hoxhaj, Lumir Abdixhiku e Ramush Haradinaj.
Të tre ata kritikuan Kurtin për ndryshim të qëndrimeve, se po shkon në dialog i papërgatitur dhe se po ik nga kauza që e ka ndërtuar me vite.
Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), gjatë fjalës së tij tha se pritën një fjalim serioz nga kryeministri Albin Kurti për dialogun e jo fjalim sharlatan me fraza hipokrite.
https://youtu.be/iHTQsPY_nLo
Hoxhaj madje iu drejtua Kurtit, duke i thënë se nuk ka pritur që të jetë i papërgatitur për dialogun.
Kësaj fjalie, kryeministri iu përgjigj duke i thënë se është duke e lavdëruar, e jo duke e kritikuar.
Kurti u shpreh se nuk është në pozitën e kryeministrit për të plotësuar pritshmëritë e Hoxhajt, por ato të qytetarëve të vendit.
https://youtu.be/hhmjYtxKwlk
“Kemi një problem themelor, se disa që i dëgjova, kanë fol për një seancë tjetër, e jo për këtë seancë, se kjo seancë nuk është për dialogun, pasi pika e rendit të ditës thotë ‘diskutim për ecurinë e deritanishme për procesin e dialogut me Serbinë. Nuk është në rend dite takimi i së martës”, tha ai.
Ai po ashtu iu drejtua Hoxhajt duke i thënë se “Veç më lavdëron, kur thua se nuk i kam realizuar pritjet tua”.
I pari i Qeverisë, tha se nëse nuk do ta trajtojnë dialogun e kaluar, rrezikojnë që të gabojnë sërish.
Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti se po niset për dialog pa kushte.
Sipas Abdixhikut, Kurti tashmë ka ndryshuar qëndrim për dialogun, transmeton Telegrafi.
Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti Ramush Haradinaj gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi tha se kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur rrugën e fshehjes dhe të ikjes.
https://youtu.be/qU4A0TvFRwc
Ai e quajti momentin e raportimit të kryeministrit si shumë të rëndësishëm për Kosovën, ndërsa e pyeti: “Pse i ik e fshehesh Amerikës?”.
Kurti u përgjigj duke thënë se nuk është duke i ikur parimeve të dialogut Kosovë-Serbi dhe asnjë sfide tjetër.
“Hiqni dorë nga parullat për anti-amerikanizmin tim, me qato parulla më keni rrëxu. Prandaj e kam veç një lutje në fund. Mos më rrëzoni edhe njëherë, se mandej… Ju faleminderit!”, përfundoi Kurti fjalinë duke nxitur tutje reagime të deputetëve.
Vazhduan kritikat nga opozita teksa, Hoxhaj tha se opozita janë të gatshëm të përgatisin një platformë për dialogun, ndërkaq Abdixhiku iu drejtua Kurtit duke i thënë: “Askush nuk po të rrëzon, edhe nëse ndodh do ta rrëzosh veten”.
https://youtu.be/TQyizosnd-0
Pas disa diskutimesh tjera, për shëndetësi e arsim, dhe pas pyetjeve që u parashtruan në Kuvend, në ndërkohë që kryeministri Kurti kishte dalur nga seanca, opozita vendosi po ashtu të largohej.
Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se debati mund të vazhdojë kurdo që kryeministri të jetë në sallë.
“Meqë ky debat është ftuar nga kryeministri dhe ai nuk pati mundësi të qëndrojë më shumë se gjysmë ore. Mendoj se mund të vazhdojmë kur të jetë ai i gatshëm që të jetë prezentë. Nuk është mirë që na të flasim vet me veti”, tha Tahiri.
Ndërkaq, Arben Gashi nga LDK-ja po ashtu u shpreh se konsiderojnë të parsyeshme qëndrimin në sallë, duke qenë se Kurti, i cili thirri këtë seancë, nuk ishte prezent.
“Kryeministri prej se ka filluar debati ka qëndruar vetëm rreth 1 orë, dhe po e konsiderojmë të pa arsyeshme të qëndrojmë, sepse këtu u bënë 100 pyetje. E konsiderojmë të pa arsyeshme qëndrimin këtu derisa kryeministri nuk është”, u shpreh Gashi.
https://youtu.be/URbteNev5F8
Pak kohë pasi opozita lëshoi seancën, përfunduan edhe diskutimet në lidhje me ecurinë e deritanishme të dialogut mes Kosovës e Serbisë.
Pikat e tjera të seancës së sotme, do të vazhdojë të hënën nga ora 10:00.
Kështu bëri të ditur i pari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Me këtë rast përfundojnë të gjitha diskutimet për këtë pikë. Meqë pikat tjera e kërkojnë edhe një kuorum të deputetëve, nga pika e pestë deri te pika e tetë propozoj që të vazhdojmë të hënën nga ora 10:00”, tha Konjufca.
Pikat e rendit të ditës të cilat pritet të diskutohen të hënën janë:
Propozim-vendimet për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-003 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve,
Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2020,
Debat parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19 (të hënën më 14.06.2021). /Telegrafi/