Ballina Kronika Vëllai i shoferit që vdiq në Kroaci tregon bisedën e fundit: Na...

Vëllai i shoferit që vdiq në Kroaci tregon bisedën e fundit: Na njoftoi se kanë arritur shëndoshë e mirë në Austri

Ilir Sylmetaj, vëllai i vogël i shoferit që vdiq në aksidentin tragjik në Kroaci, thotë se rreth orës 8:30 janë njoftuar nga agjencioni ku ka punuar së vëllai i tij nuk i ka mbijetuar aksidentit.

“Sot në mëngjes para orës 6:00 kemi kontaktuar me vëllain dhe na ka njoftuar se kanë arritur shëndoshë e mirë në Austri”, ka treguar për RTV Dukagjinin, Ilir Sylmetaj.

“Gjatë ditës kemi bërë apel te mediat që të mos japin informacione të pasakta në lidhje me këtë tragjedi. Vëllai ka vozitur maksimumi katër deri në gjashtë orë. Në momentin e aksidentit vëllai ka qenë në pushim [derisa autobusi është drejtuar nga shoferi tjetër]. Agjencioni na ka njoftuar se vëllai ka qenë në pushimore në momentin e aksidentit dhe për atë arsye ka mbetur i vdekur në vend”, ka deklaruar Ilir Sylmetaj.

Ai thotë se vëllai, Naser Sylmetaj, këtë punë e ka bërë prej një viti dhe se me këtë punë e ka mbajtur familjen.

“Të vetmen punë e ka pasur këtë. Më këtë punë e ka mbajtur familjen”, ka deklaruar vëllai i tashmë të ndjerit Naser Sylmetaj.

Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore para aksidentit. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër.

@tn.lajmelokale
@tetovanews