Ballina Aktualitet Tiranë: Presidentja e KE, Ursula von der Leyen nis turin ballkanik (VIDEO)

Tiranë: Presidentja e KE, Ursula von der Leyen nis turin ballkanik (VIDEO)

Mesazhi i Ursula von der Leyen për Ballkanin Perëndimor: Ne ndajmë një të ardhme të përbashkët evropiane dhe jemi duke e përgatitur atë tani.

Presidentja e Komisionit Europian, (KE) Ursula von der Leyen ka mbërritur të martën në mëngjes, (28.09) në Tiranë, në kuadër të një turi ballkanik në prag të Samitit Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor, (BE-BP) që do të zhvillohet më 6 tetor në Slloveni, vendin që ka presidencën e radhës së BE. Ajo është pritur me ceremoni zyrtare nga kryeministri Rama në Pallatin e Brigadave. Burime zyrtare nga Delegacioni i BE në Tiranë bëjnë me dije, se pas takimit me kryeministrin Rama, ajo pritet nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Programi i qëndrimit disa orësh i Presidentes së KE në Shqipëri vazhdon me një vizitë në kopshtin e fëmijëve “Europa” dhe më pas ajo do të marrë pjesë në përurimin e një shkolle në fshatin Qerek të Krujës, të ndërtuar me fondet e BE, në kuadër të programit EU4Schools, pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 2019.

https://youtu.be/psadX7GYkVw

Ursula von der Leyen: Po ndërtojmë tani të ardhmen e përbashkët europiane.

Në një status në twitter Presidentja e KE ka dhënë mesazhin lidhur me turin e saj ballkanik, të nisur sot me Shqipërinë. “Sot filloj vizitën time në gjashtë partnerët tanë të BP përpara Samitit tonë javën e ardhshme. Mesazhi im është i qartë: ne ndajmë një të ardhme të përbashkët evropiane. Ne jemi duke e përgatitur atë tani. Duke kapërcyer COVID, së bashku, duke investuar në mënyrë strategjike. Duke i dhënë mundësi rinisë sonë”, thekson në mesazhin e saj Ursula von der Leyen.

Turi ballkanik i Presidentes së KE do të vijojë në Maqedoninë e Veriut, të mërkurën në Kosovë dhe Malin e Zi dhe përfundon me vizitën në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews