Me dy kënde për të biseduar mbi letërsinë, kështu do të vijë Panairi i Librit këtë edicion të 24-t. Diskutimet, sfidat dhe shumëka që shoqëron botën e librit në vend do të diskutohen në sallën ovale, ndërsa risia e këtij edicioni është sofaja, këndi tjetër i panairit.
Një panair ku janë zvogëluar stendat e botuesve në mënyrë që vizitorëve t’u ofrohet më shumë hapësirë në koridoret e Pallatit të Kongreseve. Kështu është menduar të shmangen pasojat që mund të lërë pandemia.
Kjo përkthehet në më pak fitime për panairin, por siguri më të lartë për vizitorët.
Edhe numri i stendave që do të bëhen pjesë e këtij edicioni do të jetë më i vogël. Disa për shkak të frikës nga koronavirusi e të tjerë për shkak të vështirësive të dy viteve të fundit. Megjithatë, botimet nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk do të mungojnë as këtë edicion.