Ballina Bota Gjenerali britanik: Ekziston rrezik i madh për luftë aksidentale mes Perëndimit e...

Gjenerali britanik: Ekziston rrezik i madh për luftë aksidentale mes Perëndimit e Rusisë

Zyrtari më i lartë ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar, Gjeneral Sir Nicholas Carter, ka thënë se ekziston një rrezik më i madh për shpërthim të një lufte aksidentale mes Perëndimit e Rusisë sesa në çfarëdo kohe që nga Lufta e Ftohtë, pasi shumë mjete tradicionale diplomatike nuk janë më në dispozicion.

Shefi i stafit të mbrojtjes tha për “Times Radio” se ka rrezik më të madh të tensioneve në një epokë të re të asaj që e quajti “botë shumëpolare”, ku qeveritë garojnë për qëllime dhe agjenda të ndryshme, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

“Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm që njerëzit të mos përfundojnë duke e lejuar natyrën luftëdashëse të disave nga politikat tona për të arritur në një pozicion ku eskalimi çon në llogaritje të gabuar”, tha gjenerali britanik në intervistën që do të transmetohet të dielën.

Sipas Gjeneralit Carter, rivalët autoritarë janë të gatshëm që të përdorin secilin mjet që e kanë në dispozicion, si emigrantët, rritjen e çmimit të gazit, forcat satelite ose sulmet kibernetike. “Karakteri i luftës ka ndryshuar”, tha ai.

Ai shtoi se pas botës dypolare të Luftës së Ftohtë dhe botës njëpolare të mbizotërimit të Shteteve të Bashkuara, diplomatët tani përballen me një botë më të ndërlikuar shumëpolare dhe se mjetet e mekanizmat tradicionalë diplomatikë të Luftës së Ftohtë nuk janë më në dispozicion.

“Pa këto mjete e këta mekanizma, ka rrezik më të madh që këto eskalime ose që ky eskalim të çojë në llogaritje të gabuar. Prandaj, mendoj se ky është ndryshimi i vërtetë me të cilin duhet të ballafaqohemi”, tha më tej gjenerali britanik.

Britania tha të premten se ka dërguar një ekip të vogël të ushtarëve për t’i ofruar përkrahje Polonisë në kufirin me Bjellorusinë, ku është krijuar një krizë emigrantësh.

Aeroplanët luftarakë britanikë përcollën në qiell dy aeroplanë ushtarakë rusë të premten gjatë punës me forcat e NATO-s për vëzhgimin e këtyre aeroplanëve përderisa ata kalonin nëpër hapësirën ajrore ndërkombëtare.

@tn.lajmelokale
@tetovanews