Ballina Aktualitet Institucionet nuk tregojnë se si ka mundur autobusi i aksidentuar në Bullgari...

Institucionet nuk tregojnë se si ka mundur autobusi i aksidentuar në Bullgari ta kalojë kufirin pa licencë

Institucionet përgjegjëse të Maqedonisë së Veriut nuk kanë ose nuk tregojnë informata se si ka mundësi një autobus që nuk ka licencë për transport ndërkombëtar, të kalojë kufirin e vendit. Nuk dihet nëse autobusi i njëjtë, ka transportuar udhëtarë jashtë vendit edhe para aksidentit, shkruan Portalb.mk.

Dje, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blloagoj Boçvarski, konfirmoi se autobusi i aksidentuar në Bullgari nuk ka pasur licencë për transportim ndërkombëtar dhe se Qeveria ka angazhuar Inspektoratin Shtetëror të Transportit të bëjë kontroll në këtë kompani.

Drejtoria e Doganave të Maqedonisë së Veriut, nuk jep sqarim se si ka mundur autobusi pa licencë të kalojë kufirin e Maqedonisë së Veriut. Në pyetjet e Portalb.mk se a kanë pasur njohuri se autobusi në fjalë nuk ka licencë dhe nëse ai ka udhëtuar jashtë shtetit edhe më herët pa licencë, prej atje u përgjigjën shkurt se, momentalisht ka kontroll të brendshme në “Deve Bair”, që të vërtetohet gjendja faktike dhe më pas do të njoftojnë opinionin.

“Ende po hetohet. Momentalisht kontroll i brendshëm i kontrollon të punësuarit në Deve Bair, a kanë ditur diçka për autobusin, a ka pasur më herët licencë, sa herë ka kaluar, e gjithë kjo po hetohet momentalisht”, thanë nga kjo drejtori.

Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Transportit, Rufat Huseini deklaroi për Portalb.mk, se sot i përgatit aktet për kontroll dhe nesër do të kryhet kontrolli i kompanisë Besa Trans, zyra e së cilës ndodhet në Shkup. Edhe pse inspektorati gjatë këtij viti ka kontrolluar katër herë autobusët e kësaj kompanie, Huseini pretendon se nuk ka pasur shkelje që janë paraqitur tani, përkatësisht se nuk kanë vërejtur se njëri autobusë nuk ka pasur certifikatë për licencë për transport ndërkombëtar.

“Kemi dhënë urdhër nesër të bëjmë kontroll, për nesër dhe i mbledhim dokumentacionin prej Ministrisë së Transportit që nesër të shkojmë të bëjmë kontroll te kompania. Kemi bërë kontrolle vitin e kaluar edhe brenda këtij viti. Ka qenë në rregull sipas kompanisë nuk ka pasur shkelje që tash paraqiten, ka pasur në lidhje me protokollet me Covid – 19, mosrespektimi i protokolleve, ka pasur probleme në atë drejtim, ndërsa sa i përket këtij problemi tash për certifikatën e licencës, mungesën për një autobus, nuk ka pasur kësi problemi, nuk e kemi vërejtur, ka pasur autobus të tjerë të cilët kanë qenë të kompletuar me dokumentacionin e nevojshëm”, deklaroi Huseini.

Ai tha se gjatë kontrolleve që kanë kryer më herë, kanë konstatuar vetëm shkelje të protokolleve kundër koronës.

“Në vitin 2021 janë bërë katër kontrolle. Te katër rastet ka pasur shkelje të mosrespektimit të kontrollit për transport publik të udhëtarëve. Ka pasur më shumë udhëtarë se sa e lejon protokolli. Në rastin e parë ka qenë 80 përqind, mandej 70 përqind të kapacitetit të automjetit. Autobusi duhet të jetë i regjistruar, vetëm se thonë se nuk ka pasur certifikatë të licencës për të zhvilluar transport ndërkombëtar. Drejtoria e Doganës në pikën kufitare në qoftë se ka konstatuar një shkelje të tillë, një mungesë të tillë, nuk është dashur të lejojë të lëshojë territorin e shtetit, në ligj është e paraparë autorizimet e Drejtorisë Doganore se, në qoftë se një automjet i cili bën transport publik ndërkombëtar, nuk është i pajisur me certifikatë të licencës, nuk guxon me dalë prej shtetit. Është kompetencë e doganës”, deklaroi Huseini.

Portalb.mk, dërgoi pyetje në lidhje me këto shkelje në Prokurori, por deri më tani nuk na kthyen përgjigje.

Gjithashtu Portalb.mk, u konsultua dhe me zyrtarët e MPB-së për të pyetur nëse udhëtarët kanë pasur sigurim dhe nëse agjencia i ka kryer me rregull testimet PCR. Nga MPB, na thanë që të gjitha janë lëndë e hetimit dhe se për këtë do të informohemi pasi të kryhet hetimi.

Autobusi i aksidentuar në Bullgari, autor i panjohur, foto nga Facebook
Ndryshe, aksidenti i autobusit të RMV-së në Bullgari ku humbën jetën 46 persona dhe 7 të tjerë janë plagosur, ka tronditur mbarë vendin dhe Evropën. Hetimin po e bën Prokuroria e Bullgarisë, ndërkaq të kyçur janë edhe ekspertë nga Maqedonia e Veriut.

Ende nuk dihen arsyet dhe shkaqet që kanë shkaktuar aksidentin. Ajo që dihet, sipas udhëtarëve të mbijetuar, është që autobusi fillimisht e ka humbur kontrollin, pastaj është përplasur në bankina dhe më pas është ndjerë një shpërthim dhe për shkurt kohë i tëri është djegur.

Në mesin e viktimave ka pasur edhe 12 fëmijë, por edhe të rinj dhe më të moshuar të cilët kishin qenë në një ekskursion në Turqi me agjencinë turistike “Besa Trans Shkup”.

Për shkak aksidentit tragjik, prej dje janë shpallur tre ditë zie në RMV dhe nga një ditë në Bullgari dhe Kosovë. Telegrame ngushëllimi arrijnë nga katër anët e botës.

Transportuesit thonë se për 10-15 euro lëshohen autobusët në kufij me karburante shtesë

Sekretari i Këshillit Rajonal për Siguri të Pernikut (qytet në Bullgari), Vasko Pirgov, dje deklaroi se autobusi i aksidentuar nga RMV në autostradën “Struma” të Bullgarisë, në të cilin kanë humbur jetën 46 shtetas të RMV-së “siç duket ka pasur bidona të mbushura me naftë, sipas të gjitha gjasave në sediljet e përparme”.

Nëse hetimi e konstaton këtë version, atëherë është bërë shkelje e rëndë, pasi që kjo është rreptësishtë e ndaluar.

Transportuesit me të cilët ka biseduar “Fokus” thonë se kjo dukuri është e shpeshtë, pasi që çmimi i derivateve në Turqi është më i ulët, gjegjësisht dizeli është 0.75 euro, transmeton Portalb.mk.

Në lidhje me atë se si arrijnë që ta kalojnë kufirin e RMV-së, po edhe kufijtë tjerë të rajonit, transportuesit thonë se kjo bëhet duke i korruptuar doganierët me nga 10 deri në 15 euro.

Në pyetjen nëse kjo është praktikë e shpeshtë që transportuesit e RMV-së të blejnë naftë prej jashtë (në këtë rast prej Turqisë) dhe atë ta bartin në autobusë, njëri prej transportuesve thotë:

“Duke e pasur parasysh se konkurrenca jolojale e bën të vetën, nëpërmjet ofrimit të çmimeve shumë të ulëta të aranzhime të tilla, për shembull një udhëtim i këtillë në treg ofrohet prej 65-79 euro, po! Çmimi i naftës momentalisht në Turqi shitet me çmim prej 0.75 euro, ndoshta dikush prej këtyre transportuesve e bëjnë këtë dhe gjëra të tjera të paligjshme”.

Në lidhje me atë, nëse në thelb kontrabanda e naftës bëhet për nevojat e tyre ose për shitje, transportuesi thotë se sipas të gjitha gjasave bëhet për nevojat e tyre.

Situatë e shpeshtë është që nëpër autobusë të integrohen rezervuarë shtesë, e cila është gjithashtu e paligjshme.

Ndryshe, aksidenti i autobusit të RMV-së në Bullgari ku humbën jetën 46 persona dhe 7 të tjerë janë plagosur, ka tronditur mbarë vendin dhe Evropën. Hetimin po e bën Prokuroria e Bullgarisë, ndërkaq të kyçur janë edhe ekspertë nga Maqedonia e Veriut.

Ende nuk dihen arsyet dhe shkaqet që kanë shkaktuar aksidentin. Ajo që dihet, sipas udhëtarëve të mbijetuar, është që autobusi fillimisht e ka humbur kontrollin, pastaj është përplasur në bankina dhe më pas është ndjerë një shpërthim dhe për shkurt kohë i tëri është djegur.

Në mesin e viktimave ka pasur edhe 12 fëmijë, por edhe të rinj dhe më të moshuar të cilët kishin qenë në një ekskursion në Turqi me agjencinë turistike “Besa Trans Shkup”.

Për shkak aksidentit tragjik, prej dje janë shpallur tre ditë zie në RMV dhe nga një ditë në Bullgari dhe Kosovë. Telegrame ngushëllimi arrijnë nga katër anët e botës.

@tn.lajmelokale
@tetovanews