Ballina Bota Analiza Ripërtëritja demokratike e Evropës: Bullgaria i bashkohet një tendence në rritje

Ripërtëritja demokratike e Evropës: Bullgaria i bashkohet një tendence në rritje

Nga Vessela Tcherneva “European Council on Foreign Relations

Një forcë e re politike e quajtur “Ne Vazhdojmë Ndryshimin” (PP), është fituesja surprizë e zgjedhjeve të treta parlamentare të Bullgarisë brenda 1 viti. E udhëhequr nga dy biznesmenë energjikë të diplomuar në Universitetin e Harvardit, Kiril Petkov dhe Assen Vasilev, ajo fitoi 67 nga 240 vende në parlamentin bullgar.

Aktualisht janë duke u zhvilluar negociatat e koalicionit me tre parti të tjera, të cilat do të përfshihen në një proces kompleks, i cili kërkon konsensuse në fusha të ndryshme politikash. Synimi ambicioz i dy udhëheqësve të rinj, është të jenë gati të formojnë një qeveri deri në mesin e muajit dhjetor.

Bullgarët i kanë ende të freskëta kujtimet e protestave të mëdha popullore të një viti më parë kundër korrupsionit. Mijëra njerëz u bënë bashkë gjatë disa muajve, me synim rrëzimin e sistemit oligarkik në vend. Protestat u mbështetën nga 2/3 qytetarëve.

Më në fund u deshën 3 palë zgjedhje të parakohshme – në prill, në korrik dhe së fundmi në nëntor – derisa të arrihej një shumicë që synon ndryshimin e situatës. Problemi i korrupsionit, mund të ilustrohet më së miri nga rasti i Delyan Peevski.

Disa muaj pas protestave të vitit të kaluar, Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi dy oligarkë bullgarë në listën e Sanksioneve Magnitsky, duke theksuar se nuk priste asnjë lloj bashkëpunimi nga prokuroria bullgare në ndjekjen penale të këtyre individëve.

Lëvizja e SHBA-së, ka të ngjarë t’i detyrojë 2 biznesmenët të largohen nga vendbanimi i tyre në Dubai. Njëri prej tyre, Peevski, u rikthye në Bullgari për të kandiduar me sukses në zgjedhjet e fundit parlamentare në listën e partisë Lëvizja për të Drejta dhe Liri (DPS), e cila synon të përfaqësojë pakicën turke në vend.

Një përcaktuese e shpeshtë e shumicave në politikën bullgare, DPS ka qenë në qendër të shumë skandaleve me prokurimet publike. Ajo është gjithashtu e vetmja parti bullgare që është pjesë e grupimit liberal “Ripërtëritja” në Parlamentin Evropian.

Organizata “Reporterët pa Kufij “ e ka etiketuar Peevskin si ”mishërimi më famëkeq” i marrëveshjes së fshehtë midis mediave, politikanëve dhe oligarkisë. Megjithatë, ai është tani pjesë e parlamentit të ri. Por rasti Peevski është një kujtesë e qartë e parimit, se ndihma më e mirë për një shoqëri vjen nga brenda.

Vitet e raporteve negative të BE-së mbi sundimin e ligjit, lirinë e dobët të medias, dhe renditjen e keqe sa i përket korrupsionit, si dhe sanksionet ndërkombëtare, sugjeronin praninë e një sëmundjeje, nga e cila bullgarët kanë vuajtur në jetën e tyre të përditshme.

Rrugë të sapondërtuara që kanë nevojë për riparim; institucione qeverisëse jofunksionale dhe pasive; paaftësi e qeverisë për të përkthyer në politikat publike axhendat e gjelbra dhe dixhitale evropiane; një krizë e madhe shëndetësore, janë që të gjitha shenja të një makinerie shtetërore të drejtuar shumë keq.

Riparimi i saj do të kërkojë kurajo për të reformuar prokurorinë, dhe energji për të rikthyer ndjenjën e një kauze të përbashkët rreth interesit publik. Po ashtu ajo do të kërkojë këmbëngulje dhe imagjinatë. Por themeli është hedhur përmes vetë ndryshimit.

Demokracia kërkon ndryshim.

Ajo që disa në Perëndim mund ta quajnë destabilitet, mund të jetë në fakt shpëtimi për të mbajtur gjallë interesin publik. Ndërtimi i një koalicioni pas zgjedhjeve të javës së kaluar, nuk do të jetë një detyrë e lehtë. Një partner i mundshëm qeverisës është partia e Bullgarisë Demokratike, e cila është ideologjikisht afër PP në fokusin e saj në lidhje me adresimin e problemit të korrupsionit.

Por dy partnerët e tjerë të mundshëm janë Partia Socialiste Bullgare dhe ITN, partia e shoumenit të njohur Slavi Trifonov. Që të kenë sukses negociatat e koalicionit, këto parti

do të duhet të mbështesin shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm, Ivan Geshev, të cilin protestuesit e shohin si arsyen kryesore e dështimit të shtetit për të luftuar korrupsionin.

Por lidershipet përkatëse të dy partive, duken ende ngurruese mbi këtë çështje. Megjithatë, është e qartë se votuesit dërguan një mesazh, duke bërë thirrje për përtëritje dhe llogaridhënie, si dhe dhënien fund të kapjes së shtetit nga sundimi 12-vjeçar i ish-partisë në pushtet GERB, dhe ish-kryeministrit të saj Bojko Borisov.

Nëse ndonjëri prej tyre del nga koalicioni, dhe tenton që ta dobësojë axhendën kundër korrupsionit, pasojat do t’i ndjejnë në kutinë e votimit. Bullgaria nuk është i vetmi vend që po përjeton një shkallë të ripërtëritjes demokratike.

Në Hungari, partitë janë bashkuar në një koalicion të ri prej 6 partish për të rrëzuar kryeministrin aktual Victor Orban, i cili po e drejton vendin prej më shumë se një dekadë, duke uzurpuar të gjitha institucionet shtetërore.

Në Republikën Çeke, u desh një koalicion prej 5 forcash politike për të rrëzuar nga pushteti kryeministrin Andrej Babis pas 2 mandateve në pushtet. Në Serbi, Aleksandar Vucic është bërë mishërimi i “qeverisë së pazëvendësueshme”, ndërsa opozita e përçarë ka kontribuar në përmbushjen e kësaj “profecie”.

Nuk ka asnjë dyshim, se është e vështirë të vendosësh në një kategori Orban, Borisov, Babis, Vucic apo kryeministrin e Sllovenisë Janez Jansa. Disa janë anti-liberalë, të tjerë autokratë, ultra-konservatorë, nacionalistë apo thjesht populistë. Por ajo që  kanë të përbashkët, është se kanë qenë apo janë në pushtet prej një kohe të gjatë.

Demokracia kërkon ndryshim, dhe në rast se nëse elitat nuk ripërtërihen rregullisht, demokracitë e Evropës Qendrore dhe Lindore, rrezikohen që të kapen nga propagandistët profesionistë dhe rrjetet kleptokratike.

Ajo që disa në Perëndim mund ta quajnë destabilitet, në Lindje mund të jetë një kamerdare shpëtimi për të mbajtur gjallë interesin publik. Prandaj është domethënëse që në Bullgari do të ketë një qeveri të re, qoftë edhe në formën e një koalicioni kompleks, edhe me rrezikun që ajo të mos ekzistojë për një kohë të gjatë.

Disa vëzhgues e kanë cilësuar zgjedhjen e votuesve si një ”nevojë për risi”. Por për bullgarët dhe shumë fqinjë të afërt, të cilët kanë duruar një sundim të tillë për një kohë të gjatë, kjo zgjedhje duhet ta mirëpritet nga demokratët kudo. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Artikulli paraprakZYRTARE/ Lewandowski nuk hap “rrugë”, shpallet sërish “Golden Player”
Artikulli tjetërAustria është futur në izolim të plotë