Ballina Bota Skandal në pallatin ‘Elyse’, ushtarja përdhunohet nga një koleg pas një pritjeje...

Skandal në pallatin ‘Elyse’, ushtarja përdhunohet nga një koleg pas një pritjeje të Macron

Një ushtare e re franceze denoncoi një koleg nënoficer, me akuzën e dhunës seksuale. Dhuna, siç shkruan gazeta franceze “Libération”, dyshohet se ka ndodhur në pallatin ‘Elysee’ (selia presidenciale e Francës) menjëherë pas një koktejli, ku mori pjesë edhe vetë presidenti Emmanuel Macron.

‘Elysee’, i kontaktuar nga gazeta për një koment, u përgjigj me një shënim në të cilin fillimisht deklaroi se “asnjëherë nuk komenton mbi proceset gjyqësore në vazhdim”.

Por më pas, theksoi gjithashtu se, “kur u zbuluan faktet nga autoritetet, menjëherë u morën masat: dëgjimi, mbështetja dhe shoqërimi i viktimës, caktimi i menjëhershëm i personit shkelës larg ‘Elysee’”.

Një reagim i cili, duke iu shtuar qëndrimit të “diskrecionit ekstrem, nëse jo të fshehtësisë që mbretëronte mbi faktet”, bëri që gazeta “Libération” ta përcaktojë situatën si “të hidhur, veçanërisht, duke marrë parasysh peshën që çështja e dhunës seksuale ka mbi shoqërinë franceze në këtë moment”.

Dhuna dyshohet se ka ndodhur në mbrëmjen e vonë të 1 korrikut 2021. Një periudhë në të cilën, kujton gazeta, “kufizimet shëndetësore të lidhura me Covid 19, filluan të lehtësohen”.

Thuajse para 4 muajsh e gjysmë, organizohet një dolli lamtumire në ‘Elysee’ për të përshëndetur tre bashkëpunëtorë që u larguan në detyra të reja. Ishin të ftuar disa dhjetëra njerëz dhe në një moment, mbërrin vetë Macron, i cili mban një fjalim të shkurtër informal në hapësirat e parkut të presidencës, përpara se të bënte dolli me të pranishmit.

Rreth orës 22:00, presidenti largohet dhe atmosfera bëhet më e relaksuar: ka edhe nga ata që, sipas gazetës, shfrytëzojnë rastin për të ngritur bërrylat. Në fund të mbrëmjes, personat e fundit që qëndruan, u zhvendosën në strukturën e Shtabit të Përgjithshëm të rezervuar për presidentin francez, në “Rue de l’Elysée”.

Pikërisht, në këto dhoma, të cilat gazeta i cilëson si “ultra private”, një ushtare e re, pretendon se ka pësuar dhunë seksuale nga një koleg i saj, gjithashtu ushtar.

Në orët në vijim, viktima ka bërë denoncim dhe pak ditë më pas është hapur hetimi për përdhunim. Burri është ndaluar dhe është marrë në pyetje: përveç sanksionit penal, ai rrezikon të përfundojë edhe para këshillit të disiplinës ushtarake.

Për momentin ai është pezulluar nga ‘Elysee’. Por, sipas “Libération”, edhe vetë presidenca rrezikon të përfundojë sërish në një skandal për herë të dytë gjatë periudhës së presidentit Macron.

I pari daton në maj 2018, kur ish-këshilltari dhe truproja e presidentit, Alexandre Benalla, u filmua duke rrahur një protestues në vendin ‘de la Contrescarpe’, në lagjen “Mouffetard” të Parisit.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”

@tn.lajmelokale
@tetovanews