Ballina Bota Analiza Si Kina synon të bëhet “farmacia” e botës

Si Kina synon të bëhet “farmacia” e botës

Nga Federico Giuliani “Il Giornale

Në vitet 1990, Kina ishte një vend shumë ndryshe nga gjiganti ultra-modern i teknologjisë së lartë që njohim sot. Pekinit i duhej të anëtarësohej në Organizatën Botërore të Tregtisë, ndërsa ekonomia e tij socialiste ishte hapur vetëm kohët e fundit falë reformave të nisura nga Deng Xiaoping në vitin 1978.

Pra në vend kishte disa shenja të dukshme të “një pune në vazhdim e sipër”, ndërsa analistët ishin të sigurt se forma e qeverisjes do të ndryshonte së shpejti për shkak të ndikimit të tregut të lirë. Sot Partia Komuniste Kineze është ende në “dhomën e kontrollit” të regjimit, dhe sapo e ka kaluar momentin historik të 100-vjetorit të themelimit të saj.

PBB-ja e Kinës është rritur shumë dhe falë të ashtuquajturit “socializëm me tipare kineze”. Dragoi aziatik është shumë pranë fuqisë ekonomike të Shteteve të Bashkuara, gjigantit që diktoi në fakt rregullat gjeopolitike në pjesën më të madhe të shekullit XX-të.

Edhe sektori farmaceutik ka pësuar ndryshime të mëdha. Mjafton të thuhet se disa dekada më parë ishte tejet e vështirë të merrje miratimin e Kinës për ilaçet e prodhuara në Perëndim. Nga njëra anë, në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qarkullonin produkte të zhvilluara nga kompani të mëdha si Pfizer dhe shumë të tjera.

Nga ana tjetër, qytetarët në Kinë mbështeteshin tek barnat gjenerike dhe tradicionalë. Pekinit i mungonte baza e kësaj industrie si dhe njohuritë e atyre kompanive bioteknike dhe farmaceutike që konkurronin për tregje përtej Perdes së vjetër të Hekurt.

Diçka nisi të ndryshojë me fillimin e viteve 2000, edhe pse pika e kthesës do të vinte disa vjet më vonë. Administrata e udhëhequr nga Xi Jinping nxiti një zhvillim me hapa galopantë të industrisë farmaceutike kineze, pasi edhe ky sektor ishte pjesë e fushatës së përtëritjes dhe modernizimit të vendit.

Dhe në fakt është e pamundur të aspirosh një rol udhëheqës në botë,në rast se nuk je në gjendje të mbështetesh tek kompanitë farmaceutike me një peshë të caktuar në nivel global. Që nga ai moment, edhe Kina – një vend i njohur për prodhimin e të ashtuquajturve përbërës farmaceutikë aktivë – filloi që të zbulonte ilaçe të reja të prodhuara në vend.

Këtu bëjnë pjesë barnat biologjike, të cilat konsiderohen si më të vështira për t’u prodhuar se ato të zakonshmet. Një raport shumë i gjatë i“Nikkei Asian Review”, përshkruan udhëtimin

e gjatë të Pekinit për të arritur atje ku është tani. Këtë vit, tregu farmaceutik kinez është i dyti më i madhi në botë pas Shteteve të Bashkuara, dhe kjo falë kërkesës së brendshme të spitaleve kineze.

Dhe tani mungon hapi i fundit, që është kapërcimi i Amerikës në këtë sektor, edhe pse Uashingtoni do ta sakuzojë Pekinin për vjedhjen e pronësisë intelektuale, duke vënë në pikëpyetje cilësinë e ilaçeve kineze.

Pandemia e Covid-19 i ka treguar botës potencialin e Kinës në sektorin farmaceutik. Pekini ka përdorur një lloj “diplomacie të vaksinave”, duke shpërndarë doza vaksinash anti-Covid tek sa më shumë vende të varfra.

Në dallim nga ato të bazuara tek teknologjia mARN dhe të prodhuara nga gjigantët perëndimorë Pfizer dhe Moderna, vaksinat kineze ishin konvencionale, pra përdorin virusin e ç’aktivizuar, që është gjithsesi i aftë të provokojë një përgjigje të sistemit imunitar të njeriut.

Por tani edhe Kina ka filluar të punojë për të prodhuar vaksinat e veta mARN. Jo vetëm kaq. Në marsin e vitit 2020 “Fosun Pharma”, një nga prodhuesit më të mëdhenj të barnave në Kinë, bashkëpunoi me BioNTech, kompaninë gjermane që zhvilloi vaksinën e parë anti-Covid në bashkëpunim me amerikanen Pfizer. Objektivi ishte avancimi i zhvillimit dhe komercializimit të së njëjtës vaksinë anti-Covid në Kinë.

Një shembull tjetër:“Everest Medicines”, një tjetër kompani biofarmaceutike kineze, shtatorin e vitit të kaluar mori të drejtën për të furnizuar me vaksinat mARN të zhvilluara nga “Providence Therapeutics” një kompani kanadeze”,  Kinën dhe disa vende të Azisë Juglindore.

Si të mos mjaftonte kjo, si Everesti po ashtu edhe Fosun po punojnë për të prodhuar vaksina të reja kundër variantin të ri Omicron. Është shumë interesante të lexohet ajo që raportohet nga Qendra e Vaksinave në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër.

Deri në nëntor të këtij viti, të paktën 20 vaksina kineze kundër Covid-19 janë në fazën e testeve klinike në Kinë. Dhe këto vaksina mbulojnë të gjithë teknologjinë e disponueshme, nga “shkolla e vjetër” e prodhimit të vaksinave deri tek teknologjia e re e mARN.

Synimi i Pekinit është i qartë:të punojë sa më shumë që mundet për të prodhuar vaksina pa pengesat nga partnerët e huaj. Rezultatet e para nuk vonuan të vijnë, duke qenë se “Suzhou Abogen”, një kompania e re kineze, bashkëpunoi me “Walvax”, një nga kompanitë më të mëdha kineze të vaksinave dhe me Institutin e Mjekësisë Ushtarake të Akademisë së Shkencave Ushtarake, duke zhvilluar ARCoV, vaksinën e parë mRNA të miratuar për fillimin e testeve klinike në Kinë.

Ndryshe nga e kaluara, lojtarët kinezë janë tanimë në gjendje të konkurrojnë me gjigantët perëndimorë të farmaceutikës. Vitet e “trajnimit” i kanë shërbyer Kinës për t’u rritur në mënyrë dramatike në të gjithë sektorët, përfshirë farmaceutikën.

Gjiganti aziatik është prodhuesi kryesor i përbërësve aktivë farmaceutikë në nivel global, ka një kapacitet të madh bioprodhues, dhe tani dëshiron që të zgjerohet më tej. Siç e kemi parë, shumë kompani farmaceutike në zhvillim po shfaqin ambicie globale.

Kompania kineze “BeiGene”, ilaçi i së cilës kundër kancerit “Brukinsa”, ka marrë edhe miratimin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA) në SHBA në vitin 2019 – e para për një kompani kineze – ka disa zyra jashtë Kinës, ndërsa fabrikat se saj ndodhen në SHBA dhe Evropë.

Po kështu “WuXi Biologics”, një grup kërkimor farmaceutik kinez, ka baza prodhuese në Irlandë, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara; “Shanghai Junshi Biosciences” ka licencuar prodhimin e ilaçit të saj që nxiti prodhimin e antitrupave anti-kancerogjen “Toripalimab” nga kompania “American Coherus” për shumën 1.11 miliardë dollarë.

Edhe kompania “Junshi” ka marrë miratimin në mbi 15 vende përfshirë SHBA-në për trajtimin e tij me antitrupat e Covid-19. Por pse Kina ka vendosur të investojë kaq shumë

në industrinë farmaceutike? A nuk mjaftonte për shembull, që ajo të pushtonte tregun e makinave dhe të manifakturës për t’u ngjitur në krye të renditjes ekonomike në planet?

Krahas nevojave të saj gjeopolitike (prodhimi i vaksinave dhe barnave i jep mundësi Kinës t’i eksportojë këto produkte duke rritur fuqinë e saj të butë, duke arkëtuara të ardhura të shumta), në këtë rast duhet pasur parasysh edhe një nevojë thelbësore e brendshme. Barnat biologjike janë bërë prioritet i qeverisë kineze për shkak të ndryshimeve demografike.

Vendi po plaket me shpejtësi, dhe qeveria po kërkon mënyra inovative për të menaxhuar barrën shëndetësore në rritje që sjellin këto ndryshime.

Kështu, shumë kompani farmaceutike po fokusohen tek sëmundjet kronike dhe tumoret.

Në përgjithësi, strategjia biofarmaceutike e Kinës, bazohet në një perspektivë afatgjatë, dhe kjo industri është një nga kryesoret e përmendura në strategjinë “Made in China 2025” .

Së fundmi, duhet të kemi parasysh edhe rolin e ushtrisë – e cila ka të punësuar shkencëtarë që marrin pjesë në projekte të mëdha kombëtare – dhe sasinë e madhe të parave të investuara në industrinë farmaceutike Kineze nga kompanitë private. Vetëm në vitin 2021, kjo shumë ka arritur në 2 miliardë dollarë. Dhe ky mund të jetë vetëm fillimi. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews