Ballina Bota Analiza Si mund ta zgjidhë qeveria e re gjermane krizën kufitare të Bashkimit...

Si mund ta zgjidhë qeveria e re gjermane krizën kufitare të Bashkimit Evropian

Nga Piotr Buras “European Council on Foreign Relations”

Kriza në kufirin lindor të Bashkimit Evropian, ku diktatori bjellorus Alyaksandar Lukashenka po përdor mijëra emigrantë për ta shantazhuar unionin, do të jetë testi i politikës së jashtme për koalicionin e ri qeverisës në Gjermani.

Partitë e koalicionit “semafor”, duan që t’i japin fund vuajtjeve në kufijtë e BE-së, të veprojnë më ashpër ndaj autokratëve, ta marrin më seriozisht përgjegjësinë që ka Gjermania për formësimin e politikës së jashtme të BE-së, dhe të përfaqësojnë më me forcë vlerat e Evropës, si brenda po ashtu edhe jashtë.

Por të gjitha këto synime janë në rrezik për shkak të krizës aktuale në kufijtë e BE-së. Pyetja kryesore këtu është:Si mund ta parandalojë BE një katastrofë humanitare në pragun e Evropës, pa bërë lëshime ndaj diktatorëve në lindje të saj?

Dhe a mund të realizohet në të njëjtën kohë mbrojtja e të drejtave të njeriut, mbrojtja e kufirit dhe përballja me Lukashenko dhe Vladimir Putin? Kjo gjë duhet të jetë e mundur. Por për ta arritur këtë, qeveria e re federale do të duhet të ndërmarrë disa hapa të guximshëm.

Përshtypja se kriza është vënë tashmë nën kontroll është shumë mashtruese. Është e vërtetë se situata është përmirësuar disi që nga 2 bisedat telefonike midis Angela Merkel dhe Lukashenkos. Sulmet e dhunshme në të dy anët e kufirit u pakësuan. Disa nga emigrantët po marrin kujdesin e duhur shëndetësor, dhe qindra të tjerë janë kthyer mbrapsht në Irak.

Por për sa kohë që mijëra refugjatë të tjerë ndodhen të bllokuar në Bjellorusi, kriza humanitare do të mbetet e pazgjidhur, dhe rreziku i një përshkallëzimi të ri të situatës mbetet aty. Njerëzit e Lukashenkos mund të dërgojnë sërish në çdo moment njerëz të dëshpëruar drejt kufirit.

Edhe sanksionet e miratuara së fundmi nga BE-ja ndaj linjave ajrore dhe kompanive që lehtësojnë të ashtuquajturin “turizëm të emigrimit” në Minsk, nuk janë ende një garanci e fortë se më shumë njerëz nuk do të joshen të mësyjnë drejt Bjellorusisë.

BE duhet të krijojë sa më shpejt një korridor humanitar, për t’i nxjerrë emigrantët nga kurthi bjellorus, duke i shpërndarë ata në të gjithë Evropën. Por kritikat që ka marrë Merkel për këtë veprim, sidomos nga Të Gjelbrit në Gjermani dhe nga Polonia, janë vetëm pjesërisht të justifikuara.

Është e vërtetë:heqja qoftë edhe përkohësisht dorë nga izolimi i diktatorit, që ka burgosur më shumë se 800 kundërshtarë politikë, është një lëvizje e rrezikshme. Për më tepër pasi nuk dihet ende çmimi që duhet paguar për pengimin e veprimeve të tij të ngjashme.

Por nëse synohen të ndihmohen njerëzit që janë bllokuar në Bjellorusi – dhe partitë e koalicionit të ri qeverisës në Gjermani por edhe shumë evropianë po kërkojnë pikërisht këtë -ka vetëm 2 opsione:ose ata të lejohen të hyjnë në BE (Poloni), dhe t’u ofrohen procedura të rregullta të azilit; ose unioni të përpiqet që ta sigurojë këtë gjë në anën bjelloruse të kufirit.

Ndërsa opsioni i parë është i vështirë pasi Varshava e refuzon me forcë, i dyti kërkon rifillimin e bisedimeve me Lukashenkon. Por do të ishte një iluzion, të besohet se pas bisedës telefonike midis Merkel dhe Lukashenkos, të gjithë ose shumica e emigrantëve që kanë mbetur në Bjellorusi, do të rikthehen në shtëpitë e tyre.

E megjithatë, lënia e tyre të bllokuar në Bjellorusi do të ishte e papranueshme për BE-në, dhe kjo jo vetëm për arsye humanitare. Kjo pasi ata do të mbeteshin nën mëshirën e presidentit bjellorus, dhe mund të përdoren për provokime të reja. Prandaj, BE duhet të krijojë sa më shpejt një korridor humanitar për t’i nxjerrë emigrantët nga kurthi bjellorus, dhe për t’i shpërndarë ata nëpër Evropë.

Dhe Gjermania do të duhej të jetë në pararojë të këtij procesi. Rreth 10.000 emigrantë kanë arritur vetë në Gjermani përmes Polonisë. Pranimi i rregullt i një numri të caktuar refugjatësh, ka qenë deri më sot një tabu. Por në fakt kjo do të ishte në interesin e Berlinit, dhe në asnjë mënyrë nuk do të përbënte një “pushtim” të vendit.

“Ne kemi hapësirë që ta bëjmë këtë”- deklaroi ish-kandidatja për kancelare nga radhët e Të Gjelbërve Annalena Baerbock gjatë fushatës elektorale. Kjo sigurisht që duhet të zbatohet për jemenasit ose jazidët që ndodhen aktualisht në Bjellorusi.

Por një gjest i tillë humanitar mund të prodhojë një efekt të kundërt. Nëse rruga për në Evropë – sot e bllokuar në kufi nga telat me gjemba dhe dhuna e rojeve kufitare – do të hapej për emigrantët e bllokuar atje, a nuk do të ishte kjo një shtysë që shumë të tjerë të vinin pas tyre, duke i dhënë kësisoj një shtysë të mëtejshme aktiviteteve dashakeqe të Lukashenkos?

Frika nga një efekt i tillë, është ajo që i nxit jo vetëm polakët por edhe lituanezët të protestojnë me forcë kundër pranimit të tyre. Për sa kohë që mbetet ky rrezik, nuk mund të flitet për një zgjidhje të besueshme humanitare, të cilën po e mbrojnë me zë të lartë kaq shumë njerëz.

Por që ky të mos mbetet një premtim bosh, qeveria e re gjermane duhet të tregojë guxim. Ajo duhet të punojë ngushtësisht me Poloninë,dhe ta sigurojë këtë të fundit se BE do të vendosë sa më shpejt që të jetë e mundur sanksione më të gjera ekonomike ndaj Bjellorusisë. Mbi të gjitha, nëse “turizmi i emigrantëve”, nuk ndalet menjëherë, Gjermania duhet të kërcënojë me ndalimin e fluksit të mallrave në kufirin polako-bjellorus për kompanitë bjelloruse.

Një opsion i tillë është propozuar tashmë nga kryeministri polak, Mateusz Morawiecki.

Dhe do të ishte mirë që ky opsion tani të bëhet një politikë zyrtare e BE-së.Gjermania dhe Polonia janë partnerët kryesorë tregtarë të Bjellorusisë, dhe Polonia është vendi tranzit për shkëmbimet tregtare me të gjithë BE-në (vitin e kaluar Bjellorusia fitoi 8 miliardë euro nga ato).

Që t’i jepet fund këtij krimi kundër njerëzimit, dhe sulmeve të qëllimta ndaj kufirit të BE-së, kjo e fundit duhet të jetë gati që të përdorë masat tregtare, që në fakt janë arma e saj më efektive. Dhe kjo nuk do të mungonte të kishte një efekt parandalues. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, kjo do të dërgonte ndërkohë një sinjal të fortë ndaj Putinit, i cili po kërcënon Ukrainën.

*Marrë me shkurtime

@tn.lajmelokale
@tetovanews