Ballina Aktualitet Tetovë, ja çfarë propozuan këshilltarët komunalë për borxhin prej 24 milionë eurove

Tetovë, ja çfarë propozuan këshilltarët komunalë për borxhin prej 24 milionë eurove

Borxhi i Komunës së Tetovës është mbi 24 milionë euro në total. Portalb.mk bisedoi me këshilltarët komunal nga të gjitha subjektet pjesëmarrëse në këshill se çfarë zgjidhje propozojnë për zgjidhjen e problemit me borxhin. Nga komuna për Portalb.mk thanë se brenda dy tre ditëve borxhi do të vendoset në sheshin Iliria përmes një monitori, në billborde dhenë formë të detajuar në ueb-faqe.

Borxhi i Komunës së Tetovës është 24,01 milionë euro së bashku me ndërmarrjet publike dhe shkollat. Vetëm Komuna ka mbi 14 milionë euro, NPK Tetova ka mbi 9.6 millionë euro, Parkingu i qytetit mbi 187 mijë euro dhe shkollat mbi 77 mijë euro.

Biseduam me këshilltarët komunal nga të gjitha subjektet pjesëmarrëse në këshill për të parë se cili është qëndrimi i tyre për këtë borxh dhe çfarë zgjidhje propozojnë për zvogëlimin e tij.

Blerim Osmani, këshilltar nga BDI tha se duhet të kemi parasysh që pothuajse të gjithë vetëqeverisjet lokale në vend ballafaqohen me probleme të ngjashme financiare, nevojat e qytetit zmadhohen me zhvillimin e qytetit çdo ditë, ndërsa kapacitetet financiare janë po të njëjtat.

“Duke u bazuar edhe në kompetencat që dalin nga vetë rregullat pozitive në vend, administratës në përbërje me udhëheqësinë e re i takon te hartojë plan për dinamiken e pagesës dhe menaxhimin e borxhit. E dimë se ndërmarrjet në kuadër te komunës, me çdo kusht duhet t`i kryejnë obligimet e tyre, ndërsa pagesat, jo gjithmonë janë shlyer në përputhshmëri me shërbimet, këtu futen edhe investimet kapitale, që jo gjithmonë realizimet shkojnë sipas planeve, dhe nevojiten intervenime shtesë. Nganjëherë, vetë nevoja për të siguruar shërbime dhe që këto shërbime të ofrohen në kohë, ka sjell edhe në situata ku krijohen borxhe. Gjithsesi kam bindjen që duhet një intervenim serioz kur flasim për resurset financiare, që çdo komunë të ketë buxhet konform nevojave të qytetarëve dhe numrit të banorëve.” tha Blerim Osmani.

Për këshilltarin e VMRO-DPMNE-së Angell Karapetrov këto çështje kërkojnë shtjellim shumë më të gjerë dhe fatkeqësisht nuk ka zgjidhje të menjëhershme për të.

Angel Karapetrov

“Së pari, ajo që duhet bërë është një plan dhe program për rehabilitimin e komunës dhe ndërmarrjeve publike dhe sigurimin e fondeve për financim të vazhdueshëm. Së dyti, Komuna e Tetovës të takohet me kreditorët për riprogramimin e borxhit dhe rritjen e afatit për pagesën dhe respektimin e tij. Së treti, ndihma shtetërore për ndërmarrjet publike që kanë akumuluar probleme dhe ulje të arkëtimit të faturave për shkak të Covid-19. Së katërti, pushteti vendor duhet të ofrojë shërbime cilësore dhe të përballueshme për të gjithë qytetarët, por edhe të rrisë pagesën e taksave dhe faturave komunale, të cilat do të ofrojnë shërbime publike më të mira dhe do të ofrojnë rezerva fiskale për sfidat e ardhshme. Së pesti, zvogëlimi i kostove të panevojshme dhe presim nga zyrtarët publik modesti në veprim dhe heqje dorë nga privilegjet.” tha Angell Karapetrov.

Nga lista e pavarur “Më mirë për Tetovën”, Elmedina Abdullai tha se duhet të gjendet mënyrë për verifikim të situatës aktuale nëse borxhet janë bërë nga mosrealizimi i pagesave për kryerje të punëve sipas kërkesave në shpalljet publike.

Elmedina Abdullai

“Nëse ka lëshime në procedurë, cilësi, sasi, etj të penalizohen të njëjtat kompani të cilëve u ka borxh Komuna pa e dhënë shërbimin e duhur. Është proces i gjatë por i vetëm për ta zvogëluar borxhin dhe mësim për operatorët ekonomik se duhet punët të kryhen në përputhshmëri me kontratën e lidhur. Në ndërkohë, patjetër duhet të ndalet keq menaxhimi, të bëhet përmirësimi i shërbimeve komunale dhe të bëhet mbledhje efikase e pagesave për shërbimet përkatëse. Duhet të jepet mundësia që mbledhja e taksave dhe tatimeve retroaktive për vitet që kanë kaluar të bëhet në këste ose me ndonjë lirim. Me një fjalë, duhet të respektohet ligji dhe rregullat që të ketë mundësi të funksionojnë institucionet pa pengesë në të kundërtën çdo situatë tjetër do të jetë vetëm vazhdim i situatës kaotike në Komunën e Tetovës. Për veç mbulesës së borxhit, shumë me rëndësi të bahet aplikim për fonde/grante të cilat po ashtu mund të ndihmoj në zbutjen e krizës financiare në Komunë.” tha Elmedina Abdullai.

Për këshilltarin e LSDM-së Ilija Dimitrieski, edhe pse kjo është situatë e vështirë, ka mënyra se si mund të funksionojë ku gjëja e parë që kryetari duhet të përmirësojë është volumi i taksave dhe detyrimeve të tjera.

Ilija Dimitrievski

“Nga ajo që di unë, pagesat nga tatimi në pronë në Komunën e Tetovës janë të dobëta. Kjo mund të përmirësohet duke lehtësuar mënyrat e pagesës për qytetarët, duke mundësuar pagesën në mënyrë elektronike dhe duke dërguar vendimin e tatimit të pronës në shtëpitë e atyre që nuk mund të paguajnë elektronikisht. Gjithashtu, në fushën e taksës së pronës, tatimi duhet të rregullohet sipas pasurisë që kanë qytetarët dhe të gjithë duhet të taksohen në mënyrë të drejtë. Më pas, të rritet volumi i arkëtimit të taksës për ujin e pijshëm. Komuna duhet të rrisë në mënyrë drastike tarifat nga shfrytëzimi i sipërfaqeve publike në qytet nga subjektet private. Gjithashtu, përdorimi i hapësirave publike duhet të jetë i rregulluar, i kufizuar në kohë dhe i kontrolluar. Komuna mund të përcaktojë taksat për zhurmën dhe me rastin e dhënies së lejeve për të lëshuar muzikë në lokale, mund ta taksojë atë leje në baza mujore. Rritja e taksave për transportin e taksive në qytet si dhe rregullimin dhe unifikimin e transportit të taksive. Vendosja e taksës në baza mujore për dërgimin e produkteve te subjektet ekonomike të qytetit.” tha Ilija Dimitrieski.

Ndër propozimet tjera, Dimitrieski propozoi edhe dy zgjidhje në fushën e urbanizmit.

E para, është planifikim i një pjesë të re të qytetit në lëvizjen përballë Veros, përgjatë rrugës për në Shkup, përmes ReMallit, deri në objektet e fundit ekonomike, në gjatësi paralelisht me Kazermën në Tetovë. Një pjesë e re e qytetit që do të planifikohet sipas të gjitha standardeve urbane, e cila do të sigurojë ndërtesa me lartësi mesatare të vendosura në mënyrë që të mos pengojë fluksin e ajrit, brez të gjelbër adekuat mes tyre dhe infrastrukturë rrugore sipas të gjitha standardeve. Kjo do të mundësojë investime në një pjesë të re të qytetit që do të jetë tërheqëse për investitorët dhe qytetarët. Të hyrat që do të kishte komuna nga kjo do të kontribuonin në menaxhimin e borxhit.

Zgjidhja e dytë urbane është rivitalizimi i pjesës së vjetër të qytetit. Formimi i rrugës turistike në Tetovë sipas shembullit të Ohrit. Rrugë në të cilën të gjitha objektet që do të vendosen në të do të parashihet rikonstruksioni i fasadave në stilin autentik të Tetovës së vjetër, shtrimi me kalldrëma i gjithë rrugës, vendosja e shandanëve me aranzhime lulesh. Stimulim për shndërrimin e disa objekteve në atë rrugë në restorante të vogla autentike, për punishte nga zejet e vjetra që lulëzonin në Tetovë, për dyqane suveniresh e të ngjashme. Me këtë komuna do të sigurojë një burim të ri të të ardhurave.

Muzafer Etemi,

Muzafer Etemi, këshilltar nga Aleanca për Shqiptarët tha se vlera e borxhit prej 24 milionë eurove është obligative për komunën e Tetovës ndërsa sa i përket procedurave të furnizimit ato do të duhen të vërtetohen.

“Nëse ka keqpërdorim dikush duhet të bartë përgjegjësi, mirëpo nëse nuk ka raste të tilla kjo vlerë e cekur më lartë do të jetë si obligim i komunës ndaj ndërmarrjeve. Për shkak të vlerës së lartë, komuna duhet të kontaktojë me ndërmarrjet dhe të përcaktohet një dinamikë e pagesave sepse komuna nuk ka kapacitete financiare që këto obligime t’i kryej në kohë të shkurtë, por ato duhet t’i planifikojë për një periudhë më të gjatë kohore.” tha Muzafer Etemi.

Visar Palloshi

Nga këshilltarët e PDSH-së, Visar Palloshi tha se borxhi mund të shlyhet vetëm nëse udhëheqësit e sektorëve komunal dhe në institucionet publike në kuadër të komunës ekipi do të jetë i përberë nga persona profesional pra adekuat të sferës për të cilën do të zgjidhen. Ai thotë se udhëheqësit e sapo zgjedhur që janë caktuar në bazë politike dhe jo në bazë të profesioneve të tyre.

“Gjithashtu si propozim deri te udhëhëqsia e re do të kishte qenë të shkurtohen harxhimet e panevojshme dhe të menaxhohet në mënyrë racionale buxheti i Komunës, dhe mos të nënshkruhen kontrata në vepër vetëm sa për ti kënaqur aktivistët partiak siç e kishim rastin me rreth 400 kontrata në udhëheqësinë e mëparshme kurse në anën tjetër të punësuarit profesional dhe adekuat të anashkalohen vetëm se janë të kyçur në ndonjë parti tjetër politike.” tha Visar Palloshi.

Çfarë plani ka kryetari i komunës për zvogëlimin e borxhit?

I pyetur nga Portalb.mk për atë se a ka plan konkret si do zgjidhet problemi me borxhin dhe si do ndikojë ky borxh në funksionimin e komunës, sektorëve dhe ndërmarrjeve, kryetari i komunës Bilall Kasami u përgjigj kështu:

Bilall Kasami

“Jemi në përpilim të atij plani, jam në takim me të gjithë ndërmarrjet e sektorit privat të cilëve ju kemi pjesën më të madhe të borxhit, në momentin kur do të kem një marrëveshje për riprogramim të borxhit, sepse për momentin Komuna e Tetovës është e bllokuar, ka mbi 430 vendime të përmbaruesve, për momentin ne nuk disponojmë me llogarinë e komunës, pra gjitha të hyrat që vijnë në llogarinë e komunës i marrin përmbaruesit dhe për momentin kemi mundësi vetëm të bëjmë pagesat e punëtorëve me vendim. Do të bëjmë një riprogramim që ta zhbllokojmë llogarinë e komunës që nga janari të nisim planin e implementimit të të gjitha kërkesave të cilat ne i kemi premtuar dhe që u qëndrojmë edhe përkundër kësaj gjendje të rrënduar të komunës.”

Ndër të tjera Kasami tha se qëllim është edhe riprogramimi i borxhit, ku ju ka premtuar të gjithë operatorëve ekonomik që për një periudhë të caktuar me një marrëveshje të dyanshme të paguhet ai borxh.

“Por njëherësh të ketë mirëkuptim nga ato që ne duhet të realizojmë për këto katër vite edhe projekte dhe në atë drejtim do ketë edhe pagim të borxhit që nuk e kam krijuar unë.” shtoi Kasami.

Për atë se kujt dhe sa i ka borxh Komuna e Tetovës, ndërmarrjet dhe shkollat të dhënat mund të shihen në tabelën më poshtë të përgatitur nga Portalb.mk.

Borxhi i Komunës së Tetovës

Rikujtojmë që në vitin 2018, Qeveria e Maqedonisë në vitin 2018, ia shleu Komunës së Tetovës borxhin për 50%, por kjo nuk dha asnjë efekt pozitiv në zvogëlimin e borxhit, ai u rrit ende më shumë. Borxhi është rritur nga 8 milionë euro në vitin 2013, në 14,06 milionë euro sot që flasim.

@tn.lajmelokale
@tetovanews