Ballina Bota Analiza Si ka ndikuar pandemia në besimin fetar?

Si ka ndikuar pandemia në besimin fetar?

The Economist

Pyesni një famullitar, një rabin ose një imam për sfidën më të madhe me të cilën po përballet kongregacioni i tij dhe nevojën për të nxitur vlerat shpirtërore në një botë laike. Megjithatë, fetë në të gjithë botën po përballen me një problem po aq të mprehtë, sa edhe të ndryshëm: si të qëndrojmë në këmbë në kuptimin material dhe konkurrues. Për sa i përket çështjes së fesë, Covid-19 ka ndihmuar në përcaktimin e fituesve dhe humbësve.

Kishat që po kujdeseshin në mënyrë efektive për nevojat e besimtarëve të tyre edhe para pandemisë, kanë lulëzuar pasi njerëzit filluan të shqetësoheshin më shumë për vdekjen dhe gjatë izolimit gjetën më shumë kohë për t’iu kushtuar besimit fetar.

Por kishat që tashmë ishin në vështirësi e kanë pasur gjithnjë e më të vështirë të rujanë kongregacionet e tyre. Pandemia ka përshpejtuar një zhvendosje në shërbimet online, duke u dhënë shumë prej besimtarëve një justifikim për të mos qenë prezent. Shumë institucione fetare mbyllën dyert e tyre brenda natës, duke i zhvendosur shërbimet e tyre në Zoom.

Tani, ndërsa kishat kanë rihapur dyert e tyre, ata janë të pasigurt se sa besimtarë do të rikthehen sërish. Ekonomistët kanë analizuar prej kohësh grupet fetare sikur të ishin biznese. Në 1776, një skocez, Adam Smith, tha se kishat janë ndërmarrje, të ngjashme me kasapët, furrtarët dhe prodhuesit e birrës.

Në një treg të lirë dhe konkurrues, ku ata mbështeten te donacionet dhe vullnetarët për të përballuar jetesën, klerikët duhet të veprojnë me vendosmëri për të mbushur nevojat e tyre. Në ditët e sotme tregu i fesë është fluks, ndoshta më shumë se kurrë. Nga ana e kërkesës, kishat në botën perëndimore po vuajnë nga sekularizimi global që filloi shumë përpara pandemisë. Edhe në Amerikë, shembulli i një vendi të pasur që ka lulëzuar së bashku me fenë, përqindja e qytetarëve që identifikohen si të krishterë ka shënuar rënie nga 82% në 2000 në më pak se 75% në 2020 .

Sipas sondazhit nga World Values ​​Survey, rreth 30% e amerikanëve thanë se ndjekin një shërbim fetar të paktën një herë në javë. Kjo është shumë në krahasim me vendet e tjera të pasura. Por shifra ka rënë në mënyrë të qëndrueshme nga 45% gjatë një mijëvjeçari. Nga ana e ofertës, konkurrenca priret të jetë e fuqishme ku qeveritë nuk diktojnë se çfarë feje duhet të ndjekin njerëzit. John Gordon Melton i Universitetit Baylor në Teksas tha se ka rreth 1200 besime të krishtera në Shtetet e Bashkuara së bashku me një sërë besimesh të tjera, raporton abcnews.al

Tre të katërtat e amerikanëve, sipas një sondazhi të Gallup, thonë se muzika është një faktor; 85% i konsiderojnë aktivitetet sociale një joshje. Sipas Roger Finke në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë, çelësi i pluralizmit nuk është se ka “më shumë fe”, por se ato duhet të “përputhen” me shijet e konsumatorëve. Covid ka nxitur risi në kishat në mbarë botën. Qendra e krishterë Milton Keynes në Britani, për shembull, ka zhvilluar kurse të edukimit fetar dhe grupe lutjesh, edhe online.

Ai mbështet një bankë ushqimore dhe ka hapur një qendër për fëmijët që kanë vështirësi në të nxënë. Në një sondazh të të krishterëve në Amerikë në vitin 2020 nga Barna Group, i cili kryen kërkime në mbarë botën për fenë, 14% ndërruan besimin, 18% shkonin më shumë se në një kishë, 35% shkonin vetëm në një kishë para pandemisë dhe 32% ndaluan së vizituari kishat.

Feja po përballet me të njëjtat probleme me të cilat përballen pronarët e qendrave tregtare dhe zyrave të lira, ndërsa bizneset po zhvillojnë biznesin e tyre online. Për shekuj me radhë fetë kanë grumbulluar pasuri të shumta. Vatikani zotëron mijëra ndërtesa, disa në pjesët më të bukura të Londrës dhe Parisit. Kisha e Scientologjisë zotëron zona magjepsëse në Hollywood që thuhet se vlejnë 400 milionë dollarë, një kështjellë të stilit mesjetar në Afrikën e Jugut dhe një rezidencë të shekullit të 18-të në Sussex, Angli.

Wat Phra Dhammakaya, një tempull në pronësi të sektit më të pasur budist të Tajlandës, krenohet me sallat e meditimit në mbarë botën. Është një mister se sa shumë zotëron Kisha e Jezu Krishtit e njohur më mirë si kisha Mormone; besohet se ka investime amerikane me vlerë 100 miliardë dollarë, duke përfshirë fermat e bagëtive, një park tematik në Hawaii dhe një qendër tregtare pranë Tempullit të Salt Lake në Utah.

Tempujt, sinagogat dhe xhamitë thjesht vështrojnë ndërsa çmimet e pronave vazhdojnë të rriten. Kjo është bërë edhe më jetike me rënien e frekuentimit të fesë dhe diçka e tillë ka reduktuar edhe donacionet. Qindra të tjera mund të shiten ose të mbyllën gjatë viteve të ardhshme, raporton abcnews.al

Edhe në Amerikë, dhjetëra mijëra ndërtesa janë në rrezik të mbylljes së dyerve të tyre përgjithmonë. Gati një e treta e sinagogave amerikane janë mbyllur gjatë dy dekadave të fundit. Kisha e Shën Marisë në Berlin, një strukturë e madhe gotike me tulla të kuqe, rrezikon të mbyllet. Është plot me afreske dhe relieve guri që datojnë shekuj më parë. Megjithatë, stolat janë bosh. Kongregacioni është duke u pakësuar që nga Lufta e Dytë Botërore. Pastori i saj luteran, Gregor Hohberg, tha se të rinjtë kanë ende “nevoja fetare” por i përmbushin ato në klasa joga dhe grupe meditimi.

Publiku, thotë ai, nuk e kupton që kisha mirëpret familjet homoseksuale dhe se shumë pastorë janë gra. At Hohberg thotë se shumica e gjermanëve mendojnë se kisha është vjetërsuar. Ndërkohë, në mbarë botën, kostot e larta të shërbimeve komunale dhe riparimet urgjente po bëhen një pengesë. Kishës së Anglisë i duhen 1 miliard paund – më shumë se shtatë herë të ardhurat e saj vjetore në 2020 për riparime në pesë vitet e ardhshme.

Kishat angleze janë mbyllur në një shkallë alarmante gjatë 30 viteve të fundit. Në Amerikë shpenzimet që lidhen me ndërtesat përbëjnë më shumë se një të katërtën e buxheteve të kishës. Megjithatë, kishat anembanë vendit llogariten të kenë 80% më shumë hapësirë ​​sesa kanë nevojë.

Shumë xhami, veçanërisht në Perëndim, janë gjithashtu në vështirësi financiare. Megjithëse shpesh tërheqin më shumë adhurues se kishat e financuara mirë, buxhetet e tyre vjetore, të vlerësuara në rreth 70,000 dollarë për një xhami në Amerikë, janë shpesh shuma të vogla për t’i ruajtur ndërtesat në gjendje të mirë.

Interneti ka qenë edhe bekim edhe mallkim. Një predikim virtual nga Kryepeshkopi i Canterbury-t në vitin 2020 u dëgjua nga rreth 5 milion njerëz -më shumë se pesëfishi i numrit të vizitorëve javor në kishë në Britani përpara pandemisë. Megjithatë pjesëmarrja online ka një çmim. Nëse besimtarët ndalojnë së vizituari ato, ndërtesat e lashta rrezikojnë të vjetërsohen.

Prandaj grupet fetare po shesin pronat. Besimtarët që kërkojnë një vend në Parajsë po mësojnë të përshtaten duke shitur ose dhënë me qira pasuri të paluajtshme. Dëshmitarët e Jehovait kanë shitur selinë e tyre në Britani. Hillsong, një kishë australiane që pretendon se ka 150,000 adhurues në javë nga 30 vende, merr me qira teatro, kinema dhe vende të tjera për shërbimet e së dielës.

Në vitin 2020, besimtarët e tempullit të famshëm hindu të Venkateswara në Tirumala në shtetin Indian të Andhra Pradesh u cilësuan si “anti-Hindu” pasi u përpoqën të nxirrnin në ankand dhjetëra asete pronash që ishin dhuruar nga anëtarët. Si përfundim, ata hoqën dorë nga ideja. Një qasje tjetër, më radikale, ndaj problemeve të tilla po bëhet më e zakonshme: nëse kisha ku ju shkoni është drejt “falimentimit”, atëherë shkoni në një kishe tjetër.

Tendenca për bashkimin e kishave filloi përpara Covid-it, por ritmi mund të rritet. Nuk nxitet nga teologjia, por nga administrata, pasi buxhetet shtrëngohen ose pastorët largohen. Një konsolidim i tillë po ndodh midis kishave katolike romake, midis sinagogave dhe brenda feve të tjera. Por është veçanërisht e zakonshme në mesin e kishave kryesore protestante të Amerikës.

Si në çdo biznes, kur dy kisha bashkohen, udhëheqësit e tyre mund të kenë konflikte, ndryshimet kulturore mund t’i largojnë anëtarët dhe financat e përbashkëta nuk funksionojnë gjithmonë. Në bashkimin e kishave, më i dobëti ka të ngjarë të humbasë besimtarët. Rreth një e pesta humbin më shumë se 40% të kongregacionit të tyre brenda një viti nga bashkimi i kishave, sipas një sondazhi në 2019.

Por rreth 1,750 kisha protestante me më shumë se 2,000 besimtarë të rregullt dhe buxhete shumëmilionëshe janë krijuar si rezultuar i bashkimeve. Warren Bird, një pastor amerikan tha se bashkimi i kishave është si një martesë e suksesshme. Secili partner duhet të sjellë dhuratën e tij në marrëveshje.

Ekonomistët nuk janë të vetmit që mendojnë se konkurrenca fetare është e shëndetshme. “Nëse do të kishte vetëm një fe në Angli,” tha shkrimtari francez Volteri në vitet 1730, “do të ekzistonte rreziku i despotizmit.

Nëse do të ishin dy, ata do të kishin përplasje me njëri-tjetrin, por janë 30 dhe ata jetojnë në paqe dhe lumturi.”Ndoshta ai ishte tepër sanguin. Por virusi me siguri i ka bërë institucionet perëndimore të marrin në konsideratë asetet e tyre tregtare, si dhe shpirtërore.

Përktheu Sonila Backa-abcnews.al

Artikulli paraprakU bllokuan në makina për shkak të stuhisë së borës, 21 të vdekur në Pakistan
Artikulli tjetërAksident në Kosovë, humbin jetën 2 persona dhe lëndohen 9 të tjerë