Ballina Bota Analiza Bota ruse: Midis bllofit dhe agresionit

Bota ruse: Midis bllofit dhe agresionit

Nga Olesya Yakhnoa “Center for European Policy Analysis

Çfarëdo të ndodhë më pas, çfarëdolloj premtimi të bëjë Kremlini për tërheqjen e trupave, rikthimin në tryezën e bisedimeve, apo edhe diçka në dukje të paimagjinueshme, si pranimi i sovranitetit të fqinjit të tij, Vladimir Putin dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do ta ndalin fushatën e tyre kundër Ukrainës.

Ata thjesht nuk munden, pasi Rusia e Putinit është e magjepsur nga Ukraina. Është një makth i Kremlinit të imagjinojë, se vendi fqinj mund të bëhet një qendër alternative e ndikimit në rajon, dhe që njerëzit e tij mund të përparojnë dhe zhvillojnë demokracinë, në kontrast me regjimin autokratik në vend.

Rusia ka dështuar, si në negociatat me presidentin francez Emmanuel Macron, ashtu edhe në diskutimet në kuadër të Katërshes së Normandisë, për t’i imponuar Ukrainës versionin e saj të Marrëveshjeve të Minskut. Por për shkak se ripërtëritja e agresionit të drejtpërdrejtë do të sillte sanksione më të forta, ajo nuk mund të zgjerojë lehtësisht as pushtimin e saj të vitit 2014.

Atëherë, çfarë do të ndodhë më tej? Putin mund të urdhërojë një pushtim, duke mos u shqetësuar aspak për pasojat. Por nëse ai vendos t’i zvarritë gjërat për të shfrytëzuar momentin e tij në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, ai ka një arsenal të madh të teknikave të luftës hibride, që i ka zhvilluar gjatë viteve të fundit kundër Ukrainës dhe armiqve të tjerë.

Kjo gjë mundëson parashikimin e veprimeve të afërt të Moskës në një periudhë afatshkurtër dhe afatmesme. Së pari do të kemi një shantazh ushtarak të vazhdueshëm. Kjo nënkupton mbajtjen e një numri të madh trupash dhe pajisjeve të tyre pranë kufijve të Ukrainës, në një kohë që mbahen raunde të pafundme “stërvitjesh ushtarake” të paparalajmëruara pranë kufirit.

Së dyti, këto do të ndodhin pa ndonjë kosto. Perëndimi e ka bërë të qartë se sanksionet ndaj Rusisë nisin vetëm kur “kapërcen kufirin ushtari i parë rus”, siç tha kryeministri britanik Boris Johnson. Efekti psikologjik tek liderët ukrainas dhe perëndimorë, është i vetë-kuptueshëm.

Së treti, Moska do të hartojë një listë me operacione speciale, pra akte ushtarake dhe të llojeve të tjera me pasoja shkatërruese, përfshirë sulmet kibernetike, bllokimin e rrjetit ukrainas të transportit në ujërat e Detit të Zi dhe Azov, dhe fushata keq-informuese në lidhje me një “sulm” të afërt konvencional apo kimik nga Ukraina.

Së katërti do të kemi vazhdimin e akuzave nga Putin dhe të tjerët, se Ukraina po kryen një “gjenocid” kundër rusisht-folësve. Pastaj do kemi provokime në Donbas, për të vazhduar narrativën ruse, sipas së cilës Ukraina po vepron “pas shpinës së grave dhe fëmijëve” (synimi nuk është të pushtohet më shumë territor, por të ruhet niveli i urrejtjes ndaj autoriteteve të Kievit).

Së pesti do ketë provokime edhe nga Bjellorusia. Përdorimi i palëve të treta nga Rusia në luftën e saj hibride, u testua në rrugë vitin e kaluar nëpërmes propagandës së diktatorit Alexandr Lukashenko, duke krijuar një krizë emigrantësh në kufijtë midis Bjellorusisë

dhe kufijve lindorë të BE-së dhe NATO-s. Pastaj do ketë sërish një sulm kibernetik kundër rrjeteve të qeverisë ukrainase.

Së gjashti do të synohet të nxiten mosmarrëveshje brenda Ukrainës. Kjo nuk ka të bëjë dhe aq me përpjekjet e Rusisë për të ngjitur në pushtet liderin e saj të preferuar (kjo është e pamundur), por me veprimet që synojnë posaçërisht diskreditimin e autoriteteve ukrainase, me shpresën e dobësimit të demokracisë.

Pastaj janë sigurisht fushatat keq-informuese. Propaganda ruse synon të bllokojë të menduarit në mënyrë racionale, dhe në vend të kësaj të nxisë perceptimin emocional të ngjarjeve nga njerëzit. Kjo mund të arrihet më së miri përmes vizualizimit të dhunës, si dhe përdorimit të gjuhës dhe retorikës për të nxitur zemërimin e popullatës.

Iniciatorët e propagandës fokusohen tek (pseudo)historitë personale të viktimave të luftës, viktimizimi i Rusisë, dhe rusofobia e supozuar e Perëndimit, thashethemet, provokimet, përshkrimet e mizorive në front, si dhe mungesën e qartë të ndonjë analize racionale.

Kuadrot e propagandës, synojnë fillimisht të krijojnë një tolerancë ndaj urrejtjes dhe agresionit, dhe më pas një varësi nga këto emocione. Gjatë gjithë kohës, një pushtim ushtarak në shkallë të gjerë mbetet i mundur, në rast se Putin mendon se ai do të funksiononte në avantazhin e tij.

Për një lëvizje të tillë, ai ka mbështetje brenda Federatës Ruse. Duke qenë se Rusia konsiderohet agresore nga bota e qytetëruar, disa pyesin se çfarë ka për të humbur ky vend. Dhe nëse dikush do të sulmojë, është më mirë ta bëjë këtë me bindje, sesa me gjysmë zemre.

Lufta hibride e Rusisë kundër Ukrainës, është një konfrontim i vazhdueshëm dhe afatgjatë. Dhe siç e tregon lista e gjatë e sulmeve ruse – Krimea, Gjeorgjia, Kazakistani, qyteti i vogël çek i Vrbetice, Berlini, Salisbëri, Londra dhe sulmet e shumta kibernetike – çështja është vetëm nëse Ukraina dhe Perëndimi do t’i kuptojnë dhe eliminojnë dobësitë e tyre. Çdo dobësi perceptohet nga Rusia si një dobësi, dhe çdo dobësi si një mundësi për të krijuar më shumë konflikte. /abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews