Ballina Bota Putin mund ta pushtojë lehtë Ukrainën, por rezistenca guerile do të kthehet...

Putin mund ta pushtojë lehtë Ukrainën, por rezistenca guerile do të kthehet në një makth për të

Nga David Ignatius

“Washington Post”

Bota do të shohë e tmerruar nëse Rusia do ta pushtojë apo jo Ukrainën këtë javë. Por vetëm kaq. Ukraina do të luftojë e vetme, ndërsa tanket ruse do të përparojnë nëpër terrenin e rrafshët dhe të ngrirë. Bombat do të shkatërrojnë objektivat kyçe pranë Kievit dhe qyteteve të tjera; dhe vendi do të shndërrohet në një kasaphanë që nuk është parë në Evropë q ëprej vitit1945.

Nëse kjo do të ndodhë, presidenti rus Vladimir Putin do ta fitojë me shpejtësi fazën fillestare të luftës. Zyrtarët amerikanë besojnë se ushtria e madhe që ka grumbulluar Rusia përgjatë kufijve të Ukrainës ndoshta mund ta pushtojë kryeqytetin Kiev brenda disa ditësh, dhe të kontrollojë gjithë vendin në pak më shumë se një javë.

Por atëherë do të niste beteja e vërtetë e Putinit, pikërisht në momentin që Rusia dhe bashkëpunëtorët e saj ukrainas do të përpiqen të stabilizojnë një vend, qytetarët e të cilit i urrejnë rusët. Nëse qoftë edhe vetëm 10 për qind e 40 milionë banorëve të Ukrainës do të vendosnin t’i rezistonin në mënyrë aktive pushtimit, ata do të organizonin një kryengritje të fuqishme.

Grupime të vogla luftëtarësh të motivuar, e vunë shumë më vështirësi fuqinë dërrmuese ushtarake të Amerikës në Irak dhe Afganistan. Por problemet e Rusisë nuk do të ishin vetëm brenda kufijve të Ukrainës. Ekonomia ruse do të goditej fort nga sanksionet.

Liderët e saj në biznes dhe politikë do të demaskoheshin në skenën ndërkombëtare; ndërsa do të ngrinte një pjesë e mirë e pasurive që kanë grumbulluar Putin dhe miqtë e tij. Lufta në Ukrainë mund të duket në fillim si një fitore e madhe për Putinin, por nuk ka gjasa qëtë ketë një fund të lumtur.

Kur udhëheqësit nisin disa luftëra në thelb të panevojshme dhe pa një përfundim të qartë, ata përballen shpesh me pasoja katastrofike, të cilat nuk i kishin menduar. Për shembull, kujtoni pak pushtimin e Libanit nga kryeministri izraelit Menachem Begin në vitin 1982, akt qëndihmoi në krijimin e Hezbollahut.

Apo pushtimin e Irakut nga presidenti amerikan George W. Bush në vitin 2003, që e destabilizoi Lindjen e Mesme, dhe e bëri Iranin një superfuqi rajonale. Putin do të ishte lideri i fundit që do t’i bashkohej asaj që historiania Barbara Tuchman e përshkroi si “Marshimi i marrëzisë“.

Sipas zyrtarëve të lartë, kundërpërgjigja e presidentit amerikan Joe Biden, mbështetet në tre shtylla. Së pari, ai beson se rendi global i bazuar në rregulla, do të kërcënohej nga një pushtim rus i paprovokuar, dhe se Putini duhet të paguajë një kosto të rëndë në rast se e ndërmerr këtë veprim të paligjshëm.

Së dyti, Biden është i vendosur të shmangë çdo kontakt të drejtpërdrejtë ushtarak midis forcave ruse dhe atyre amerikane, që do të rrezikonte të shkaktonte një luftë bërthamore.

Së treti, ai është i bindur se ashtu si në Luftën e Ftohtë, siguria e Shteteve të Bashkuara dhe miqve të saj evropianë varet nga uniteti dhe forca e aleancës së NATO-s.

Rusia ka mbledhur forcat e duhura për një sulm në shkallë të gjerë. Zyrtarët amerikanë dhe evropianë e përshkruajnë kështu kronologjinë e luftës:Rreth 130.000 trupa luftarake e rrethojnë Ukrainën në tri anët e saj, ndërsa shuma forca të tjera ofrojnë mbështetje.

Kur Shtetet e Bashkuara pushtuan Irakun, me një popullsi dhe sipërfaqe të ngjashme me atë të Ukrainës, ato përdorën një forcë luftarake më të vogël. Forcat tokësore të Rusisë janë vetëm fillimi. Dhjetëra bombardues rusë janë duke ngarkuar në bordin e tyre bomba të një saktësie të lartë. Ndërkohë dhjetëra bateri artilerie janë tashmë gati për të qëlluar, së bashku me dhjetëra bateri raketash.

Njëmbëdhjetë anije amfibe patrullojnë bregun e Detit të Zi, gati për të zbarkuar marinsat rusënë pjesën jugore të Ukrainës. Forcat ajrore janë të përgatitura që të zbarkojnë me parashuta në prapavijë, pranë Kievit, Odesës, Lvivit dhe objektivave të tjerë.

Batalionet e inxhinierëve po përgatiten të ndërtojnë ura përgjatë kryqëzimit të lumenjve të Ukrainës. Ndërkohë, për të qenë gati për çdo ndërhyrje të mundshme të NATO-s, bombarduesit bërthamorë rusë, forcat raketore dhe nëndetëset do të jenë në gatishmëri këtë muaj në një “stërvitje” të planifikuar me nxitim.

Pjesa më e pisët e kësaj lufte do të zhvillohej nga forcat speciale. Në orët para pushtimit, njësitë “Spetsnaz” të GRU dhe ekipet e inteligjencës së FSB-së, mund të merrnin nën kontroll objektivat kyçe në Kiev dhe qytete të tjera, si radiot, televizionet,centralet e energjisë elektrike dhe instalimet qeveritare.

Ndërkohë njësitë e neutralizmit mund të synojnë të vrasin zyrtarë e lartë ukrainas. Rusia do të merrte kontrollin e hapësirës kibernetike,që të bllokonte komunikimin e qeverisë ukrainase me komandantët e saj ushtarakë. Trupat ukrainase mund të dëshironin të luftonin, por do të hasnin shumë vështirësi në koordinimin e veprimeve të tyre me komandantët.

Duke parë hartën, zyrtarët amerikanë mund të parashikojnë se si mund të vazhdojë pushtimi rus. Nga veriu, mijëra trupa ruse janë mbledhur në skajin perëndimor të Rusisë, të gatshme për të kaluar kufirin dhe për të marshuar drejt Kievit, duke i mposhtur forcat ukrainase që janë më të vogla në numër.

Më në perëndim, një numër i ngjashëm trupash ruse ndodhen aktualisht në Bjellorusinë Jugore, gati për një goditje të dytë ndaj Kievit, duke pasur sërish përballë një force ukrainase më të paktë në numër. Luftimet më të përgjakshme mund të ndodhin në Ukrainën Lindore, ku është vendosur gati gjysma e ushtrisë së saj prej rreth 250.000 trupash.

Forcat ruse mund të sulmojnë njëkohësisht nga juglindja, në të gjithë rajonin e Donbasit të kontrolluar nga separatistët edhe nga lindja, afër Kharkivit. Kjo lëvizje mund të përpiqet tarrethojë si në çark ushtrinë ukrainase dhe ta shkatërrojë atë brenda disa javësh.

Një ushtri e bllokuar, dhe përballë një disfate të rëndë, do të nxiste thirrje të dëshpëruara ndërkombëtare për një armëpushim, të cilin Putin ka të ngjarë ta pranonte por vetëm me kushtet e tij. Ndoshta Putini nuk do të vendosë deri në momentin e fundit, se çfarë do të zgjedhë të bëjë.

Udhëheqësit politikë zgjedhin shpesh të presin deri në minutën e fundit për të marrë vendime të tilla, për të ruajtur fleksibilitetin maksimal. Por zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se Putini u ka dërguar tashmë urdhra komandantëve të tij që të përgatiten për një betejë të mundshme që nga mesi i kësaj jave, kur toka në Ukrainën Qendrore do të ketë ngrirë në

një thellësi më shumë sesa 50 cm, gjë që do të lejojë përparimin e shpejtë të tankeveruse.Vendosmëria e pamëshirshme e Putinit kundër Ukrainës, e cila është shpalosur tashmë prej një dekade, është produkt i bindjeve dhe përvojës së tij jetësore. Ai duket se beson vërtet se Rusia është e kërcënuar nga Perëndimi; se ajo ka nevojë për një “zonë tampon” për t’u mbrojtur nga agresioni i huaj si ato që ka pasur për shekuj.

Familja e tij e vuajti shumë rëndë rrethimin e Leningradit nga nazistët në Luftën e Dytë Botërore. Babai i tij u plagos në betejë, dhe pjesën tjetër të jetës e kaloi duke çaluar. Nëna e tij ishte gati dukë vdekur mbi një grumbull kufomash, dhe mbijetoi vetëm sepse dikush arriti të dëgjojë rënkimin e saj.

Kur Putin flet për peshën e historisë ruse, ai e ndjen atë në mënyrë të brendshme. Në ditët në vijim, ne do të shohim një përpjekje të furishme dhe të fundit për të zbuluar atë që diplomatët pëlqejnë ta quajnë shtegun e daljes nga kriza.

Kjo gjë duket e pamundur, duke pasur parasysh të gjithë pajisjet ushtarake në vend dhe refuzimin e NATO-s për të bërë lëshimet që kërkon Putini. Bota do të dridhet nëse fillon sulmi me tanke dhe raketa, ndërsa ne jemi dëshmitarë të një vendi të dobët që mund tëpërballet me një sulm të rrufeshëm.

Thirrjet për një zgjidhje të negociuar do të shtohen. Disa do të propozojnë lëshime të reja për ta qetësuar Putinin. Por pas asaj tronditje globale, do të vijnë valët e zemëratës dhe një kërkesë që Rusia të paguajë një çmim të madh për agresionin e saj. Më pas kjo luftë do të hyjë në “fazën e iriqit”, në të cilën edhe Putini do të ndjejë dhimbje.

@tn.lajmelokale
@tetovanews