Ballina Aktualitet Rajoni “Jetojmë në një botë të çmendur”, Vuçiq i prerë: Të ruhet paqja...

“Jetojmë në një botë të çmendur”, Vuçiq i prerë: Të ruhet paqja në Ballkan me çdo kusht

Lufta në Ukrainë ka sjellë pasoja politike dhe në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pohon se takimet e dialogut me Serbinë në Bruksel janë vështirësuar shumë. Shkak për këtë, sipas tij, është bërë Beogradi që ndryshe nga vendet e tjera të rajonit nuk ka dënuar agresionin e Rusisë.

“Në këtë situata kur ata nuk e kanë kurajën të dënojnë agresionin rus, edhe takimet tona janë vështirësuar shumë”, tha Vuçiç.

Kryeministri Kurti tha se organizimi i takimeve të nivelit të lartë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, varet dhe nga Brukseli. Këto deklarata vijnë në një kohë kur Beogradi pretendon se është angazhuar me çdo kusht në ruajtjen e paqes në Ballkanin Perëndimor. Presidenti Vuçiç në një intervistë për median boshnjake Dnevni Avaz, tha se në botë ka çmenduri mjaftueshëm dhe e konsideroi të tepërt që dhe në rajon të ketë hapësirë për çfarëdo lloj çmendurie.

“Ne heshtim dhe nuk përmendim asgjë sepse njerëzit që do të luanin me deklarata të gabuara në politikë nuk mendojnë se një gjë e gabuar mund të çojë në çmenduri”, tha Vuçiç.

Vuçiç shtoi se të gjithë njerëzit e rajonit presin që Serbia të nxisë lehtësisht një krizë në Ballkan, teksa siguroi se diçka e tillë nuk do të ndodhë. Ai nënvizoi se pasojat do të ishin më të rëndat që nga Lufta e Dytë Botërore dhe paralajmëroi se kriza aktuale do sjellë vështirësi për rajonin duke nisur nga vera deri në dimër.

“Prandaj është e rëndësishme që ne të jemi pranë njëri-tjetrit. Do t’i shihni krahët e Serbisë të shtrirë plotësisht, sepse ne nuk kemi zgjidhur asgjë nëse fqinjët tanë kanë një problem”, tha Vuçiç.

Ai përsëriti edhe njëherë se do të ketë miell dhe grurë për të gjithë rajonin.

@tn.lajmelokale
@tetovanews