Ballina Bota Macron: Kushtet e vendosura nga Putini për armëpushim në Ukrainë, janë të...

Macron: Kushtet e vendosura nga Putini për armëpushim në Ukrainë, janë të papranueshme

“Kushtet e vendosura nga presidenti rus Vladimir Putin për një armëpushim në Ukrainë janë të papranueshme për askënd”. Kështu u shpreh presidenti francez Emmanuel Macron para samitit të liderëve të Bashkimit Evropian në Versajë, ku do të diskutohet pushtimi rus i Ukrainës dhe zgjidhjet për rritjen e çmimeve të energjisë për të pasur sa më pak varësi nga Rusia të gazit dhe naftës.

“Unë nuk shoh një zgjidhje diplomatike në orët e ardhshme apo edhe ditët në vijim. Unë jam padyshim optimist, por duhet të jem edhe realist”, u tha Macron gazetarëve në Versajë.

Më herët Putin zhvilloi një bisedë telefonike me Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Duke folur për kërkesën e Ukrainës për një pranim të shpejtë në BE, Macron u tha gazetarëve: “Me një vend në luftë? Nuk mendoj kështu… A duhet ta mbyllim derën dhe të themi “kurrë”? Kjo do të ishte e padrejtë.”

Presidenti francez tha se lufta në Ukrainë është një “tragjedi … një tragjedi njerëzore, politike dhe humanitare”, por shtoi se do të çojë në ripërcaktimin e plotë të arkitekturës së Evropës.

“Këto janë diskutime strategjike dhe historike. Ato do të çojnë sot, në javët dhe muajt e ardhshëm, vendime historike për Europën tonë”, tha Macron.

Udhëheqësi francez tha se ishte “i shqetësuar” duke parë pamjet nga sulmi vdekjeprurës me bombë në një maternitet në Mariupol në Ukrainën jugore të mërkurën.

Ai tha që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, pati shumë tragjedi të tilla humanitare.

“Armët, thellësisht vdekjeprurëse, pa dallim, po përdoreshin pikërisht në mes të qyteteve”, vazhdoi Macron.

@tn.lajmelokale
@tetovanews