Ballina Bota Nga lufta e Rusisë, ka për të lindur një botë e re

Nga lufta e Rusisë, ka për të lindur një botë e re

Po lind një botë e re. Shpresa për të ndërtuar marrëdhënie paqësore mes vendeve po shuhet. Në vend të saj kemi luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, kërcënimet bërthamore të Armagedonit, perëndimin të mobilizuar, një aleancë autokratësh, sanksione të paprecedenta ekonomike dhe goditja e madhe që po pëson ekonomia botërore nga kriza energjitike dhe ajo ushqimore.

Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë më tej. Por, kjo luftë të krijon përshtypjen e një fatkeqësie. Është e natyrshme të kërkosh fajtorin. Për shumë njerëz, fajtor është zgjerimi i NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore (përfshirë edhe Shqipërinë). Një zë i rëndësishëm kritik ndaj zgjerimit është John Mearsheimer, studiuesi i shquar “realist”, i cili fajëson vendimin e SHBA-ve që i hapi mundësi anëtarësimit të Ukrainës në NATO, në 2008 (ishte koha kur një vit më vonë u anëtarësua Shqipëria kurse Kosova në të njëjtin vit fitoi pavarësinë dhe tani po përdoret si pretekst për luftën në Ukrainë nga Putini). Jam dakord dhe nuk jam dakord. Paqartësia ishte gabim. Oferta duhet të ishte bërë vetëm kur Ukraina të bashkohej si një anëtare e plotë. Por e mbështeta zgjerimin e NATO-s për ish-satelitët rusë, sepse kufijtë e mirë bëjnë fqinjë të mirë.

Rusia e di se nëse pushton një vend anëtar të NATO-s, lufta do të përshkallëzohet. Nuk është fjala për luftën në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse ky sulm dukej opsion i lehtë për despotin e Kremlinit. Pse e nisi luftën Vladimir Putin, përgjigja për këtë është se ai drejton një regjim të dështuar.

Vetëm një perandori mund ta justifikojë sundimin e tij. Ekonomia ruse e varur nga tregtia e mallrave ka rënë shumë, pas asaj të Polonisë. Është kthyer sot në një parajsë qiramarrësish. Qiramarrësit e ekonomisë ruse janë banditë të Putinit dhe “oligarkë” të epokës së Boris Jelcinit. Edhe Ukraina ka dështuar ekonomikisht. Por është demokratike. Për Putinin, ky dallim është i patolerueshëm.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ishin të shumtë ata që shpresuan për një botë që do të udhëhiqej nga një frymë bashkëpunimi, me shkëmbime të dobishme dhe reciproke. Por konflikti i fuqive të mëdha vazhdoi dhe po priste shpërthimin e tij. SHBA u deh nga “momenti i saj unipolar”. Kina u bë më e fuqishme dhe autoritare nën drejtimin e Xi Jinping. Putini përtypi pakënaqësitë e tij, duke pushtuar së fundmi një vend që mendon se e zotëron Rusia. Me këtë luftë botës po i përsëritet historia e Luftës së Parë Botërore. Ishte Austria, partneri më i dobët, jo Gjermania, që e filloi konfliktin. Sot, është Rusia, partneri më i dobët në aleancë me Kinën.

Mbështetja e premtuar e Kinës kërcënon t’i kthejë rreziqet që po krijon lufta e Rusisë, në një katastrofë të vërtetë. Ajo do ta transformonte botën në dy blloqe, me pasoja të kushtueshme ekonomike, por edhe për sa i përket sigurisë. Megjithatë, një Perëndim i mobilizuar është ende shumë më i fortë. Ndikimi i sanksioneve perëndimore po e dëshmon këtë. Një Perëndim i bashkuar e zbeh rolin e Rusisë në të gjitha drejtimet (ekonomike, politike, diplomatike), përveç forcës ushtarake dhe armëve bërthamore. Edhe me Kinën e shtuar, perëndimi është dukshëm më i fuqishëm, përveç numrave (në banorë). Megjithatë, një përplasje afatgjatë midis perëndimit dhe një blloku autoritar të krijuar mes Rusisë dhe Kinës duhet të parandalohet, nëse është e mundur. Sepse do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme për njerëzimin.

Sot, pra, ne po shohim një botë në transformim, nëse marrim parasysh sfidat që kemi përpara.

E thënë shkoqur, duhet t’i jepet fund luftës në Ukrainë, e cila në të njëjtën kohë është një sulm ndaj një vendi paqësor, ndaj një demokracie si dhe ndaj rendit botëror. Kina duhet të gjejë një zgjidhje sesi të ndihmojë në nxjerrjen e Rusisë nga moçalja e saj. Nuk është e vështirë të kuptosh pse ajo po e mbështet aktualisht Putinin. Ndër të tjera, udhëheqësit e saj me siguri ndajnë përbuzjen (me Putinin) për demokracitë. Megjithatë, mbi këto pikëpamje dalluese bëhen gabime të mëdha. Siç edhe na ka treguar shpesh historia, shoqëritë e lira janë më të fuqishme, pasi vetëm ato mobilizohen, ngaqë gëzojnë mbështetjen e popullit të tyre.

Është gjithashtu me shumë rëndësi të menaxhohet kriza e ardhshme ekonomike. Lufta po godet ofertën në treg të mallrave dhe po çon në rritjen e inflacionit që është duke destabilizuar ekonomitë e mbarë botës, siç ndodhi në vitet 1970. Paqëndrueshmëria financiare duket po aq e mundshme. Prandaj, autoritetet monetare nuk mund të injorojnë inflacionin në rritje. Pra, qeveritë do të duhet të përdorin mbështetje fiskale për të ndihmuar të pambrojturit nga kriza.

Për më tepër, perëndimi duhet të përforcojë mbrojtjen e tij, në të gjitha frontet – ushtarake, energjetike, kibernetike dhe ekonomike. Është e pashmangshme, mjerisht, që në një konflikt me degëzime kaq të mëdha, kërkesat rreth sigurisë të jenë të parat. Kjo nuk është një botë që do të dëshironin njerëzit e arsyeshëm. Por është bota, në të cilin jetojmë. Është jetike që BE-ja të bëhet një fuqi e vërtetë rreth çështjeve të sigurisë. Ajo posedon mjaftueshëm potencial ekonomik dhe demografik, për të gjetur një ekuilibër të ri që kërkohet me Rusinë. Mbretëria e Bashkuar, pas Brexit duhet të përfshihet sa më tepër që të jetë e mundur. SHBA-ja ka nevojë për një ndihmë të tillë nga Evropa, pasi duhet të merret edhe me shqetësimet që po i shkakton Kina e Xi-ut.

Pavarësisht këtyre nevojave urgjente, duhet të përpiqemi të mos braktisim gjithçka që kemi arritur në tri dekadat e fundit. Nuk jemi në luftë me rusët e zakonshëm dhe as me popullin kinez, që edhe ata shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Përkundrazi, në terma afat-gjatë ata mund të bëhen edhe aleatët tanë. Sanksionet duhet të shtrihen, aq sa është e mundur. E ardhmja e tregtisë dhe e shkëmbimeve të tjera mes vendeve do të varen, megjithatë, nga mënyra se si – dhe jo më pak, pas sa kohësh – do të përfundojë kjo krizë.

Jo më pak e parëndësishme, nuk duhet të harrojmë as disa shqetësime të tjera të mëdha për popujt e mbarë botës – si mjedisi global, administrimi i pandemive, zhvillimi ekonomik dhe vetë paqja. Nuk mund të mbijetojmë pa një bashkëpunim, edhe nëse çmenduria e Putinit vërteton atë, që është thënë, se kjo nuk është një botë, në të cilën mund të jetojmë me siguri të plotë. Siç po tregojnë kërcënimet e tij bërthamore. Pas betejës së Austerlitz-it në vitin 1805, Uilliam Pitt i Riu parashikoi rishikimin e hartës [së Evropës]; kur tha se “ajo nuk do të duhet këto 10 vjet”.

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës e ka transformuar thuajse njësoj hartën e botës. Një periudhë e zgjatur stagflacioni shihet si më e sigurt, që potencialisht do të shkaktojë efekte të mëdha në tregjet financiare. Në terma afatgjatë, shfaqja e dy blloqeve me ndasi të mëdha mes tyre është e mundshme, siç është një kthim i përshpejtuar i globalizimit dhe sakrifikimi i interesave të biznesit ndaj gjeopolitikës. Edhe lufta bërthamore nuk është, mjerisht, e paimagjinueshme siç ishte më parë. Prandaj, lutuni ndaj Moskës që të ndodhë një mrekulli. Pa një mrekulli, siç po paraqitet bota sot, rrugëtimi do të jetë i gjatë por edhe i vështirë.

Financial Times

@tn.lajmelokale
@tetovanews