Ballina Bota SKENARËT: Si mund të arrihet sa më shpejt paqja me Putinin

SKENARËT: Si mund të arrihet sa më shpejt paqja me Putinin

Nga Thomas Graham & Rajan Menon “Foreign Affairs”

Çfarë kushtesh duhet të pranojë Ukraina, për t’i dhënë fund luftës së paprovokuar dhe të pajustifikueshme të Rusisë? Disa mund ta konsiderojnë këtë një pyetje të paturpshme. Në një luftë midis demokracisë dhe autokracisë, ose midis së mirës dhe së keqes, e mbrojtshme është vetëm paqja e fitimtarit të drejtë.

Në këtë këndvështrim, pyetja e duhur është se çfarë duhet t`i imponojnë Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj, para së gjithash Ukraina, Rusisë si një ndëshkim për agresionin e saj skandaloz. Në realitet, një fitore e kënaqshme në terren ka të ngjarë të mos arrihet, ose të paktën tani për tani.

Presidenti rus Vladimir Putin ka hasur në një rezistencë të paparashikuar dhe shumë të ashpër nga ukrainasit, si dhe është përballur me sanksione të ashpra nga një Perëndim i unifikuar befas, por asgjë nuk sugjeron se ai do të tërhiqet nga plani i tij. Përkundrazi, ai i ka përshkallëzuar veprimet ushtarake.

Ushtria e tij po synon gjithnjë e më shumë civilët, sidomos në qytetet e mëdha. Ndërsa rritet numri i të vdekurve, shkalla e shkatërrimeve dhe rreziku i një konflikti të zgjeruar, prioritet duhet të jetë fundi i vuajtjeve. Dhe kjo gjë mund të arrihet vetëm përmes angazhimit diplomatik që prodhon një zgjidhje politike.

Sfida e parë dhe më urgjente është ndërmjetësimi i një armëpushimi, dhe ofrimi i ndihmës humanitare për refugjatët, brenda dhe jashtë Ukrainës. E dyta është të negociohet për t’i dhënë fund luftës. Një armëpushim do të krijonte kushtet për një diplomaci më të frytshme. Por bisedimet, si ato që po zhvillohen tani midis ukrainasve dhe rusëve, duhet të vazhdojnë edhe nëse rezultojnë për momentin të pafrytshme.

Sido që të shkojnë gjërat, ushtria ruse do të pushtojë një territor të konsiderueshëm: me siguri Krimenë, por edhe pjesë të Ukrainës Veriore, verilindore dhe lindore, duke përfshirë një korridor tokësor që lidh Krimenë me Rusinë, dhe territorin në veri të gadishullit.

Ukraina dhe Perëndimi do të duhet të përcaktojnë se çfarë kompromisesh mund të pranojnë për të nxitur Putinin ta ndalë luftën dhe të tërheqë forcat e tij. Çmilitarizimi i Ukrainës ose futja e këtij vendi në sferën ruse të ndikimit, siç kërkon Moska, do të ishte i papranueshëm. Por pa një zbutje të tillë, Kievi dhe partnerët e tij, duhet të diskutojnë tani se sa janë të gatshëm të pranojnë. Në një marrëveshje përfundimtare, oferta e Kievit për t’iu bashkuar NATO-s, ndoshta, zgjerimi i mëtejshëm i aleancës në hapësirën ish-sovjetike, ka të ngjarë të përjashtohet.

Por nga ana tjetër Rusia do të detyrohet të pranojë që një Ukrainë neutrale, do të ruajë lidhje të ngushta me Perëndimin në aspektin e sigurisë. Po ashtu marrëveshja duhet të përfshijë gjithashtu planet që Rusia të kontribuojë në koston e rindërtimit të Ukrainës dhe në referendumet për të zgjidhur të ardhmen politike të Krimesë dhe “republikave” të Donbasit.

Nga ana e tij Perëndimi, duhet të sqarojë rrethanat në të cilat është i përgatitur të heqë sanksionet që ka vendosur aktualisht ndaj Rusisë. Asnjëra nga palët nuk do të jetë e kënaqur me të gjitha aspektet e zgjidhjes përfundimtare. Por pa kompromise të vështira, lufta mund të mos përfundojë së afërmi.
Nuk ka asnjë rrugë të qartë për një fitore të hershme dhe vendimtare ndaj Rusisë. SHBA dhe aleatët e tyre, e kanë hedhur poshtë mundësinë e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë ushtarake për të mbrojtur Ukrainën, duke pasur parasysh rrezikun që ajo mund të shkaktojë një luftë bërthamore.

Armët perëndimore që shkojnë në Ukrainë do të shtojnë më tej humbjet tashmë të konsiderueshme të Rusisë në ushtarë dhe armatime. Por Putini duket i përgatitur që ta pranojë këtë kosto, nëse kjo është e nevojshme për të nënshtruar ushtrinë ukrainase.

Putin e filloi këtë luftë, por rrëzimi i tij nga pushteti nuk do t’i jepte automatikisht fund asaj. Një kryengritje popullore në Rusi që e rrëzon nga pushteti nuk ka gjasa të ndodhë. Shteti rus zotëron mjete të frikshme represioni, dhe e ka treguar gatishmërinë e tij për t’i përdorur ato.

Në rastin e një grushti shteti brenda Kremlinit, një udhëheqës i ri mund të ishte më i gatshëm për të biseduar, por vështirë se do të ishte i interesuar të dorëzohej, duke pasur parasysh rreziqet që do të sillte ky akt për vazhdimësinë e qëndrimit në pushtet.

Ka pak arsye për të menduar se ndryshimi i regjimit i nxitur nga jashtë, do të prodhonte një rezultat pozitiv. Ata që e mbrojnë këtë rrugë supozojnë një nga dy skenarët:shfaqjen e një autokrati të ri që është i gatshëm t’i japë fund luftës pa fitore, ose akoma më mirë, protesta të mëdha popullore që në fund çojnë drejt një Rusie demokratike.

Por ata anashkalojnë një rezultat të tretë, i cili s’mund të përjashtohet: as sanksionet e ashpra ndëshkuese nuk do t’i japin shumë shpejt fund luftës aktuale. Të dhënat historike, tregojnë

se sanksionet kërkojnë një kohë të gjatë për të ndikuar në llogaritjet që bën shteti i shënjestruar. Madje në disa raste nuk ndikojnë fare, si për shembull në rastin e Koresë së Veriut.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë, nuk kanë luksin të presin të zbulojnë se edhe sa kohë Kremlini mund të përballojë kostot e luftës së tij. Ata po i afrohen me shpejtësi kufirit të sanksioneve që mund të vendosin, pa vuajtur vetë pasojat ekonomike. Çmimet e gazit po rriten, po ashtu edhe kostoja e grurit (si Rusia ashtu edhe Ukraina janë eksportuesit kryesorë në botë). Inflacioni, tashmë i lartë, pritet të rritet më tej, ndërsa do të bien ritmet e rritjes ekonomike, duke sjellë rrezikun e stagflacionit si ne vitet 1970.

Zgjatja e mëtejshme e ofensivës ruse do të sillte vdekjen e shumë më tepër ukrainasve të pafajshëm, dhe do t’i shkaktojë dëme të mëtejshme ekonomike Ukrainës, që do të kërkojnë vite, ndoshta edhe dekada për t’u riparuar. Dhe kjo do të rrisë shanset e përhapjes së luftës përtej Ukrainës, duke i tërhequr Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s në një konfrontim të armatosur me Rusinë.

Edhe pse Ukraina dhe mbështetësit e saj perëndimorë nuk janë në gjendje ta mposhtin Rusinë në ndonjë shkallë të arsyeshme kohore, ata kanë fuqi për të nxitur negociatat. Natyrisht është e drejta e ukrainasve, që të vendosin kushtet e pranueshme për t’i dhënë fund rezistencës së tyre të armatosur ndaj agresionit rus.

Por negociatat nuk duhet të kufizohen vetëm tek Ukraina dhe Rusia, pasi çdo zgjidhje për krizën do të duhet të trajtojë jo vetëm orientimin gjeopolitik të Ukrainës, por edhe shqetësimet më të gjera të Moskës mbi arkitekturën evropiane të sigurisë.

Dhe për këto diskutime, Rusia nuk do të pranojë asnjë bashkëbisedues tjetër përveç Shteteve të Bashkuara, i vetmi vend me fuqi të mjaftueshme ushtarake për të ndryshuar ekuilibrin e fuqisë në kontinent, dhe për të vepruar si një garante e një zgjidhjeje përfundimtare.

Kushtet përfundimtare të një marrëveshjeje, do të varen nga zhvillimet e luftës në terren. Pozicionet në fushën e betejës dhe kushtet ekonomike dhe politike brenda Rusisë, Ukrainës dhe Perëndimit do të ndikojnë që të gjitha në ritmin dhe rezultatet e bisedimeve.

Rusia dhe Ukraina mund të përgatiten për të bërë lëshimet e nevojshme, vetëm kur të dyja të arrijnë në përfundimin se kostot e luftimeve të vazhdueshme, i tejkalojnë sakrificat që do të kërkojë një zgjidhje diplomatike. Asnjëra nga palët nuk ka arritur ende në atë fazë.

Por duke pasur parasysh brutalitetin e konfliktit, humbjet në rritje nga të dyja palët dhe kushtet e brishta socio-ekonomike në Perëndim, kjo kohë mund të vijë më shpejt se sa pritej.

Një zgjidhje e qëndrueshme do të duhet të balancojë interesat e të gjitha palëve në konflikt. Ajo mund të mos duket si fitorja që dëshirojnë shumë njerëz në Perëndim dhe Ukrainë. Por një kompromis që ruan një Ukrainë të pavarur dhe me mjetet për të mbrojtur veten, duhet të konsiderohet si një sukses i madh.

Mos harroni se Perëndimi e fitoi dikur Luftën e Ftohtë jo me një goditje të vetme, por përmes një sërë hapash, duke përfshirë kur është e nevojshme, edhe kompromiset me Moskën për të shmangur luftën. Rezultati ishte akumulimi i vazhdueshëm i avantazheve gjatë 40 viteve. Kjo është qasja që duhet të adoptojë edhe sot Perëndimi. /Përktheu: abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews