Ballina Bota Synimet e Rusisë kanë ndryshuar, pse Donbas është bërë sërish objektivi i...

Synimet e Rusisë kanë ndryshuar, pse Donbas është bërë sërish objektivi i luftimeve në Ukrainë

The Economist

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Synimet e Rusisë në Ukrainë kanë ndryshuar. Pasi Putin urdhëroi pushtimin  më 24 shkurt, forcat ruse përparuan shumë shpejt në Kiev, por  u penguan nga rezistenca e fortë ukrainase.  Që atëherë trupat rusë janë tërhequr; Rusia thotë se qëllimi i saj i luftës tani është “çlirimi” i Donbasit në Ukrainën lindore.

Disa mendojnë se Vladimir Putin, presidenti i Rusisë, dëshiron ta bëjë këtë deri në Ditën e Fitores më 9 maj, datë që përkujton dorëzimin e Gjermanisë naziste në vitin 1945. Donetsk dhe Luhansk, pjesë e Donbasit, që nga viti 2014 kontrollohen nga separatistët,  në fakt nga Rusia.

Para fillimit të luftës në shkurt, Rusia kontrollonte një të tretën e territorit.

Pse Rusia dëshiron të ketë në kontroll rajonin?

Tensioni ushtarak rreth Ukrainës daton që nga “Revolucioni Maidan” në shkurt 2014,  kur Viktor Janukoviç, presidenti i Ukrainës i mbështetur nga Rusia, u largua nga Kievi pas disa muajsh protestash. Rusia u kundërpërgjigj duke aneksuar Krimenë, në mars. Në prill, shpërthyen luftimet në Ukrainën lindore, ku një grup milicish filloi të sulmonte ndërtesat qeveritare në Donetsk dhe Luhansk.

Këto grupe, të cilat ishin pothuajse të përbëra nga vendas të pakënaqur dhe simpatizues nga vende të tjera në Ukrainë, shpallën pavarësinë në maj 2014 si Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut, raporton abcnews.al.

Së bashku, këto e cilësuan veten si “Novorossiya” (Rusia e Re) – një term i përdorur për territorin jugor të Ukrainës të pushtuar nga perandoria ruse në shekullin e 18-të. Forcat ukrainase u treguan të gatshme për të rimarrë territoret e kontrolluara nga separatistët. Por trupat rusë u futën  përtej kufirit, duke zmbrapsur forcat ukrainase.

Një marrëveshje paqeje midis Ukrainës, Rusisë dhe separatistëve i dha fund luftimeve. Por kjo marrëveshje, e njohur si Minsk I, u prish shumë shpejt. Deri në janar 2015, luftimet në shkallë të gjerë shpërthyen sërish.

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel dhe presidenti i Francës, François Hollande, ndërhynë për të rivendosur armëpushimin, duke ndërmjetësuar një “Paketë Masash për Zbatimin e Marrëveshjeve të Minskut”, të njohur si Minsk II.

Një pjesë  e madhe e Donbasit ishte në kontrollin e separatistëve. Pavarësisht pranisë së vëzhguesve të huaj për të monitoruar armëpushimin, armëpushimi kurrë nuk u zbatua plotësisht. Më shumë se 14,000 njerëz u vranë midis 2014 dhe 2021. Në shkurt, në prag të pushtimit, Putin njohu Donetsk dhe Luhansk si entitete të pavarura.

Rusia ka shpërndarë qindra mijëra pasaporta për banorët e Donbasit, shumë prej të cilëve votuan vitin e kaluar në zgjedhjet parlamentare të Rusisë. Tani Rusia ka hequr dorë nga pushtimi apo marrja në kontroll e të gjithë Ukrainës dhe është përqëndruar në lindje të vendit, raporton abcnews.al.

“Duket sikur ata do të sulmojnë frontalisht forcat ukrainase për t’i larguar nga Donbasi,” sipas Michael Kofman i CNA, një institut. Kjo do të nënkuptonte avancimin në jug nga Izyum, në veri nga Mariupol dhe në zona si Severodonetsk, ku forcat ukrainase janë bllokuar momentalisht.

Përparimi i forcave rusë në Donbas nënkupton se forcat ajrore ruse duhet të jenë më forta se sa ishin rreth Kievit dhe mbrojtja ajrore e Ukrainës duhet të jetë më e fortë. Por ajo ende duhet të luftojë me forcat ukrainase që po armatosen nga Perëndimi.

Sfida e Putinit duhet të jetë rraskapitja e ushtrisë së Ukrainës përpara se ushtarët e tij të humbasin vullnetin për luftuar.

/abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews