Ballina Bota BE na e mbylli derën/ Samiti i Këshillit Evropian i bllokuar për...

BE na e mbylli derën/ Samiti i Këshillit Evropian i bllokuar për shkak të vetos së Bullgarisë

Edhe njëherë tjetër zhvillimet në Bullgaria ia lidhën duart udhëheqësve të BE-së, për ti thënë ‘PO’ çeljes së mbledhjes së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, në samitin e Këshillit Europian.

Vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut nuk u hoq, madje prodhoi një krizë të fortë politike duke rrëzuar qeverinë e kryeministrit Kiril Petkov.

Nga Brukseli ish kryeministri i shkarkuar Petkov shpjegoi vështirësinë ku u ndodh vendi i tij, në heqjen e vetos vendosur Maqedonisë së Veriut në 2020, si pasojë e përplasjes për çështje historike e gjuhësore mes Sofies dhe Shkupit.

Petkov: Nuk kishte asnjë shans që Bullgaria të hiqte veton ndaj Maqedonisë së Veriut gjatë këtij samiti të BE-së. Një zgjidhje mund të jetë e afërt në ditët në vijim. Parlamenti ynë duhet të miratojë një rezolutë që lejon heqjen e vetos, bazuar në miratimin e propozimit të Presidencës franceze. Personalisht më pëlqen propozimi francez, por nuk më takon mua të marr vendime. Duhet të jetë parlamenti bullgar që i hap dritën jeshile heqjen e vetos.

Ish kryeministri Petkov la të kuptohet frikën e partive politike bullgare përballë elektoratit të tyre në heqjen e vetos.

Petkov: Asnjë parti politike në Bullgari nuk dëshiron të humbasë fytyrën përpara zgjedhjeve të parakohshme. Me votën e katërt në pak më shumë se një vit që ka të ngjarë të ndodhë në shtator, heqja e vetos nuk do t’i përshtatej elektoratit, i cili kryesisht e mbështet atë.

Kosova vijon të trokasë në dyert e Brukselit për liberalizimin e Vizave por edhe në këtë samit evropian kjo nuk ndodhi.

Vjosa Osmani presidente e Kosovës, zhvilloi një takim të shkurtër me presidentin Francez Emanuel Makron, vendi të cilit mban presidencën Franceze.

Propozimi francez, që iu dorëzua pak kohë më parë Bullgarisë përmban pesë pika. Shkupi duhet të konfirmojë para OKB-së se nuk ka pretendimet territoriale ndaj Bullgarisë, se do të përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutë, se do të rehabilitojë viktimat nga komunizmi jugosllav, reprezaljet në territorin e saj për shkak të përkatësisë së tyre etnike bullgare, harmonizimin e teksteve shkollore në përputhje me punën e komisioneve të historisë, heqjen e të gjitha tabelave që përhapin gjuhën e urrejtjes ndaj bullgarëve dhe Bullgarisë. Pika më delikate lidhet me gjuhën. Bullgaria e konsideron maqedonishten dialekt të saj, ndërsa Shkupi e quan gjuhë më vete. Franca propozon që kjo përplasje të zgjidhet në një moment të dytë.

Por ky propozim që ofron zgjidhje për heqjen e vetos bullgare duket se po kthehet në boomerang për Shkupin. Kryetarja partisë Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë, Maja Moraçanin e cila është pjesë e koalicionit qeverisës vlerëson se propozimi francez, nuk është i pranueshëm për ne.

Moraçanin theksoi se nuk është një zgjidhje e pranueshme dhe nuk ofron mundësinë që përfundimisht, pas 17 vitesh statusi kandidat, të fillojë negociatat me BE-në. Mbetem e mendimit deklaroi ajo se çështjet e hapura me Bullgarinë duhet të zgjidhen në mënyrë bilaterale dhe nuk duhet të jenë arsye për bllokimin e proceseve integruese evropiane./Top Channel

Artikulli paraprakPOLITIKA LINDORE (OSTPOLITIK)
Artikulli tjetërNga viti 2023, për të hyrë në Europë duhet paguar