Ballina Aktualitet Opinione KUSH E FAVORIZOI SERBINË DHE PËRSE!?

KUSH E FAVORIZOI SERBINË DHE PËRSE!?

Nga Xhelal Zejneli

Gjermania është ekonomia kryesor e Evropës. Është partnerja kryesore e tregtisë së jashtme e Serbisë dhe tregu kryesor për produktet serbe. Ajo është një prej investuesve më të mëdhenj në Serbi. 

Për 10 vitet e fundit, d.m.th. deri në vitin 2021, kompanitë gjermane kanë investuar në Serbi rreth 3,12 miliardë euro. Kanë investuar në çeljen e fabrikave si dhe në prodhim. Deri në vitin 2021, në to janë punësuar 48.454 punëtorë. Vetëm në një kompani, kanë investuar mbi 600 milionë euro. Çelja e fabrikës së kompanisë “Continental Automotiv Srbija” në mars të vitit 2021 në Novi-Sad. Investimin më të madh e ka bërë kompania farmaceutike “Stada”, me vlerë 698 milionë euro. Deri në vitin 2021, në fabrikat e kompanisë “Stada” në mbarë Serbinë janë punësuar gjithsej 2.870 punëtorë. Më së shumti investojnë në auto-industri apo në industrinë automobilistike. Pason kompania “Henkel Merima” nga lëmi i industrisë kimike, me vlerë 313,3 milionë euro me 608 të punësuar; Zinxhiri tregtar i shitjes me pakicë “Lidl”, në të cilin janë investuar 275 milionë euro dhe janë punësuar 2.905 punëtorë; fabrika e pjesëve automobilistike ZF, me vlerë prej 195 milionë euro në të cilën janë punësuar 1.281 punëtorë. Investues më të mëdhenj janë kompanitë gjermane të lëmit të auto-industrisë apo të industrisë automobilistike, siç janë “Continental”, në të cilën janë investuar 190 milionë euro me 1903 të punësuar; “Brose” me vlerë prej 180,3 milionë euro, në të cilën janë punësuar 1.100  punëtorë dhe “Leoni AG” në të cilën janë investuar 150 milionë euro dhe e cila ka punësuar numër më të madh punëtorësh – 12.940; zinxhiri tregtar “Metro Cash&Carry” në të cilin janë investuar 142 milionë euro dhe janë punësuar 1.201 punëtorë; kompania “Meser” me vlerë 119 milionë euro, në të cilën janë punësuar 335 punëtorë; dhe “MTU” nga lëmi i avio-industrisë apo industrisë së avionëve me vlerë 100,9 milionë euro me 440 të punësuar.

Investimet e firmave gjermane në Serbi, në miliona euro: në vitin 2015 – 72,4; më 2016 – 179,6; më 2017 – 185,4; më 2018 – 263,3; më 2019 – 335,8; më 2020 – 331,9 milionë euro. Në tre muajt e parë të vitit 2021, investimet janë shtuar edhe për 42.1 milionë euro. 

Prej vitit 2010 deri në mars të vitit 2021, të hyrat mbi bazën e investimeve të rezidentëve gjermanë në Serbi kanë qenë rreth 1,9 miliardë euro. Matur me këtë metodologji, Gjermania ka qenë në vendin e pestë të listës së vendeve me investime më të mëdha në periudhën e sipërthënë. Prej vitit 2018, investimet janë shtuar me të madhe, pa u reduktuar as në vitin e krizës nga Covid-19.          

*   *   *

Sipas Beogradit, vizita e kancelares gjermane Angela Merkel në Beograd, më 13.09.2021, është një sinjal i mirë për vazhdimin e ardhjes së investuesve gjermanë në Serbi. Pas vizitës së saj, investimet gjermane në Serbi u dyfishuan. 

Në Serbi ushtrojnë veprimtari ekonomike mbi 1.000 kompani dhe rreth 200 sipërmarrës me shumicë kapitali gjerman, të cilat punësojnë rreth 80.000 qytetarë të Serbisë. Kur të analizohen të gjitha ndërmarrjet të cilat janë furnitorë të kompanive gjermane në serbi, si dhe ato që marrin pjesë në raportet afariste me to, atëherë bëhet fjalë për 650.000 të punësuar të cilët janë të lidhur tërthorazi me firmat gjermane. Që nga viti 2010, Gjermani ka investuar në Serbi rreth tre miliardë euro. Është investuar në industrinë e përpunimit, në industrinë automobilistike, përfshi prodhimin e pjesëve automobilistike, në industrinë kimike dhe ushqimore etj. Investime gjermane në Serbi, parashikohen edhe në lëmenjtë e përkufizuar me Strategjinë e specializimit të mençur, në agrobiznes, industrinë automobilistike, IT, energjetikë, ekonominë cirkulare, trajtimin e hedhurinave etj. Në vitin 2021, shkëmbimi tregtar i jashtëm ndërmjet Gjermanisë dhe Serbisë ka qenë 6.5 miliardë euro. Prej tyre, Serbia ka importuar nga Gjermania mallra në shumë prej 3.8 miliardë euro, ndërsa ka eksportuar në Gjermani mallra në shumë prej 2.7 miliardë euro.

Gjatë qershorit të vitit në vazhdim, parashikohen takime afariste të kompanive gjermane dhe atyre serbe në lëmin e industrisë së përpunimit të metaleve dhe në industrinë e automjeteve. Sipas Beogradit, investimet gjermane në Serbi mund të shkojnë deri në 10 miliardë euro, ndërsa numri i të punësuarve në kompanitë gjermane në Serbi mund të arrijë në 100.000.  

*   *   *

S’ka dyshim se kompanitë private gjermane nuk varen nga shteti. Ato investojnë aty ku kanë leverdi. Por, është shteti ai i cili me politikën e tij u krijon atyre klimë të volitshme për të investuar në një vend të caktuar. 

Investimet gjermane në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë shumë më të vogla se në Serbi. Si është e mundur të bëhen gjithë këto investime gjermane, në një Serbi:

   – që është përçuese e interesit rus në rajon;

– që i përket zonës ruse të interesit;

– që i përket sferës ruse të ndikimit,

– që e sjell Kinën në rajon;

– që armatoset me armë ruse dhe kineze;

– rrezikon paqen në rajon; 

– që s’e njeh pavarësinë e Kosovës, sovranitetin e saj dhe tërësinë tokësore të saj;

– që ka krijuar një kolonë të pestë proserbe në Mal të Zi;

– që mbështet politikën secesioniste të Republikës Serbe, duke destabilizuar Bosnjën dhe Hercegovinën;

– që ka pretendime territoriale ndaj Kroacisë;

– që për politikën e vet destruktive, luftënxitëse dhe destabilizuese e ka mbështetjen e Putinit; 

– që nuk i vë sanksione Rusisë, sikur pothuajse të gjitha vendet e Evropës.

*    *   *

Para ca ditësh, Kisha Ortodokse fashiste Serbe e njohu autoqefalinë e Kishës Ortodokse Maqedonase. Kjo njohje erdhi mu në çastin kur Bullgaria e kushtëzoi çeljen e negociatave të BE-së me Shkupin, duke thënë se s’ka gjuhë maqedonase, s’ka histori maqedonase, rrjedhimisht s’ka as komb maqedonas. Kjo njohje e kishës serbe për kishën maqedonase erdhi në çastin kur Sofja e përsëriti qëndrimin e saj sipas së cilës maqedonasit janë popull pa identitet. Me këtë akt të kishës serbe, Beogradi dëshiron të tregojë se maqedonasit janë proserbë dhe jo bullgarë apo probullgarë.        

*   *   *

Lidhur me investimet gjermane dhe perëndimore në Serbi, duhej të kishin reaguar, si Prishtina, ashtu edhe Tirana. Po del se udhëheqësit politikë të Shqipërisë dhe të Kosovës, lidhur me këtë paskan ndenjur indiferentë. 

Për vonesat dhe ngecjet, shqiptarët duhet ta kërkojnë fajin edhe në vetvete. Shrkimtari dhe filozofi francez Zhan-Pol Sartrë (Jean-Paul Sartre, 1905-1980) thotë: “Njeriu vetë është fajtor për fatkeqësinë e vet”. Udhëheqësit politikë shqiptarë, që nga viti 1991 e deri më sot, përkatësisht që nga viti 2008 e deri më sot, kacafyten me njëri-tjetrin, si në asnjë vend të rajonit. Shtetin nuk mund ta udhëheqin politikanë të pasuruar brenda nate dhe me hipotekë mbi shpinë.  Investuesit e huaj nuk vijnë në një mjedis të tillë. Pa investime gjermane apo perëndimore të mirëfillta, rinisë shqiptare s’do t’i mbetet tjetër pos të shpërngulet për në Gjermani. Trojet shqiptare do të mbeten pa fuqi punëtore, prodhuese, riprodhuese, mbrojtëse. 

*   *   *

Më 29 dhjetor 2011, erdhi për një vizitë triorëshe në Kosovë, kancelarja gjermane Angela Merkel. U prit nga HashimThaçi. Gjatë kësaj vizite ajo i vizitoi edhe ushtarët gjermanë të stacionuar në Kosovë.    

Presidenti i Francës, Emanyel Makronin (Emmanuel Macron) që më 15 korrik 2019 të shkojë në Serbi për një vizitë dyditëshe. Me këtë rast, Makroni nuk e kishte përfshirë në agjendën e vet, një vizitë edhe në Kosovën demokratike, paqeruajtëse dhe stabilizuese.  

Më 13 shtator 2021, shkon për një vizitë dyditore në Serbi edhe kancelarja gjermane Angela Merkel. Më 14 shator 2021, ajo vajti edhe në Tiranë, por Kosovën e anashkaloi.  

Si është e mundur që këta dy liderë të dy Fuqive të Mëdha të kontinentit, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta anashkalojnë Prishtinën!? E pafalshme.

Që nga vizitat e sipërthëna të dy liderëve kryesorë të BE-së në Beograd, Serbia jo vetëm që nuk e zbuti qëndrimin e saj ndaj Kosovës, por përkundrazi, i trimëruar dhe i nxitur nga Putini, akoma më shumë e radikalizoi. Fuqitë perëndimore ndërkaq, heshtën. E pabesueshme! 

Rrumbullakimi i shtetësisë së Kosovës duhet të jetë në maje të agjendës së Berlinit (dhe të Parisit), pavarësisht nga agresioni rus në Ukrainë. Domethënë pa u ndërlidhur me luftën në Ukrainë.  

Më 10 qershor 2022, Kosovën e vizitoi kancelari gjerman Olaf Sholc (Olaf Scholz, 1958-). E priti kryeministri Albin Kurti. Sholci deklaroi në Prishtinë se marrëveshja me Serbinë duhet ta zgjidhë edhe njohjen e Kosovës. Me fjalë të tjera, njohja e pavarësisë së Kosovës, është conditio sine qua non për integrimin e Serbisë në BE

Vuçiqi në Beograd ia ktheu: “Një gjë të këtillë, prej amerikanëve e kam dëgjuar. Prej BE-së e dëgjoj për herë të parë”.  

A nuk e shohin Fuqitë e Mëdha të Perëndimit se kryetari i Serbisë, Vuçiqi, është dhelpër dinake dhe mashtrues i dorës së parë. Ku e merr forcën ky mashtrues dinak i një vendi të vogël si Serbia, të pretendojë të ketë një koloni sa Kosova!? Ky mashtrues, ministër në kohën e Millosheviqit, e ka vendin në Hagë ku të gjykohet për krime lufte. Ky duhet të izolohet nga perëndimorët njësoj si antishqiptarët e përbetuar Putini dhe Sergej Lavrovi. Ku e merr forcën Vuçiqi t’i thotë mysafirit gjerman në Beograd, kancelarit Olaf Sholc: ”Në vitin 1999, ju na keni bombarduar, ndërsa Rusia përkitazi me Kosovën, na mbron në OKB”.

Qëndrimi i deritashëm i butë ndaj Beogradit, i fuqive vendimmarrëse të BE-së, është i pafalshëm. Vonimi i rrumbullakimit të shtetësisë, është fatal për Kosovën. Kështu Kosova nuk mund të zhvillohet ekonomikisht sa duhet. Gjithë ato investime perëndimore në Serbi dhe fare pak në Kosovë dhe në Shqipëri, është jo vetëm padrejtësi por edhe sjellje johumane. Kosova është shtet më demokratik se Serbia. Atëherë, përse të anashkalohet nga investuesit perëndimorë, të cilët, s’ka ditë e të mos i quajmë aleatë, miq, partnerë, partnerë strategjikë.

Fuqitë e Mëdha të Perëndimit duhet ta dinë se shtetësia e Kosovës nuk mbyllet duke e ledhatuar apo duke e përkëdhelur Serbinë si dhe duke investuar në të, miliarda euro. Kësaj i thonë: “Ushqeje sorrën të t’i nxjerrë sytë”. Beogradit është dashur t’i thuhej prerë: “Pa e njohur pavarësinë e Kosovës, tërësinë tokësore të saj dhe sovranitetin e saj, Serbia s’ka për të hyrë në BE”

Berlini dhe Parisi, si dy faktorë kryesorë të BE-së, e kanë për detyrë politike që ta mbyllin procesin e rrumbullakimit të shtetësisë së Kosovës. Beogradi nuk mund të kërkojë nga Kosova asgjë më shumë se demokraci. Duke qenë se Kosova është demokratike, atëherë del se Beogradi nuk ka se ç’lyp në të.