Ballina Bota Ambiciet revolucionare të Gjeneratës Z të Iranit

Ambiciet revolucionare të Gjeneratës Z të Iranit

Në një vend tjetër, kjo skenë mbase nuk do të vërehej, por është e paimagjinueshme në Republikën Islamike që ka rregulla të rrepta se çfarë mund të veshin gratë në publik. Më i pazakonshëm ishte reagimi: asgjë!

Sfidimi flagrant i veshjes së detyrueshme të hixhabit në publik, po bëhet normalitet i ri – diçka që gratë si Nargesa nuk mund ta imagjinonin përpara vdekjes tragjike të Mahsa Aminit, një muaj më parë.

Gruaja 22-vjeçare kurde vdiq në paraburgimin e policisë së moralit, më 16 shtator, pasi dyshohej se kishte shkelur kodin islamik të veshjes. Vdekja e saj zemëroi iranianët dhe i ndezi protesta mbarëkombëtare të cilat, nga ana tjetër, provokuan një reagim të ashpër dhe vdekjeprurëse nga shteti.

Gjenerata Z befasoi vendin – dhe botën – duke refuzuar zmbrapsjen nga një prej demonstratave më të përhapura dhe më të gjata kundër regjimit në historinë e Republikës Islamike.

“Grua, jetë, liri” është bërë thirrja e betejës së të rinjve dhe të rejave në rrugë, në kampuset universitare dhe në shkolla. Qëllimi përfundimtar i tyre, thonë protestuesit, është të përmbysin Republikën Islamike në favor të një sistemi laik, demokratik, edhe nëse çmimi për këtë është vet jeta e tyre.

Po përballen me një regjim të mbështetur prej institucioneve të frikshme, si Garda elitare Revolucionare dhe një rrjet shumështresor i besnikëve dhe biznesmenëve, interesat e të cilëve varen nga vazhdimi i status quo-së.

Megjithatë, protestat janë paralajmërim serioz për sundimtarët e Iranit, se ata po përballen me një brez tjetër, shumë prej të cilëve nuk kanë lidhje me ideologjinë e regjimit dhe që janë të zemëruar për privimin e lirive dhe të mundësive të përditshme që u ofrohen bashkëmoshatarëve jashtë vendit.

Lëvizja e tyre ka mundësi të frymëzojë më shumë demonstrata dhe greva, teksa po thellohet kriza e rrezikimit të jetës, duke paraqitur një nga kërcënimet më të mëdha të dominimit 43-vjeçar të Republikës Islamike.

Udhëheqësit kryesorë – të paktën publikisht – hedhin poshtë idenë se protestat kundër regjimit janë pikë kthese historike dhe nuk japin asnjë shenjë për ta bërë ndonjë lëshim strukturor apo kushtetues. Analistët nuk presin se regjimi do ta rimendojë liderin suprem si autoritet përfundimtar, pastaj armiqësinë e tij ndaj ShBA-së, tendosjen e muskujve në Lindjen e Mesme ose zgjerimin e programit bërthamor.

Protestuesit, të cilët kanë ambicie radikale për të ardhmen e vendit, thonë se ka mbaruar koha për gjeste gjunjëzuese politike. Ngërçi i ka shqetësuar shumë iranianë për ditët e vështira që po vijnë.

Përplasja ka pasoja për stabilitetin afatgjatë të vendit. Në një deklaratë të përbashkët, pesë ekonomistë të shquar e kanë krahasuar shtimin e zërave për ndryshim me “një përmbytje të zhurmshme, por që papritmas është përballur me bllokim”. Thonë se zgjedhja me të cilën përballen liderët politikë është ose të hapin rrugën ose ta lënë pendën të shpërthejë dhe ta lëshojë një përrua përçarjesh.

Varfëria e madhe, korrupsioni i atyre që janë të lidhur me regjimin dhe rënia e pjesëmarrjes politike në vitet e fundit, kanë dobësuar kapitalin social dhe kanë nxitur një ndjenjë dëshpërimi, thonë ekonomistët. Për më tepër, mirëqenia e familjeve iraniane ka rënë mesatarisht me 37 për qind gjatë dekadës së fundit, duke shkaktuar tkurrjen e klasës së mesme.

Narges, 27 vjeçe, thotë se kjo tablo e zymtë është ajo që e bën të pashmangshme luftën e brezit të saj: e ardhmja e begatë që ëndërron, plot argëtim dhe kënaqësi, nuk mund të arrihet duke jetuar nën teokraci.

“E çmoj daljen pa hixhab dhe forcat e regjimit plotësisht më injorojnë, teksa kalimtarët u thonë ‘bravo’ grave si unë”, thotë ajo. “Por, ky sistem na ka shkaktuar dëme të pariparueshme, që nga fëmijëria. Vetëm kolapsi i tij mund të na ndihmojë t’i japim fund pabarazive mes burrave dhe grave dhe të kemi liri për gjërat më elementare, më normale”.

Irani ka pasur prej kohësh një kulturë të fortë proteste; simptomë e luftës së brendshme të vendit për kalimin nga një shoqëri tradicionale në një shoqëri moderne.

Historia e saj bashkëkohore është formuar nga grumbullimi i rregullt i trazirave sociale dhe disa kryengritjeve, përfshirë dy revolucioneve – njëri kushtetues para më shumë se një shekull, dhe revolucioni islamik i vitit 1979.

Zhvendosja e ngadaltë drejt modernitetit më të madh dhe me më shumë progres për gratë, është bërë më urgjent teksa brezi i ri po bëhet i paduruar. Regjistrimi i fundit kombëtar, gjashtë vjet më parë, tregoi se ata të moshës 10-24 vjeçe përbëjnë rreth 22 për qind të popullsisë prej 80 milionë banorëve. Vlerat e tyre dallojnë shumë me ato të liderëve të moshuar, por këmbëngulës të Iranit, disa prej të cilëve janë rreth të nëntëdhjetave.

Popullsia gjithnjë e më e arsimuar, përfshirë gratë që zënë rreth 60 për qind të vendeve në universitete, zhvillimi urban me ritëm të shpejtë dhe qasja më e madhe në internet dhe në telefonat e zgjuar, kanë rritur pritshmëritë e publikut.

Të rinjtë duan qeverisje të drejtë dhe transparente, mirëqenie më të mirë, punë të denjë dhe mundësi për të udhëtuar jashtë vendit dhe për ta shijuar një jetë të shëndetshme seksuale – jo domosdo brenda martesës.

Gjenerata Z e Iranit, që është rritur me internetin dhe me televizionin satelitor, thonë se gjërat për të cilat po luftojnë janë të papajtueshme për një sistem që kërkon një mënyrë islamike jetese; martesat e hershme, më shumë fëmijë dhe mbrojtjen e fesë nga kërcënimet. Megjithatë, mbrojtja e këtyre vlerave është thelbësore për regjimin për të kënaqur miliona besnikë të zellshëm në Iran dhe në Lindjen e Mesme, të cilët përfaqësojnë një nga shtyllat kryesore të pushtetit.

Gjeneralmajori Mohammad Bagheri, shefi i shtabit të forcave të armatosura të Iranit, ka paralajmëruar komandantët ushtarakë se “qasjet tradicionale nuk do të funksionojnë më”, nëse dëshirojnë t’i parandalojë kërcënimet ndaj pushtetit, siç janë ato që nxiten nga mediat sociale. Reagimin ndaj protestave e sheh si pjesë të një beteje më të gjerë kundër ndikimit të huaj.

“Sot po përballemi me kërcënime të shumta ushtarake, kulturore, që sapo u shfaqën, dhe ndonjëherë me ato të panjohurat nga armiku që na shënjojnë në të njëjtën kohë, ose në kombinime të menduara mirë”, tha ai. “Duhet të jemi gati për … një luftë hibride që është punë shumë e rëndë dhe e ndërlikuar për ne dhe për komandantët e forcave të armatosura”.

Ahmad Zeidabadi, analist politik pro reformave dhe ish i burgosur politik, në një intervistë me agjencinë gjysmë-zyrtare të lajmeve, ILNA, ka thënë se “një pjesë e sistemit mendon se pushteti, dinjiteti dhe pasuria u përkasin të brendshmëve dhe besnikëve të tyre … derisa pjesa tjetër e popullit nuk ka të drejta të tilla, si krijimi i partive politike, dalja në zgjedhje dhe pjesëmarrja në vendimmarrje, dhe për këtë arsye ata nuk kanë të drejtë të protestojnë”.

Është ky një rend politik ndaj të cilit po kundërshtojnë protestuesit, shumë prej të cilëve vijnë nga klasa e mesme urbane të cilët, deri vonë në shoqëri, konsideroheshin me të madhe si të llastuar dhe të përkëdhelur nga familjet e privilegjuara dhe të arsimuara.

Tani ata qëndrojnë përballë policisë së trazirave, duke mos e shfaqur frikën nga vrasja. Sipas televizionit shtetëror, gjatë muajit të kaluar më shumë se 40 protestues kanë vdekur. Amnesty International thotë se 144 burra, gra dhe fëmijë kanë humbur jetën, përfshirë 20 djem adoleshentë dhe tri vajza.

Bijan Abdolkarimi, profesor i Filozofisë në Universitetin Islamik Azad, thotë se është hap i gabuar dështimi për të kuptuar rininë e këtij vendi. “Ky brez është rebel dhe nuk pranon autoritetin e askujt tjetër, qoftë ai i babait në shtëpi, qoftë i mësuesve në shkollë apo në universitet”, i tha ai gazetës reformiste “Etemad”. “Nuk e pranon autoritetin e burrave mbi gratë dhe … lufton kundër traditës dhe vë në dyshim të gjitha parimet e saj … Mënyra më e keqe për t’u marrë me ta janë qasjet policore, ushtarake dhe të sigurisë”.

Mospajtimi, megjithatë, nuk kufizohet vetëm te brezi i ri. Ka pasur të paktën tri protesta tjera të mëdha që nga viti 2009, të udhëhequra nga klasa e mesme dhe punëtore, në të cilat qindra veta u vranë. Protestat ku janë përfshirë fermerët, mësuesit, pensionistë dhe punëtorët kanë qenë më të shpeshta.

Kriza e fundit i pason dekadat e zhgënjimit te liderët e njëpasnjëshëm politikë, që nuk ofruan ndryshim. Reformat politike të iniciuara në vitin 1997, nga Mohammad Khatami, asokohe president, u ndeshën me rezistencën e vijës së ashpër. Më vonë, presidenti i qendrës, Hassan Rouhani, premtoi ekonomi më funksionale, sipas marrëveshjes bërthamore që qeveria e tij nënshkroi me fuqitë botërore më 2015. Marrëveshja u rrëzua në vitin 2018, kur u tërhoq ShBA-ja nën administratën Trump.

Zgjedhja për president e Ebrahim Raisi nga linja e ashpër, vitin e kaluar, shënoi rënie të re. Pjesëmarrja ishte me 48.8 për qind – një nga më të ulëtat në histori, pasi rivalët kryesorë nuk u lejuan të konkurronin. Ky ishte momenti kur grupet pro-demokracisë thonë se rruga drejt çdo reforme është në qorrsokak.

Mehdi Behabadi, kreu i qendrës gjysmë-zyrtare të sondazheve të opinionit publik, ISPA, thotë se “shumica e konsiderueshme” e iranianëve kanë “zemërim” ndaj Republikës Islamike, “një faktor ky që është në nivel të rrezikshëm”. Mosha mesatare e protestuesve po bëhet gjithashtu më e re, shton ai, dhe i përfshirë ata nën 20 vjeç, ndërsa numri i grave protestuese është “shumë i afërt” me burrat.

“Sa herë që ka pasur protesta masive, ato vetëm sipërfaqësisht qetësoheshin, teksa zemërimi grumbullohej duke u rritur nivelin e dhunës [gjatë herës tjetër]”, thotë ai.

Behabadi gjithashtu beson se numri i demonstruesve, në vitet e fundit, është veçse “përqindje e vogël e të gjithë atyre që janë të zemëruar”, sepse shumica besojnë se historia ka treguar se rreziku i pjesëmarrjes tejkalon përfitimet nga kjo.

Aila, studente 19-vjeçare e inxhinierisë kompjuterike, ndonëse i pëlqen, ka zgjedhur të mos bashkohet me protestat në universitetin e saj. “Do të doja ta shihja të zhdukur Republikën Islamike, pasi nuk shoh të ardhme për veten time në atdheun tim, me gjithë këtë padrejtësi, diskriminim gjinor, perspektivë të zymtë ekonomike dhe humbje të talenteve”, thotë ajo. “Por, nuk shoh një opsion për një pasardhës dhe sigurisht nuk dua të shoh pasigurinë që mund të sjellë mungesa e një qeverie”.

Udhëheqësit e Iranit janë të bindur se protestat ende nuk janë shndërruar në demonstrata masive. Punëtorët kanë mbajtur disa greva sporadike, por mësuesit, fermerët, biznesmenët dhe masat e devotshme, përfshirë klerikët e rangut të mesëm, janë kryesisht në gjendje të pritjes.

Ndërkohë, iranianët jashtë shtetit po u bëjnë thirrje mbështetësve të heshtur që të ngrihen, duke organizuar demonstrata në kryeqytetet perëndimore dhe duke lobuar për mbështetje ndërkombëtare. Por, kjo opozitë e pabarabartë nuk shihet si alternativë e qëndrueshme ndaj regjimit, pjesërisht për shkak se ata janë larg të qenit të unifikuar.

Po për këtë arsye, një person i brendshëm i regjimit, pranë forcave të linjës së ashpër, thotë se protestat nuk shihen si kërcënim i menjëhershëm për Republikën Islamike.

“Protestuesit nuk janë nga partitë politike, nuk kanë lider. Nuk janë të motivuar ideologjikisht që të vdesin për kauzat e tyre. Sapo arrestohen, shprehin keqardhje”, thotë ai. “Opozita e Iranit, jashtë shtetit, nuk paraqet kërcënim. A munden që të gjithë të mblidhen së bashku dhe të kenë një udhëheqës karizmatik si Imam [Ruhollah] Khomeini, për t’i nxjerrë miliona mbështetës në rrugë [siç ndodhi në revolucionin e vitit 1979]? Jo”.

Burimi i brendshëm shton se nuk do të ketë lëshime të rëndësishme përtej masave si qasja e pashprehur dhe e moderuar ndaj veshjes së hixhabit në publik.

Por, me trazirat dhe goditjet brutale që bëhet në platforma si Instagram dhe WhatsApp, fal protestuesve që përdorin VPN-në për të anashkaluar ndalesat në mediat sociale, analistët thonë se republika po e humb luftën mediatike dhe po diskreditohet brenda dhe jashtë vendit.

Opozita jashtë shtetit përdor gjithashtu televizionin satelitor, me bazë të huaj dhe të financuar nga jashtë, për t’i bindur iranianët se një revolucion është duke u bërë dhe se një front i bashkuar më në fund mund të rrëzojë Republikës 43-vjeçare Islamike.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, që është objekt i sloganeve të tilla si “vdekje diktatorit”, mohon se mospajtimi është vendor, për çfarë i fajëson akterët e jashtëm, përfshirë ShBA-në, Izraelin dhe Arabinë Saudite. “E vetmja zgjidhje është të rezistosh”, thotë ai.

Për shumë iranianë, përgjigja e tij thekson se sa i paprekshëm është regjimi. Shahla, amvise dhe nënë e dy djemve adoleshentë, thotë se arsyeja kryesore pse proteston është sepse sistemi politik ka shumë pak shpirtbutësi ndaj njerëzve të zakonshëm.

“Ajo që urrej më shumë është se Republika Islamike i mbron anëtarët më të parëndësishëm të besnikëve, por është kaq e ashpër me ne”, thotë ajo. “Pse është problem të thuash se një individ bëri gabim në rastin e Aminit dhe të kërkosh falje”?

Megjithëse analistët thonë se ata në krye të sistemit politik të Iranit janë të bashkuar në mënyrën se si do të merren me pakënaqësitë, një tjetër burim i brendshëm i regjimit thotë se ata në nivelin e mesëm janë të pakënaqur kur i shohin protestuesit e rinj duke u vrarë dhe mendojnë se reagimi është i tepërt.

Ata besojnë, thotë ai, se regjimi duhet të dëgjojë protestuesit dhe të ndërmarrë veprime derisa 83-vjeçari Ayatollah Khamenei është ende gjallë.

Vdekja e tij – dhe pasardhësi i përfolur, djali i tij i dytë, Mojtaba – mund ta bëjë secilën reformë më të komplikuar ose pothuajse të pamundur, shton ai, sepse protestuesit kanë treguar qartë se nuk do ta pranojnë.

Protestuesit ndërkohë nuk shohin asnjë përfitim nga bisedimet me autoritetet. Moeini, student 23-vjeçar i historisë, thotë se Republika Islamike nuk e ka ndërmend t’i ndryshojë strukturat e saj të pushtetit. “Njerëzit, që nga një shpërndarësit me motoçikleta e deri te mjekët, kanë arritur në fazën ku nuk duan të heqin dorë nga kërkesat e veta që janë të drejtat e barabarta për burrat dhe për gratë, dhe liria”, thotë ai.

Edhe nëse protestat shtypen, shton ai, “do të shohim protesta më të mëdha në të ardhmen, pasi këto kërkesa nuk do të zhduken”.

Analistët janë të pajtimit. “Kërkesat e frenuara politike … tani manifestohen në sloganet gjithëpërfshirëse, si ‘grua, jetë, liri’”, thotë Saeed Hajjarian, analist për reformat. “Kjo tregon se qendra e gravitetit të kërkesave të shoqërisë është zhvendosur nga politika në të drejtat e qytetarëve … për të gjitha klasat shoqërore dhe jo vetëm për klasën e mesme urbane”.

Linjat e ashpra të Iranit paralajmërojnë se vazhdimi i protestave po vë në rrezik integritetin territorial të Iranit dhe mund të inkurajojë separatistët ta luftojnë qeverinë qendrore, në një vend që përfshin etnitë si arabët, kurdët, baluçët, turqit dhe myslimanët sunitë.

Teksa protestat në Kurdistanin iranian janë intensifikuar që nga vdekja e Aminit, njerëzit në qytetin e Zahedan, shtëpia e baluçëve dhe sunitëve etnikë, janë përleshur sidomos me autoritetet pasi një vajzë 15-vjeçare dyshohet se u përdhunua nga një zyrtar i lartë i policisë. Amnesty International vlerëson se të paktën 82 vetë u vranë, por zyrtarët thanë se janë 19 të vdekur.

Nxitja e protestave kundër regjimit përkon gjithashtu me thirrjet e ripërtërira nga politikanët, për të nënshkruar marrëveshjen bërthamore me administratën Biden, për t’i dhënë fund sanksioneve të ShBA-së ndaj naftës dhe sektorëve bankar të Iranit. Mungesa e lëvizjes në marrëveshje nxit zhgënjimin e publikut, pasi inflacioni arrin në 42.1 për qind dhe shkalla e papunësisë së të rinjve shkon në 23 për qind.

Bisedimet bërthamore mbeten të bllokuara, pasi Uashingtoni dhe Teherani nuk arritën të bien dakord për draftin më të fundit të propozuar nga BE-ja, si ndërmjetëse në ato negociata. Diplomatët dhe analistët nuk presin ndonjë përparim, deri pas zgjedhjeve afatmesme të ShBA-së, në nëntor.

Disa politikanë thonë se arritja e një marrëveshjeje është jetike për të ndihmuar në shuarjen e pakënaqësisë. Ali Larijani, ish-kryetar i parlamentit konservator, thotë: “Sa më shpejt të zgjidhet ky problem, aq më shumë është në dobi të Republikës Islamike. Njerëzit nuk duhet të jenë nën këtë presion të madh”.

Narges, inxhiniere e trajnuar për IT, punon si kontabiliste dhe fiton një pagë mujore prej rreth 250 dollarëve, me të cilat mezi i mbulon shpenzimet e saj të përditshme. Ka lakmi për jetën e të rinjve dhe adoleshentëve në vendet tjera, që i sheh me obsesion në YouTube.

“Ndjej se jo vetëm që nuk i kam përjetuar kurrë kënaqësitë e adoleshentëve në ShBA, Britani, Australi, por nuk mund të përdor krijimtarinë dhe talentin tim për të pasur një pagë të mirë dhe që të kem shpresë për të ardhmen time”, thotë ajo.

Opsioni i vetëm, thotë ajo, është të vazhdojmë të protestojmë “derisa ta mposhtim Republikën Islamike, edhe pse jam e vetëdijshme se sistemi është i frikshëm dhe hakmarrës”./ The Financial Times

@tn.lajmelokale
@tetovanews