Ballina Bota Tigri vret nëntë persona në Indi, mes tyre nëna me fëmijën (VIDEO)

Tigri vret nëntë persona në Indi, mes tyre nëna me fëmijën (VIDEO)

Policia në Indi ka qëlluar për vdekje një tigër pasi vrau të paktën nëntë persona në Champaran, shteti Bihar.

I quajtur “njeri-ngrënësi i Champaran”, bisha u vra pas një gjuetie nga rreth 200 oficerë policie dhe zyrtarë të qarkut. Disa oficerë patrulluan mbi elefantët për ta gjetur atë.

Tigri mashkull kishte terrorizuar komunitetet rreth Rezervatit të Tigrave Valmiki.

India është shtëpia e më shumë se 70% e tigrave të egër në botë.

Rezervat e tigrave të Indisë, zona të mbrojtura ku kafshët mund të jetojnë, nuk janë zgjeruar në të njëjtin ritëm si popullata e saj e tigrave.

Kjo ka detyruar disa mace të mëdha t’u drejtohen peizazheve të dominuara nga njerëzit për mbijetesë, gjë që çon në vrasjen e bagëtive dhe ndonjëherë në vrasjen e njerëzve.

Operacioni u drejtua nga policia e Biharit, e cila rrethoi një fushë me kallam sheqeri pranë fshatit Sitaltola Baluwa për të vrarë tigrin tre-vjeçar të njohur si T-104.

Kumar Gupta, shefi kujdestar i kafshëve të egra për rajonin, tha për Times of India se tigri ishte identifikuar si “i rrezikshëm për jetët njerëzore”.

Drejtori i Valmiki Tiger Reserve, Nesamani K, tha se gjuetia përfundimtare për të gjetur T-104 kishte filluar të shtunën, menjëherë pasi u shfaqën lajmet se një nënë dhe fëmija i saj ishin vrarë nga një sulm tigri.

“Ishte një natë pa gjumë për të gjithë fshatin”, tha Paltu Mahato për Hindustan Times.

Përpjekjet për të qetësuar kafshën ishin të pasuksesshme dhe tigri tregoi një “mungesë të plotë frike” kur u rrethua nga ekipe, shtoi Gupta.

Dy ekipe, me dy elefantë, shkuan në pyll dhe një i tretë ishte në gatishmëri.

T-104 u qëllua në orën 15:15 me kohën lokale të së shtunës.

Kujdestari i kafshëve të egra në Bihar tha se nuk kishte asnjë informacion që sugjeronte se vrasjet e njerëzve ishin kryer nga një tigër tjetër.

Sipas të dhënave të qeverisë të publikuara në vitin 2019, midis 40 dhe 50 njerëz vriten nga tigrat çdo vit./Abcnews.al.

@tn.lajmelokale
@tetovanews