Ballina Bota Çfarë do të ndodhë me luftën në Ukrainë pas tërheqjes ruse nga...

Çfarë do të ndodhë me luftën në Ukrainë pas tërheqjes ruse nga Hersoni?

Timofei Rozhanskiy
Iryna Romaliyska
Reid Standish
Anton Benediktov

Radio Evropa e Lirë

Tërheqja e Rusisë nga qyteti juglindor i Hersonit shënon një fitore tjetër për Kievin, përderisa vijat e frontit në fushëbetejë vazhdojnë të ndryshojnë. Por, përderisa luftimet zhvendosen në një fazë të re, me dimrin që po afrohet, çfarë pritet të ndodhë tani në luftën që po zhvillohet qe nëntë muaj?

Pas tërheqjes nga Hersoni, forcat ruse po shkojnë drejt bregut lindor të lumit Dniepër, që gjendet përballë Hersonit, ku aktualisht po ngrenë mbrojtjen, dhe sipas analistëve ushtarakë, ky pozicionim i rusëve mund të pengojë një avancim ukrainas. Gjerësia e lumit dhe dëmet e shumta në Urën Antonivski – që janë shkaktuar nga forcat ruse – që lidh dy anët e lumit, bëjnë që ndjekja e trupave ruse të jetë një manovër e rrezikshme për ukrainasit.

“Kjo tërheqje e trupave ruse [nga Hersoni] është përgatitur paraprakisht. Ne e dimë që tërheqja nisi më herët sesa njoftimi i Kremlinit”, tha për Current Time, Roman Kostenko, kolonel i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), agjencia kryesore e inteligjencës së Kievit. “Nga perspektiva ushtarake, ata janë tërhequr plotësisht dhe kanë lënë pas zona të mëdha të minuara për trupat ukrainase që avancojnë”.

Ndërkaq, luftimet po vazhdojnë në rajonin lindor të Donbasit, me trupat ukrainase që po zmbrapsin vazhdimisht përpjekjet ruse për të marrë nën kontroll qytete sikurse Bahmuti dhe Pavlivka, teksa të dyja palët po pësojnë humbje të mëdha gjatë luftimeve.

Kostenko, që po ashtu është deputet në Parlamentin ukrainas, ka qenë pjesë e përpjekjeve të fundit të ushtrisë për të rimarrë qytetin Snihurivka në rajonin ukrainas të Mikolajivit. Ky qytet gjendet rreth 50 kilometra në verilindje të Hersonit.
“Ne po i shohim se nga po shkojnë ata”, tha ai. “Tani, detyra kryesore është të sigurohemi që sa më pak trupa dhe pajisje ruse të mund të shkojnë atje nga ana e djathtë e lumit”.

Me ftohjen e motit – që sjell vështirësi të reja logjistike për lëvizjen e ushtarëve dhe pajisjeve të nevojshme për një ofensivë të re – analistët dhe diplomatët kanë thënë se ekziston mundësia që intensiteti i luftimeve të bjerë, pasi të dyja ushtritë po tentojnë të rigrupohen.

Disa liderë perëndimorë – përfshirë edhe kreun e Shtabit të Përbashkët të SHBA-së, gjeneralin Mark Milley – kanë përmendur mundësinë e bisedimeve të reja ndërmjet Kievit dhe Moskës, me Milleyn që është shprehur se dimri paraqet “një dritare mundësie” për të dyja palët për të nisur bisedimet.

Megjithatë, zyrtarët ukrainas janë shprehur të bindur se një ngërç apo një ngadalësim do t’i mundësonte vetëm Moskës që të çimentonte përfitimet e saj dhe të përshkallëzonte luftimet vetë. Zyrtarët ukrainas kanë përmendur deklaratat e gjeneralit Sergei Surovikin, komandantit të forcave ruse në Ukrainë, i cili është shprehur se tërheqja nga Hersoni do të mundësonte që të liroheshin disa ushtarë për t’u dërguar diku tjetër për luftime. Në kohën kur po përgatitej tërheqja e trupave, Moska dërgoi njësite të reja të ushtarëve të mobilizuar për betejën në Svatove dhe në zona të tjera në lindje të Ukrainës, në përpjekje për të pushtuar territor.

“E vetmja mënyrë që Surovikin mundet që realisht ta shesë idenë e tërheqjes nga Hersoni te [presidenti rus, Vladimir] Putini ishte që t’i premtonte atij se do të ketë sukses në lindje”, shkroi Andriy Zagorodnyuk, ish-ministër i Mbrojtjes i Ukrainës, i cili tani është bashkëpunëtor në Këshillin e Atlantikut, një institut me seli në Uashington.

“Prandaj, Ukraina duhet të përgatitet për një përshkallëzim të madh në rajonin e Donbasit në javët në vijim”, shkroi ai.

Pas ngecjeve të mëhershme ushtarake dhe tërheqjes në shtator të trupave ruse nga Harkivi, Kremlini shpalli mobilizim për të grumbulluar më shumë ushtarë për luftën në Ukrainë.

Por, rekrutët e rinj deri më tani nuk kanë arritur që të ndryshojnë momentumin në fushëbetejë, teksa ka raportime në rritje se ata kanë moral të ulët dhe janë të pajisur dobët dhe ushtarët e trajnuar po dislokohen në front.

Current Time – rrjet mediatik në gjuhën ruse i Radios Evropa e Lirë në bashkëpunim me Zërin e Amerikës – ka biseduar me dhjetëra familjarë të rekrutëve të mobilizuar që janë dërguar në front në Svatove, në rajonin ukrainas të Luhanskut, ku njësitë e tyre kanë pësuar humbje të mëdha.

Sipas familjarëve, rekrutët thonë se përballen me kushte të vështira dhe nuk kanë armë dhe municion të mjaftueshëm. Disa, madje, kanë refuzuar të vazhdojnë të luftojnë dhe aktualisht janë në burg për shkak se kanë shpërfillur urdhrat gjatë kohës së luftës.

“Vëllai më kontaktoi dhe tha se ata ishin në një bodrum në Zaitseve [në lindje të Ukrainës]”, tha Ekaterina Belova, duke iu referuar vëllait të saj, Alexei Arsyutin, që ka punuar si menaxher në KFC në Moskë, para se të rekrutohej më 25 shtator dhe të dislokohej në Svatove. “[Alexei] tha se edhe 250 persona të tjerë po mbahen bashkë me të”.

Alla Petrovna tha se ka pranuar një thirrje telefonike nga djali i saj, i cili po ashtu është i arrestuar me disa të tjerë për shkak se ka refuzuar të luftojë. Sipas djalit të saj, ai po mbahet në një ndërtesë ku “nuk ka kushte”. Ai ka shtuar se shumë burra po përballen me presion për të nënshkruar dokumente për të pranuar se kanë refuzuar urdhrat e oficerëve të tyre komandues, gjë që përbën vepër penale.

Anastasia Dutova, burri i së cilës është rekrutuar nga rajoni Kursk i Rusisë dhe është dërguar në vijat e frontit në Luhansk, është përpjekur që të lobojë në zyrën lokale të Prokurorisë ushtarake së bashku me gratë e tjera, burrat e të cilave janë rekrutuar së fundi nga kjo zonë. Njësia e burrave të tyre ka qenë nën sulme të ashpra në lindje të Ukrainës dhe ushtarët shpesh ankohen te gratë e tyre për strategji të dobët dhe lidership nga oficerët e tyre.

Ajo tha se ka shkruar një apel kolektiv dhe i është thënë nga zyra se një konvoj do të dërgohet për t’i tërhequr trupat e tyre, por burrat e tyre vazhdojnë të jenë pranë frontit dhe u kanë thënë bashkëshorteve të tyre se nuk ka sinjale se ndonjëri prej tyre do të kthehet në shtëpi.

“Shumë janë të plagosur, shumë veçse kanë vdekur. Disa po lihen që të vdesin”, tha Dutova. “Të tjerët po sëmuren nga i ftohti dhe disa mund të kenë pneumoni”.

Analistët do të vëzhgojnë luftimet nga afër në javët në vijim dhe do të shohin lëvizjet e ardhshme të Kievit dhe Moskës, teksa vijat e reja të betejave formësohen.

Gjatë Klubit Ekonomik të Nju Jorkut, të mbajtur më 10 nëntor, Milley tha se Rusia dhe Ukraina kanë humbur më shumë se 100.000 persona – të vrarë apo të plagosur – që kur Kremlini nisi pushtimin më 24 shkurt.

Teksa po rriten viktimat dhe Rusia u tërhoq nga Hersoni, disa analistë thanë se ata po shohin një rritje të gatishmërisë nga Moska për t’u përfshirë në bisedime me Ukrainën lidhur me të ardhmen e luftës.

Disa zyrtarë të administratës së presidentit amerikan, Joe Bideni, sikurse gjenerali Milley, po ashtu kanë kërkuar që gjatë dimrit palët të përqendrohen në diplomaci. Megjithatë, ata paraqesin qëndrimin e pakicës, me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, që kanë deklaruar se nuk do t’i bëjnë presion Kievit.

*EXPOSÉ: A është koha për bisedime mes Rusisë dhe Ukrainës?

“Kjo u takon ukrainasve. Asgjë për Ukrainën pa Ukrainën”, tha Biden më 9 nëntor, kur u pyet nga gazetarët për mundësinë e bisedimeve.

Por, ka shqetësime lidhur me atë se sa të frytshme do të ishin bisedimet në kohën kur Kremlini vazhdon të ketë qëndrimin se Kievi duhet të pranojë marrjen e paligjshme të kontrollit nga Rusia. Po ashtu, ka shqetësime lidhur me atë nëse Moska do ta përdorte një armëpushim si mundësi për të rindërtuar forcat e saj dhe për të nisur një sulm të ri ndaj Ukrainës. Zyrtarët ukrainas, gjithashtu, kanë sinjalizuar se synojnë të vazhdojnë luftimet dhe të rimarrin territorin e humbur pas një serie fitoresh në fushëbetejë gjatë muajve të fundit.

“Lufta nuk do të ndalet gjatë dimrit”, shkroi në një artikull për ABC Australia, Mick Ryan, gjeneralmajor australian në pension. “Por, lufta do të luftohet me një ritëm të ndryshëm… U ofron mundësi liderëve politikë dhe ushtarakë që të planifikojnë për atë që duket se do të jetë një vit brutal dhe i përgjakshëm që po i pret”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews