Ballina Bota Analiza në DW/ Pse Gjermania duhet të dërgojë tanket Leopard në Ukrainë

Analiza në DW/ Pse Gjermania duhet të dërgojë tanket Leopard në Ukrainë

Qeveria gjermane e shtyu vendimin për dorëzimin e tankeve luftarake Leopard. Edhe pas takimit në Ramstein, qeveria federale nuk dha dritën e gjelbër. Për çfarë pret Gjermania, pyet Christoph Hasselbach.

E pranoj e kam ndryshuar mendimin. Për një kohë të gjatë e kuptoja shumë mirë hezitimin e kancelarit Scholz për të mos dërguar armë të rënda në Ukrainë. Dhe mund ta kuptoj shumë mirë shqetësimin, se Gjermania apo e gjithë NATO-ja përmes dorëzimit të armatimeve të caktuara përfshihen në luftë. Të mos harrojmë se politikanët rusë kanë kërcënuar me këtë, dhe presidentin Putin ka luajtur madje edhe me mundësinë nukleare. Pra ka arsye për të vepruar me mençuri ndaj Rusisë.

Problemi është: Putini e di këtë, më shumë se kaq, ai e ka llogaritur këtë që nga fillimi. E në një kohë kur Ukraina lufton për jetën dhe lirinë me dëshpërim, ushtria ruse shkatërron sistematikisht shtëpi dhe infrastukturë civile. Po kryhen krime lufte para derës sonë!

Frika nga një luftë që harrohet

Parë nga shifrat e larta të superioritetit ushtarak rus apo shfrenimin se si zhvillohet lufta nga Rusia, duhet thënë se ushtria ukrainase ia ka dalë shumë mirë të mbrohet, madje të marrë edhe territore. Kjo ka ndodhur falë ndihmës ushtarake perëndimore. Por kundërofensiva ukrainase me sa duket po mbërrin në kufijtë e saj, ndërkohë ka filluar një luftë mbrojtëse në fronte. Rusia mund të durojë më gjatë me këtë formë lufte. Por edhe pa luftime të rënda të përditshme, çdo ditë është një ditë vuajtjeje për popullatën civile, të mos harrojmë edhe një ditë në të cilën bota mund t’i drejtohej problemeve më urgjente, për shembull luftën kundër urisë, që ka marrë përmasa të mëdha me luftën në Ukrainë.

Tani nuk është koha për negociata

Në kohën e një situate pati ushtarake për momentin, në kohën e ngushticave të furnizimit me energji dhe inflacionit në shumë vende mbështetëse të Ukrainës janë shtuar thirrjet për aktivizimin e diplomacisë: Duhet që të negociohet për paqen! Një gjë është e qartë: Nëse Ukraina negocion tani atëherë ajo do të marrë një paqe të diktuar nga Rusia. Siç tha edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në intervistë me Deutsche Wellen. “Kur presidenti Putin të ndalë veprimet luftarake ka paqe. Nëse Ukraina ndal së luftuari, ajo nuk do të ekzistojë më si shtet i pavarur.” Prandaj diplomacia dhe ndihma ushtarake nuk janë kundërthënëse, por plotësojnë njëra-tjetrën. Ukraina duhet të negociojë nga një pozicion i fortë, këtë ajo nuk e ka ende.

Putin e intepreton çdo gjë si të dojë

Sipas ekspertëve ushtarakë, tanket luftarake perëndimore do të bënin dallimin e madh, pasi me to Ukraina në vend që të ruajë vetëm pozicionet e saj mund të hynte në zonat e pushtuara ukrainase. Sipas Putinit, këto territore janë ndërkohë rajone të Rusisë, Çfarë do të ndodhte, nëse Rusia ndërhyrjen ukrainase me tanke perëndimore do ta shihte si hyrje në luftë të vendeve që i kanë dërguar këto tanke. Përgjigja është: Putini mund ta interpretojë çdo gjë si të dojë. Ai mund të interpretojë si fillim lufte edhe gjëra të tjera. Por perëndimi nuk duhet të bëhet i varur prej kësaj, e drejta ndërkombëtare është në anën e ukrainasve dhe mbështetësve të saj, sepse ky vend po mbrohet kundër një agresori.

Asgjë nuk është pa rreziqe

Po, kjo rrugë nuk është pa rreziqe. Por rruga tjetër, ajo e përmbajtjes dhe hezitimit është edhe më e rrezikshme. Putinit dhe imituesve të tij potencialë ajo do t’i tregonte, se ajo mund të fillojë një sulm kundër një vendi dhe nuk ka pasoja. Atëherë objektivat e ardhshme të tij do të ishin Moldavia dhe shtetet baltike.

Ndaj hezitimi në dërgimin e tankeve luftarake nuk është më me vend, nëse ka qenë ndonjëherë qëndrimi i duhur. Për sa kohë që asnjë vend tjetër perëndimor nuk do të dërgojë tanke luftarake, Scholz mund të thoshte, se ai nuk do veprime të veçuara gjermane. Tani Britania e Madhe del në pararojë me dërgimin e tankeve Challenger, pavarësisht se kush e ndjek pas.

Shtete të tjera si Polonia dhe Finlanda do të dërgonin menjëherë tanke Leopard, nëse Gjermania i lejon, sepse Berlini ka të drejtën e dhënies së lejes për tanket e tij luftarake. Dhënia e një lejeje të tillë do të ishte më e pakta që mund të bënte qeveria federale. Por ajo ende refuzon. Kundër dërgimit të tankeve nga Gjermania mund të vlejë si argument vetëm aftësia mbrojtëse e vendit, por asnjë arsye tjetër diplomatike, strategjike dhe morale.

Dërgimi i tankeve luftarake duhet kryer për arsye ushtarake, ai mbështetet nga e drejta ndërkombëtare dhe është sinjali vendimtar ndaj Putinit dhe aleatëve të tij, që vendet perëndimore qëndrojnë të bashkuara për lirinë. Qeveria federale nuk mund të presë shumë gjatë, ndryshe ajo rrezikon të humbë besueshmërinë. /DW

@tn.lajmelokale
@tetovanews