Ballina Sport Instruktor i VIP-ave dhe miliarderëve/Intervistë ekskluzive me Avdi Aliun nga Kamjani i...

Instruktor i VIP-ave dhe miliarderëve/Intervistë ekskluzive me Avdi Aliun nga Kamjani i Tetovës, skijator, agjent turistik dhe instruktor i skijimit në Zermatt të Zvicrës

Intervistë ekskluzive me Avdi Aliun nga Kamjani i Tetovës, skijator, agjent turistik dhe instruktor i skijimit në Zermatt të Zvicrës (Janar 2013)

Instruktor i VIP-ave dhe miliarderëve

Na i radhit disa nga sukseset e tua më të mëdha në sportin e skijimit!

Avdi Aliu: Si skijator kam marrë pjesë disa herë në Euro Cup dhe World Cup,në World Championships in Freestyle Ski në Nagano të Japonisë në vitin 1997,në Olympic Winter Games, Nagano 1998, në Kupën Botërore 2003 në Japoni, ku në disiplinën freestyle garonin 80 sportistë nga e gjithë bota unë zura vendin e 17 – të.Tani punoj si instruktor skijimi për shumë turistë që vijnë në Zermatt,në mesin e të cilëve edhe shumë vipa të showbizit botëror dhe biznismenë e pasanikë nga e gjithë bota.

Na e përshkruaj shkurtimisht si arrite deri në këtë stad të jetës? Si është puna e një instruktori skjimi në një qendër botërore të turizmit? Na përmend ndonjë person të njohur që e ke shoqëruar dhe trajnuar?

Avdi Aliu: Në Zvicër kam shkuar në vitin 1988. Në Zermatt shkova si turist dhe ai vend më pëlqeu shumë dhe vendosa të qëndroj aty. Jam regjistruar në Frystylee Club të Zermatt-it dhe i kam kaluar të gjitha etapat e kursit të skijimit që fillojnë nga L4, L5, L6, B Coup,A Coup, pastaj kualifikohesh për Kampionatin e Zvicrës në Skijim, pastaj vijnë me radhë Kampionati Evropian dhe Kupa Botërore … Për shkak se ndoqa kurset e skijimit dhe shënova suksese edhe në kampinate skijimi, ndoqa edhe kurse të tjera dhe u kualifikova si instruktor ose trajner skijimi dhe çdo vit kam klientët e mi që i shoqëroj dhe instruktoj në pistat e skijimit.
Zermatti si Meka e turistëve që e duan skijimin, tërheq një numër të madh turistësh, në mesin e të cilëve edhe shumë vipa dhe biznismenë të njohur nga e gjithë bota.Vetëm të futeni t`i vizitoni faqet online të Zermatt-it dhe do ta kuptoni se sa personalitete nga bota vijnë atje.Disa vite me radhë kam qenë instruktor personal i manjatit të madh britanik Richard Branson, nga viti 2002 e deri më sot,çdo vit jam instruktor dhe shoqërues i njeriut kryesor të LUKOIL-it, Vagit Alekperov (sipas Forbes njëri nga 9 njerëzit më të pasur në Rusi dhe me një pasuri prej 13.9 billion dollarësh),familjes së tij dhe stafit tjetër drejtues të kësaj kompanie.Ata dy herë në vit, nga dy javë, bëjnë pushime në Zermatt ose St. Moritz dhe unë gjithnjë i shoqëroj, instruktoj…

Ku e kalove natën e ndërrimit të moteve?

Avdi Aliu: Natën e ndërrimit të moteve e kalova në Kings Club të St. Moritz ku vetëm hyrja është 1200 frënga dhe unë po shoqëroja Vagit Alekperov, të rrethuar nga miqtë e tij, gjithashtu biznismenë të njohur nga Lituania, Ukraina e vende të tjera të ish Bashkimit Sovjetik.Tani kam ardhur për disa ditë në vendlindje ta vizitoj familjen dhe do më duhet të rikthehem përsëri në Zermatt,se ai kthehet për dyjavëshin e dytë të pushimit para se të marrë marrë pjesë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Davosit.

Duke pasur parasysh se jetoni në një qendër të turizmit botëror dhe keni komunikim me njerëz nga të gjitha kontinentet,në çfarë gjuhësh komunikoni me ta?

Avdi Aliu: Po unë përveç shqipes dhe gjuhëve sllave të jugut si maqedonisht,serbisht,kroatisht, flas shumë mirë anglisht,gjermanisht,frëngjisht,italisht,japonisht,rusisht dhe mjaftueshëm spanjisht dhe portugalisht.

Përmendët japonishten?!

Avdi Aliu: Po.Deri tani kam qenë nja 15 herë në Japoni. Hera e fundit ishte qëndrimi dymujor në fundvitin kaluar .Kam shkuar 10 herë për gara skijimi, kurse tani shkoj për çështje pune,sepse gjatë verës në Zermatt vijnë shumë turistë japonez.Kam arritur ta mësoj edhe gjuhën japoneze.

Çka të pëlqen më shumë në Japoni?

Avdi Aliu: Në Japoni më pëlqen rendi dhe disiplina, pastërtia e madhe, kultura, respekti i jashtëzakonshëm për turistët. Sa herë që shkoj vërej ndryshime të mëdha.Janë njerëz shumë punëtorë dhe gjithnjë të buzëqeshur.

Hobet dhe pasionet?

Avdi Aliu: Përveç udhëtimeve më pëlqen tenisi, kulinaria, alpinizmi, të bëj fotografi në vendet ku udhëtoj etj.

Çfarë gatuan vetë? Na përmend edhe ndonjë vend tjetër të veçantë që e ke vizituar!?

Avdi Aliu: Më pëlqen kuzhina aziatike dhe italiane.Në Japoni kryesori është sushi, kurse nga kuzhina italiane spaghetti primavera të gjitha llojet e pastave. Perveç shumicës së shteteve të Evropës, kam qenë në Bali të Indonezisë, Kore të Jugut, Singapor, Kanada, SHBA, Republikën Dominikane etj.

Si rrjedh një ditë me njerëzit e pasur që i shoqëron dhe instrukton në pistat e skijimit?

Avdi Aliu: Në mëngjes shkoj në hotelin ku qëndrojnë ata.Hamë mëngjes bashkë,pastaj me helikopter nisemi për në lartësitë malore.Atje bëjmë disa herë ski.Pastaj kryesore është dreka ku shtrohet në restorantet më të shtrenjta ku shërbehet kavjar dhe verëra të shtrenjta.Ka ndodhur që një drekë apo një darkë për disa persona të shkoj deri në 15 mijë frënga .Organizoj udhëtimet e tyre me helikopter për shopping në Milano ose dikund tjetër.Kontaktet me ta janë të vazhdueshme dhe sa herë që vinë më paralajmërojnë që t`i pres. U pëlqen luksi dhe nuk kursejnë asgjë për ta shijuar jetën. Edhe me detyrimet ndaj meje janë korrekt.

Këto ditë bëri shumë bujë lajmi i lidhjes së prezantueses së njohur Rudiina Magjistarit me kampionin kosovar të kick box-it, Xhavit Bajrami, i cili ka lindur në Kosovë, por jeton në Zvicër e Japoni dhe ka fituar disa tituj ndërkombëtar në sportin e kick box-it.Si është gjendja juaj familjare dhe marrëdhëniet me botën femërore?

Avdi Aliu: Edhe unë jam singël,po nuk kam pretendime të lidhem me ndonjë femër të njohur.Edhe pse jam i rrethuar gjatë gjithë vitit me femra nga të gjitha kontinentet, do doja që të lidhem me një vajzë të thjeshtë dhe tradicionale shqiptare.

Planet për të ardhshmen me gjithë këto kontakte me njerëz kaq të fuqishëm?

Avdi Aliu: Kam ardhur të vizitoj prindërit dhe njerëzit e mi këtu në vendlindje, po njëkohësisht edhe të bëj disa hulumtime për të qenë më konkret në takimet e mia me gjithë këta njerëz të fuqishëm që mund të bëjnë investime edhe këtu tek ne.Dhe në fund uroj që viti që sapo ka nisur të jetë sa më i mirë për bashkëkombasit e mi!

Intervistoi: E. Neziri

Janar 2013

@tn.lajmelokale
@tetovanews