Ballina Bota Nga Ukraina, te Taivani, Trump, Kriptot, Erdogani… Parashikimet për 2023 nga disa...

Nga Ukraina, te Taivani, Trump, Kriptot, Erdogani… Parashikimet për 2023 nga disa prej ekspertëve më të mirë në botë

Disa prej parashikimeve për botën në vitin që sapo ka nisur, nga disa prej ekspertëve më të mirë të britanikes Financial Times:

1-A do të ketë një armëpushim në luftën e Rusisë në Ukrainë?

Jo. Kushtet për një armëpushim të qëndrueshëm, e lëre më për një zgjidhje formale të paqes, nuk ka gjasa të përmbushen në vitin 2023. Ngrirja e pozicioneve aktuale nuk do të kënaqte as Rusinë dhe as Ukrainën. Kremlini i Vladimir Putinit nuk do ta ketë thyer pavarësinë e Ukrainës, as të kontrollojë plotësisht katër rajonet që “aneksoi” në shtator.

Presidenti Volodymyr Zelenskyy nuk mund të pranojë një armëpushim duke e lënë Ukrainën pa territorin e humbur nga pushtimi i Rusisë në shkurt, përveç Donbasit dhe Krimesë të pushtuara në vitin 2014. Rifitimi i këtij territori do të kërkonte armatim që perëndimi duket se nuk dëshiron ta japë.

Rusia po përpiqet të rigrupohet dhe po përgatit popullin e vet për një luftë të gjatë. Ka shumë të ngjarë të jetë një konflikt i vazhdueshëm dhe i ashpër.

Toni Barber

2 – A do të ketë ndërprerje energjie në Evropë?

Po. Mund të ndodhë para prillit nëse moti është mjaft i ftohtë, por dimri i ardhshëm është sfida më e madhe. Megjithëse depozitat e gazit tani janë pothuaj plot, rimbushja e tyre në pranverë do të jetë e vështirë.

Në vitin 2022, flukset e gazit rus ishin kryesisht të paprekura deri në qershor; në vitin 2023 do të jenë afër zeros. Gazi natyror i lëngshëm do të ketë vështirësi për të mbuluar mungesën. Kompensimi i rrezikut është zhvendosja mbrapsht e Evropës nga gazi tek qymyri.

Sjstemi energjetik po punon sforcuar prej 18 muajsh. Rreziku që diçka të prishet po rritet.

David Sheppard:

3 – A do të arrijë përkohësisht temperatura globale pragun e ngrohjes 1.5 gradë C?

Jo, por mund të ndodhë në vitin 2024. Planeti tashmë është ngrohur me rreth 1.1 gradë C, duke krahasuar temperaturat mesatare në 2011-2020 me fundin e viteve 1800, dhe me të paktën 1.2 gradë C në vitet e fundit. Me emetimet në nivele rekord, shkencëtarët i vendosin shanset 50:50 për të arritur përkohësisht 1.5 C në të paktën një vit në periudhën 2022-2026.

Me ftohjen e modeleve të motit në La Nina që pritet të zgjasin në fillim të vitit 2023, parashikuesit mendojnë se temperatura gjatë gjithë vitit do të jetë mesatarisht 1.2 gradë C, por kjo mund të ndryshojë në vitet e ardhshme. Një vit me 1.5 gradë C nuk do të thotë se qëllimi i Marrëveshjes së Parisit është shkelur, por do ta afronte botën shumë më afër.

Pilita Clark

4 – A do të kandidojë sërish Joe Biden për president?

Po. Nuk ka çfarë t’i bëhet moshës së presidentit; Biden do të jetë 81 vjeç deri në zgjedhjet e 2024-ës dhe 82-vjeç kur të ndodhë inaugurimi i vitit 2025. Por mos e përjashtoni një kandidim. Pas një viti të vështirë të legjislacionit dhe një performancë më të mirë se sa pritej të demokratëve në zgjedhjet e mesit të mandatit, Biden ndoshta është ende mundësia më e mirë e demokratëve për të mbajtur Shtëpinë e Bardhë;

Zëvendëspresidentja Kamala Harris ka patur vështirësi për të krijuar një profil. Kjo nuk do të thotë se demokratët e tjerë nuk po eksplorojnë mundësinë e një kandidimi në vitin 2024.

Courtney Weaver

5 – A do të paditet Donald Trump?

Po. Ekzistojnë të paktën katër fusha rreziku të mundshëm hetimor për ish-presidentin: përpjekja e Trump për të ndryshuar zgjedhjet e vitit 2020, mbajtja e dokumenteve të klasifikuara në Mar-a-Lago, presioni i tij ndaj zyrtarëve të Xhorxhias për të gjetur “votat e munguara” dhe menaxhimi përmes mashtrimeve i Organizatës Trump.

Dy të parët janë në duart e Jack Smith, këshilltarit special të emëruar në nëntor, i cili ka thirrur zyrtarë në shtatë shtete. Bazuar në atë që është tashmë informacion publik, prokurorët në të paktën një nga këto hetime ka të ngjarë të konsiderojnë se ka prova të mjaftueshme për një aktakuzë – të cilën Trump pa dyshim do ta mohojë dhe do ta kundërshtojë në gjyq.

6- Eduard Luce

A mund ta rikthejë Kina rritjen ekonomike në më shumë se 5 për qind?

Po. Kina u përball me një fund të zymtë të vitit 2022; largimi nga politika e saj “zero-Covid” fatkeqësisht do të marrë ende shumë jetë të tjera dhe po i tejmbush spitalet, siç bëri pandemia gjetkë në periudhën 2020-21. Por shumë gjëra mund dhe do të ndryshojnë gjatë vitit.

Sapo Kina të mësojë të “jetojë me Covid”, aktiviteti ekonomik do të rikthehet fuqishëm. Shpenzimet e konsumatorit do të forcohen nga një tepricë e kursimeve e nxitur nga pandemia dhe Pekini do të nisë një paketë stimuluese të fokusuar në infrastrukturë.

James Kynge

7 – A do ta pushtojë, apo do i bëjë bllokadë Taivanit, Pekini?

Jo. Xi Jinping një ditë mund të vendosë të sulmojë ose bllokojë Tajvanin – por ndoshta jo në vitin 2023. Një pushtim do të ishte një lojë kolosale. Nëse shkon keq, Xi mund të nisë një luftë me SHBA-në, të humbasë pushtetin dhe të dëmtojë përgjithmonë perspektivat e Kinës.

Një bllokadë ka shumë më tepër gjasa: do të ushtronte presion të madh mbi Tajvanin për t’u përkulur dhe do të sfidonte SHBA-të të vepronte e para. Por edhe kjo do të sjellë rreziqe të mëdha. Xi nuk ka gjasa të hedhë zaret, nëse nuk bindet se Tajvani po i rrëshqet vazhdimisht nga duart. Zgjedhjet presidenciale të Tajvanit të vitit 2024 mund të jenë pika e ardhshme e krizës.

Gideon Rachman

8 – A do të marrë fund epoka e Erdoganit në zgjedhjet e qershorit në Turqi?

Jo. Recep Tayyip Erdogan do të lëshojë një breshëri metodash, të drejta dhe jo, për të qëndruar në pushtet, pavarësisht nga popullariteti i tij në rënie. Zgjatja e sundimit të Erdoganit në një dekadë të tretë do të ketë pasoja të rënda për ekonominë e Turqisë, do të përkeqësojë një rënie të standardeve të jetesës dhe do të kufizojë më tej liritë personale.

Nuk dihet nëse një dënim me burg dhe ndalim politik i dhënë muajin e kaluar rivalit të tij më të besueshëm, kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu, mund të krijojë një reagim dhe të nxisë opozitën.

Laura Pitel

9 – A do të marrin fund protestat në Iran?

Jo. Demonstratat disamujore të protestuesve iranianë, shumë prej tyre gra, u shkaktuan nga vrasja e një gruaje të re, Mahsa Amini, në paraburgim nga policia. Ato janë zgjeruar në thirrje për të zëvendësuar teokracinë me një sistem demokratik. Shkalla e tyre ka rënë; nëse ato përshkallëzohen sërish, regjimi islamik mund të godasë edhe më fort.

Por me ekonominë që po lufton nën sanksionet perëndimore, protestat kanë shfaqur një qëndrueshmëri që thekson zemërimin dhe zhgënjimin e shumë iranianëve. Kjo do të sigurojë që, çfarëdo që të bëjnë autoritetet, protestat në një formë ka të ngjarë të vazhdojnë.

Andrew England

10 – A do të mbijetojë Twitter?

Po. Blerja prej 44 miliardë dollarësh e Elon Musk ka qenë kaotike, por platforma do të ecë përpara. Përdoruesit nuk do të largohen. Alternativave të tilla si Mastodon u mungon madhësia. Megjithatë, humbjet do të rriten.

Do të emërohet një CEO miqësor me Musk, por reklamuesit do të mbeten të kujdesshëm dhe do të duheshin 100 milionë abonime të reja prej 8 dollarësh vetëm për të mbuluar pagesat e interesit të borxhit. Musk do të blejë borxhin e Twitter për të lehtësuar presionin financiar. Megjithatë, fiksimi i tij për “fjalën e lirë” do ta vendosë në një rrugë përplasjeje me Aktin e Shërbimeve Dixhitale të BE-së. Një ndalim nuk ka gjasa, por gjoba të mëdha mund të jenë në horizont.

Toni Barber

11 – A do të dështojë një tjetër biznes i madh kriptomonedhash?

Po. Egërsia e “dimrit të kriptove” të vitit 2022 do të thotë se shumë nga lidhjet e dukshme të dobëta tashmë janë shembur dhe disa mashtrime janë ekspozuar. Por do të ketë edhe më shumë viktima vitin e ardhshëm – dhe ndoshta disa viktima të mëdha – ndërsa firmat e ndëshkuara të kapitalit të sipërmarrjes dhe tregtarët me pakicë vazhdojnë të tërhiqen dhe të privojnë industrinë e kriptove nga karburanti nga i cili varet nga rritja: lojtarët në tavolinë.

Robin Wigglesworth

12 – A do të shitet apo bashkohet ndonjë nga platformat e mëdha të streaming?

Jo, jo këtë vit. Konsolidimi është i pashmangshëm në industrinë e argëtimit pasi streaming bëhet dominues. Spekulimet janë të shumta rreth bashkimeve: NBC Universal dhe Warner Bros Discovery, Disney me Apple, Netflix me një gjigant teknologjik të gatshëm për të paguar më shumë. Warner ndoshta do të jetë dominoja e parë që do të bjerë duke pasur parasysh problemet e saj financiare.

Por kur AT&T shiti Warner në 2022, ishte përmes një strukture që kufizon marrëveshjet për disa vjet. Kjo do të thotë se tronditja e madhe ka më shumë gjasa të vijë në vitin 2024, vit kur shumë transmetues pretendojnë se më në fund do të jenë duke nxjerrë fitime.

Alex Barker

Me shkurtime nga Financial Times – Bota.al

Artikulli paraprakShiste pjesët e trupit të personave të vdekur, dënohet me 20 vjet burg një 46-vjeçare
Artikulli tjetërVdes në moshën 90-vjeçare astronauti i fundit i mbijetuar i “Apollo 7”