Ballina Bota Përplasja midis një aleance perëndimore të udhëhequr nga SHBA-ja dhe një boshti...

Përplasja midis një aleance perëndimore të udhëhequr nga SHBA-ja dhe një boshti Rusi-Kinë, ofron mundësi dhe rreziqe për “fuqitë e mesme”.

Nga Financial Times

Pushtimi i Ukrainës këtë vit nga Vladimir Putin, i dha fund pajtimit të pas Luftës së parë të Ftohtë midis Rusisë dhe Perëndimit. Edhe rivalitetet midis SHBA dhe Kinës janë rritur ndjeshëm, pasi Pekini e ka shtuar presionin e tij ushtarak mbi Tajvanin, dhe Uashingtoni forcoi kontrollet mbi eksportet e teknologjisë në Kinë.

Pra është rikthyer përplasja midis fuqive të mëdha. Edhe vendet që nuk po dërgojnë ndihmë ushtarake në Ukrainë, apo nuk po e kufizojnë tregtinë me Rusinë ose Kinën, duhet të shqetësohen nga një situatë e tillë. Nëse Rusia do të përdorte armë bërthamore, e gjithë bota do të futej në një epokë të re të rrezikshme.

Rivaliteti i fuqive të mëdha, ka shkaktuar gjithashtu një përhapje të gjerë të sanksioneve ekonomike, të cilat po kërcënojnë flukset e tregtisë dhe investimeve, dhe i kanë bërë vendet.e Hemisferës Jugore gjithnjë e më të shqetësuara ndaj dominimit të dollarit në sistemin financiar ndërkombëtar.

Megjithatë, rritja e konkurrencës midis një aleance perëndimore të udhëhequr nga SHBA-ja dhe një boshti Rusi-Kinë, ofron mundësi por edhe rreziqe për “fuqitë e mesme”.

Ndërsa Uashingtoni, Brukseli, Pekini dhe Moska po përpiqen t’i kthejnë në drejtimin e tyre çështjet botërore, ata duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje pikëpamjeve të atyre që janë në mes: Si Turqia, Arabia Saudite, Indonezia dhe Afrika e Jugut.

Presidenti autoritar turk, Recep Tayyip Erdogan, gjendet shumë nën presion brenda vendit. Por në skenën ndërkombëtare ai ka manovruar me mjeshtëri, dhe nganjëherë pa asnjë mëshirë.

Pavarësisht anëtarësimit të saj në NATO, Turqia nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë. Madje qeveria e Erdogan e ka bllokuar kërkesën e Finlandës dhe Suedisë për t’iu bashkuar NATO-s, pasi synon që të nxjerrë disa lëshime nga aleatët e saj. Turqia mund të luajë një lojë gjeopolitike të fortë, pasi lufta në Ukrainë i ka dhënë Ankarasë një levë reale.

Turqit ndërmjetësuan marrëveshjen për të lejuar transportimin e grurit përmes Detit të Zi, duke e ulur çmimet e ushqimeve në të gjithë botën. Turqia mund të luajë ende një rol të rëndësishëm në negociatat e ardhshme të paqes. Por rritja e çmimeve të energjisë e lidhur me luftën në Ukrainë, ka forcuar edhe ndikimin e Arabisë Saudite.

Joe Biden foli dikur për izolimin e fortë diplomatik të këtij vendi. Por gjatë verës së këtij viti ai kreu një vizitë në Riad. Javët e fundit, sauditët kanë pritur në takim edhe udhëheqësin e Kinës, Xi Jinping. Edhe India, e cila ka aspirata realiste për t’u bërë një nga superfuqitë e botës gjatë këtij shekulli, po ndjek një rrugë të mesme.

Ajo ka zemëruar disa në perëndim duke importuar naftën e lirë ruse. Por India e di se mund ta zgjidhë këtë problem, pasi ajo ka një rol thelbësor në përpjekjet perëndimore për të balancuar fuqinë kineze në Azi.

Megjithatë, zhgënjimi me jugun global ka bërë që në kryeqytetet perëndimore të flitet për nevojën për të vendosur një aleancë të rigjallëruar perëndimore në qendër të politikë-bërjes globale.

Jake Sullivan, këshilltari i Joe Biden për sigurinë kombëtare, e ka cilësuar G7 – që dominohet nga SHBA dhe Evropa – si “komitetin organizativ të botës së lirë”. Por Perëndimi nuk ka luksin të shpërfillë fuqitë e mesme që përfaqësohen tek G20.

Rritja e peshës së tyre ekonomike, nënkupton se ato janë vendimtare për formësimin e rregullave mbi tregtinë, teknologjinë, sanksionet dhe normat ndërkombëtare. Deklarata e G20 pas samitit të nëntorit në Indonezi, ishte gjithashtu shumë e ashpër në dënimin e agresionit të Rusisë, duke treguar se do të ishte gabim të hiqet dorë nga ndikimi i fuqive të mesme të jugut global.

Vetë këto vende duhet të mendojnë me kujdes në lidhje me pozicionin e tyre. Mbrojtja e interesave të tyre ekonomike dhe kritikat ndaj standardeve të dyfishta perëndimore janë shumë të drejta. Por agresioni i pakontrolluar nga Rusia dhe Kina do të kërcënonte përfundimisht edhe interesat e fuqive të mesme si Turqia, Indonezia, India dhe shtetet e Gjirit. Edhe ky është një mësim që duhet nxënë sa nuk është vonë nga këto fuqi të mesme.

Artikulli paraprakTragjike në Itali, zjarri i merr jetën një 17-vjeçari shqiptar
Artikulli tjetërNë pak orë, dy shqiptarë ndërrojnë jetë në Greqi