Ballina Shëndeti Të jetosh me diabetin: Pasojat e kushtueshme të sistemit të dobët shëndetësor

Të jetosh me diabetin: Pasojat e kushtueshme të sistemit të dobët shëndetësor

NgaErmelinda HoxhajdheEnkelejda Mema, BIRN

Jeta e Donalda Ngraçinit ndryshoi dramatikisht në moshën 22-vjeçare, kur humbi shikimin dhe rrezikoi të kalonte në verbëri. E diagnostikuar që në moshë të mitur me diabet, Donalda pësoi dëmtim të retinës së syrit – sëmundje që i kushtoi shtrenjtë asaj dhe të gjithë familjes.

“Dëmtimin e retinës ma kapën me shumë vonesë, më thanë këtu nuk bëhet dot gjë. Prindërit harxhuan kursimet e tyre, shitën edhe shtëpinë në Fier për të më operuar në Turqi,” thotë Donalda, sot 37 vjeç.

Pas 12 ndërhyrjesh për rindërtimin e retinës, Donalda ka fituar shikim të kufizuar. Por ajo bashkëjeton prej vitesh me sëmundjen dhe si shumë pacientë të tjerë të diabetit në vend, përballet me peripecitë dhe kostot e trajtimit.

Diabeti Mellitus apo ‘sëmundja e sheqerit’ është një nga sëmundjet kronike më të përhapura në botë, që shkaktohet nga rritja e glukozës në gjak për shkak se organizmi nuk prodhon insulinë ose nga pamundësia e ndërveprimit të insulinës me qelizat e organizmit.

Nëse nuk trajtohet siç duhet, diabeti kthehet në një çrregullim kronik progresiv me efekte shkatërruese në të gjithë trupin: sëmundja mund të dëmtojë zemrën, veshkat, sytë dhe mund të bëhet shkak për neuropati gjymtuese dhe amputime.

Shqipëria numëron zyrtarisht 86 mijë persona të prekur nga diabeti – ndërsa mijëra prej tyre gjenden jashtë skemave të rimbursimit për pajisje mjekësore që mundësojnë kontrollin ditor të parametrave të sëmundjes.

Sipas të dhënave që BIRN siguroi përmes intervistave me pacientë dhe mjekë, kostot e larta i detyrojnë shumë prej tyre që t’i kryejnë matjet ditore në varësi të gjendjes ekonomike dhe jo protokolleve mjekësore, duke rrezikuar daljen e sëmundjes jashtë kontrollit.

Ndonëse mjekët rekomandojnë deri në 4 matje në ditë të glukozës për pacientët që trajtohen me insulinë, shumë prej tyre thanë se i shmangin matjet për të reduktuar kostot.

“Sëmundja kërkon kontroll 3, 4 deri 7 herë në ditë në varësi të gjendjes shëndetësore. Por një fishë kushton 50 lekë/ copa dhe një gjilpërë 20 lekë/copa,” thotë Asim Toro, kreu i shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet.

“Llogaritë bëhen shumë kollaj, por çështja është ku të gjejmë lekët?” pyet ai.

‘Magazinë pa inventar”

Diabeti është një ndër sëmundjet më të kushtueshme për sistemin shëndetësor shqiptar dhe trajtimi i pacientëve zë gati 18.2 për qind të buxhetit total për barnat e rimbursueshme.

Sipas Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, FDSKSH, gjatë vitit 2021 përfituan barna me rimbursim 86.284 pacientë me diagnozën Diabet Mellitus, me një vlerë totale rimbursimi prej 2.1 miliardë lekësh.

FDSKSH tha gjithashtu në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi se e kishte rritur mbështetjen për qytetarët që përballen me diabetin.

“Gjatë 5 viteve të fundit, Lista e Barnave të Rimbursueshme është pasuruar jo vetëm në gamën e alternativave të mjekimit, por është rritur gjithashtu edhe numri i pacientëve që kanë përfituar barna me rimbursim,” tha FDSKSH.

Të dhënat zyrtare nuk përfaqësojnë numrin e plotë të personave që vuajnë nga diabeti dhe mjekët janë të shqetësuar për numrin e pacientëve ende të padiagnostikuar.

Sipas mjekut endokrinolog, Florian Toti, njëherazi president i Shoqatës së Diabetit, Shqipëria është ‘një magazinë pa inventar” sa i përket sëmundjes së diabetit.

“Ne sot nuk e dimë se sa persona kemi vërtet me diabet,” tha doktor Toti për BIRN. “Numri i diabetikëve është trefishuar [nga vitet ‘90], numri i endokrinologëve ka mbetur i njëjtë. I bie 1 endokrinolog për 2500 diabetikë,” shtoi ai.

Në tre dekadat e fundit, Shqipëria ka shënuar jo vetëm shumëfishim të numrit të pacientëve, por edhe të vdekjeve, që sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë llogariten të jenë 300-320 raste në vit.

Mjekët ia faturojnë këtë ndryshimit të stilit të jetesës dhe ekspozimit ndaj shkaktarëve si stresi, jeta sedentare dhe zëvendësimi i frutave dhe perimeve me ushqime të gatshme. Një faktor që po ndikon gjithnjë e më shumë në rritjen e diabetikëve është edhe plakja e popullatës.

Vendi po regjistron gjithashtu vit pas viti shtim të rasteve mes moshave të reja, përfshi fëmijët.

“Ka raste kur pyesim pacientë, a keni të sëmurë me diabet? Po thonë, kam mamanë që i ka nisur diabeti 55 vjeç, ndërkohë që djalit i ka nisur diabeti 40 vjeç. Pra ka një rënie të moshës të fillimit të diabetit Tip2 me 10 deri në 15 vite,” thekson Toti.

“…ka diabet Tip2 edhe në mosha fëminore, që dikur nuk imagjinohej,” shtoi ai.

Shkaktarët sipas mjekëve janë stresi, jeta sedentare dhe zëvendësimi i frutave dhe perimeve me ushqime të gatshme. Një faktor që po ndikon gjithnjë e më shumë në rritjen e diabetikëve është edhe plakja e popullatës.

Numri i pacientëve me diabet pësoi rritje të lehtë edhe si pasojë e pandemisë së SARS-Cov-2. Sipas endrokrinologut Florian Toti, të dhënat janë të pjesshme, pasi Shqipëria nuk bën pjesë në studimet dhe në rregjistrin evropian për diabetin post-covid.

“Ne nuk e dimë çfarë ka ndodhur në spitalet Covid me ata persona që kanë qenë të deklaruar me diabet ose ata që bënë diabet si pasojë e Covid,” tha doktori, ndërsa ngriti dyshime se rritja e rasteve mund të jetë shkaktuar edhe nga përdorimi pa kriter i kortizonikëve.

“Kortizonikët shpesh u dhanë edhe në doza shumë të larta, të panevojshme edhe në raste fare të lehta. Ka pasur shumë raste që kanë bërë diabet nga kortizonikët,” thotë Toti, ndërsa shton se mjaft qytetarë kanë vijuar të kenë diabet edhe kohë pasi e kanë kaluar COVID-in.

Problemi me fishat

Edi Daja, 62 vjeç thotë se i redukton matjet e sheqerit për të ulur shpenzimet. Foto: Ermelinda Hoxhaj.

Asim Toro është 37 vjeç, i diagnostikuar që fëmijë me sëmundjen e diabetit të Tipit1. Pankreasi i tij nuk prodhon insulinë dhe ai e merr atë përmes injektimeve të vazhdueshme.

Paralelisht me marrjen e dozave të insulinës, Asimit i duhet të masë disa herë në ditë nivelin e sheqerit. Por fishat për t’i realizuar këto matje janë të kushtueshme dhe atij i duhet të presë edhe tre dekada për t’i përfituar ato falas.

Deri në fund të vitit 2022, qeveria shqiptare i rimbursonte fishat e diabetit për një grup të kufizuar pacientësh të moshës 0-25 vjeç. Sipas FSDKSH, fishat falas i përfitonin 2601 pacientë ose vetëm 3% e personave të diagnostikuar me diabet.

Pas kërkesave të vazhdueshme, qeveria vendosi të përfshijë në buxhetin e vitit 2023 edhe rimbursimin e fishave të diabetit edhe për personat mbi 65 vjeç. Ministria e Shëndetësisë llogarit mbi 50 mijë përfitues të rinj, por një numër i konsiderueshëm pacientësh do të vazhdojë t’i paguajë ato nga xhepi.

Për familjet me disa pacientë diabeti, kostot janë disa herë më të larta. Për të mbajtur nën kontroll shpenzimet, ata detyrohen që të reduktojnë matjet, duke rrezikuar shëndetin.

Nevila, një paciente 48 vjeçare e diagnostikuar prej 10 vitesh me diabet ndan të njëjtën sëmundje me të atin.

“Babi im për shkak të ekonomisë i redukton matjet në 2 herë në ditë, ka raste dhe 1 matje. Nëse do bënte 4 matje në ditë, do i vente 60 mijë lekë në muaj [të vjetra], ndërsa pensionin e ka 180 mijë lekë,” thotë Nevila.

Edhe Edi Daja, 62 vjeç, thotë se i redukton matjet e nevojshme për të ulur shpenzimet.

“Ka ditë që përdor tre, ka ditë vetëm dy. Në një muaj mund të shpenzoj nga 3500 deri në 4500 lekë. I heqim vetes diçka tjetër dhe blejmë fishat. Si t’ia bëjë ndryshe, pensioni im është rreth 20 mijë lekë,” ankohet ai.

Donalda Ngraçini merr 5 insulina në ditë dhe si shumë bashkëvuajtës të saj, është e detyruar që të ulë numrin e matjeve të glukozës për të reduktuar shpenzimet. Ajo thotë gjithashtu se i kursen aget njëpërdorimshe për dy ose më shumë matje gjatë ditës.

Pasoja të rënda

Ndryshime ligjore për patentën

Një nga problemet me të cilat përballen të prekurit nga diabeti është rinovimi i lejes së drejtimit një herë në dy vjet. Sipas kreut të Shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve me diabet, Asim Toro, kjo sjell burokraci dhe kosto ekonomike.

“Na shtohen ecejaket stresuese nëpër rardhët e gjata dhe kostot për dokumentacion, që janë 1 mijë lekë për certifikatën mjekësore, vizita për sytë dhe veshët, 3 mijë lekë dhe pagesa për kartonin 2 mijë lekë,” thotë Toro.

Shoqata që Toro drejton kërkon prej vitit 2019 ndryshimin e procedurave dhe marrjen parasysh të analizave periodike që ata kryejnë në konfirmimin e patentës.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Publik tha se pritet miratimi i ndryshimeve ligjore për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së patentave për personat që vuajnë nga sëmundjet e invaliditetit, në përputhje me direktivën e Komisionit Europian.

Kontrolli periodik i pacientëve diabetikë është thelbësor në shmangien e pasojave që mund të shkaktojë sëmundja në dëmtimin e enëve të gjakut, por sipas mjekëve kjo nuk funksionon siç duhet.

Këmba diabetike dhe retinopatia janë dy nga pasojat më të rënda të sëmundjes.

Shefi i Shërbimit të Angeologjisë dhe Këmbës Diabetike në spitalin e Traumës në Tiranë, Arben Zenelaj, thotë se mungesa e kontrolleve të vazhdueshme bëhet shkak për dëmtimin e gjymtyrëve.

“Mjekët e familjes dhe sidomos endokrinologët nuk i rekomandojnë pacientët për kontroll të sistemit të qarkullimit të gjakut. Edhe pacientët nuk ndjekin këshillat e mjekut. Kjo bën që pacientët të vijnë me probleme të konsoliduara të këmbës diabetike,” thotë Zenelaj.

“Kjo krijon pak ose aspak mundësi për të kryer operacione rivaskularizuese për të shpëtuar gjymtyrën,” shton ai.

Gjatë vitit 2022, në spitalin e Traumës u bënë 42 amputacione, ku më shumë se gjysma e tyre ishin amputacione tibiele, nën gju. Rreth 14% e rasteve ishin amputacione femorale, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga raste më të lehta.

Sipas Zenelajt, mjekimi i këmbës diabetike vijon të jetë problem në shkallë vendi, pasi nuk bëhet cilësisht dhe shumica e pacientëve detyrohen të vijnë në Tiranë.

Shtimin e rasteve me këmbë diabetike e konfirmon edhe doktori Florian Toti, i cili numëron në pavionin e tij rreth 250 raste në vit. Trajtimi i këmbës diabetike është shumë i kushtueshëm, ndërsa pacientët e vazhdojnë me muaj trajtimin ambulator.

”..për shkak të plagëve të vazhdueshme, pacientët krijojnë rezistencë ndaj antibiotikëve dhe duhet të trajtohen me barna të viteve të fundit edhe pas qëndrimit në spital,” thotë Toti.

Një tjetër problem që nuk ka gjetur ende zgjidhje është retinopatia diabetike – e cila rrezikon verbërimin e pacientëve. Rreth 20 për qind e të prekurve nga diabeti mendohet se shkaktojnë probleme të retinopatisë, ndërsa 10 për qind shfaqin probleme me edemën makulare.

“Retinopatia trajtohet vetëm me lazer, i cili në QSUT nuk ofrohet. Shteti e ka përfshirë në trajtim edemën makulare, por vetëm për një vit, është një gjilpërë që bëhet në sy.Pas një viti t’i nuk e përfiton më. Është njëlloj si të thuash ‘unë po ta jap ty insulinën për një vit, më pas nuk ta jap më,” ankohet Toti.

Donalda Ngraçini thekson se kufizimi i rimbursimit të trajtimit për vetëm një vit është një problem tjetër i shtuar në përballjen e saj me sëmundjen.

“Gjilpërat janë shumë të shtrenjta, ndërsa një pjesë të ilaçeve për sytë i marr në Greqi, se këtu nuk i gjej,’ përfundoi ajo.

BIRN

@tn.lajmelokale
@tetovanews