Ballina Bota Analiza e Foreign Policy: Tërmeti që nxori në pah themelet e dobëta...

Analiza e Foreign Policy: Tërmeti që nxori në pah themelet e dobëta të mrekullisë ekonomike të AKP-së! Do ta rrëzojë Erdoganin në maj?

Nga Tessa Fox

Botuar në Foreign Policy

ANTAKYA, Turqi — Tronditja fillestare prej tërmetit më të madh që ka goditur Turqinë në 100 vitet e fundit është kthyer në zemërim. Dhe ashtu si ndërtesat e paqëndrueshme në Turqinë jugore mund të shkërrmoqet edhe qeveria e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

Në maj, Turqia shkon në zgjedhje. Por ata u paraprinë nga një stuhi shkatërruese si nga ferri. Të paktën 35,000 persona kanë vdekur në këtë katastrofë, një fatkeqësi sa natyrore aq dhe ndërtimore.

Ndonëse infrastruktura dhe zhvillimi kanë qenë pikat kryesore të vetëmarketingut të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Erdoganit në zonat elektorale gjatë 20 viteve të fundit, ndërtimet e dobëta, në fakt, mund të bëjnë që ai të shkërmoqet.

Ankaraja i është vënë pas ndërtuesve. Ndonëse për disa, veçse tymnajë, nënpresidenti turk Fuat Oktay, të shtunën, bëri me dije se 131 të dyshuar janë identifikuar të kenë lidhje me shembjen e ndërtesave në 10 provinca.

Deri më tani, janë lëshuar 113 urdhër-arreste dhe 12 persona gjenden në paraburgim, përfshirë sipërmarrësin e një kompleksi banimi 12-katësh që u shemb në Antakya dhe i cili u ndalua, të premten në aeroportin e Stambollit përpara se të hipte në një fluturim për në Mal të Zi.

Sipas ministrit turk të Mjedisit Murat Kurum, nga rreth 170,000 ndërtesa të vlerësuara në të gjithë rajonin e prekur, 24,921 struktura janë shembur ose janë të dëmtuara rëndë,.

Përpara tërmetit me magnitudë 7.8, i cili vrau gjithashtu mijëra në Sirinë veriore, fokusi i zgjedhjeve të Turqisë ishte tek problemet e ditura: ekonomia e tmerrshme dhe emigrantët në lulëzim. Tani, megjithatë, kritika është fokusuar mbi përpjekjet e vonuara të ndihmave, mbi të ashtuquajturën taksë tërmeti, që nuk gjendet ose është keqpërdorur dhe mbi bum-in e ndërtimeve me themele në nepotizëm dhe që kanë rezultuar vdekjeprurëse.

Kur Erdogan iu drejtua të mërkurën të prekurve në Kahramanmaras, pranë epiqendrës së tërmetit, ai i përfshiu shkatërrimet dhe humbjet e jetëve në “planin e fatit”, duke hedhur poshtë çdo kritikë për përpjekjet e vonuara të ndihmave.

Erdogan gjithashtu dënoi ata që kritikojnë përpjekjet dhe u shpreh: “Nuk është e mundur të jesh i përgatitur për një fatkeqësi si kjo”.
Por shkencëtarët kanë paralajmëruar prej kohësh se në Turqi pritej një tërmet i madh. Pas shkatërrimit që ndodhi në tërmetin e vitit 1999 të pothuajse së njëjtës magnitudë dhe i cili, rastësisht, rrëzoi një qeveri, është miratuar ligji për parapërgatitje, por ai ose është anashkaluar ose është keqpërdorur.

Qeveria Erdogan miratoi një ligj për amnisti në bazë zonash në vitin 2018. Ligji hapte rrugën që çdo prone të ndërtuar pa leje ose në kundërshtim me lejet e ndërtimit ose rregullat lokale, t’i jepej një certifikatë dhe të shmangej prishja.

Kur bëhet fjalë për tërmetet, Turqia sigurisht që nuk ishte Tokio.
“Kapitalizmi i miqësive ka hyrë në shumë prej strukturave të Turqisë, (duke shkaktuar) kosto masive për shoqërinë,” tha Lisel Hintz nga Shkolla e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins. Kriza humanitare në Turqi është “pjesërisht e krijuar nga dora e njeriut”.

Ndërtesat e rrënuara lanë të paktën 1 milion njerëz të pastrehë. E ndërsa gërmadhat janë lehtësisht të dallueshme, ekipet e shpëtimit ishin më të vështira për t’u pikasur. Dërgimi i vonuar i ekipeve të shpëtimit në shtëpitë e shkatërruara ngjalli zemërim në të gjithë provincat. Njerëzit po flenë në rrugë, duke mbledhur dru nga ndërtesat e shembura për të ndezur zjarre për t’u ngrohur. E kjo për shkak të pamjaftueshmërisë së strehave të përkohshme të ngritura nga ekipet e reagimit ndaj fatkeqësive.

Kalimi në një sistem presidencial ka shkaktuar sklerozë. Për shembull, u deshën dy ditë për të parë ushtrinë të vinte për të ndihmuar. Tërmeti qe më vdekjeprurës prej korrupsionit dhe keqqeverisjes.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan i gërreu institucionet shtetërore, duke vendosur besnikët në pozicione kyçe. Ai pasuroi miqtë e vet, duke i hapur rrugën kësaj tragjedie.

“Shkalla e vdekjes dhe e shkatërrimit është përtej kapacitetit të burimeve të Turqisë dhe e vërteta është se çdo vend ka një numër të kufizuar burimesh,” shprehet Yusuf Erim, analist politik për TRT World në Ankara. Turqia e ka përjetuar këtë edhe më parë. Qeveria e atëhershme e kryeministrit Bulent Ecevit pati një reagim të dobët pas tërmetit 7.6 ballë në Izmit të 1999-ës, i cili vrau mbi 17,000 veta dhe solli Erdoganin si kryeministër e më pas president.

Kjo është ajo me të cilën po përballet kreu i AKP-së, pak para zgjedhjeve të 14 majit.

Përgjigja e ngadaltë e vitit 1999 bashkë me ndërtimet qartësisht të pasigurta në të cilat njerëzit kishin jetuar, nxiti zemërim. Erdogan kishte premtuar se do ta rindërtonte vendin, gjë që e bëri, por me përfitimet më të mëdha për biznesmenët pranë AKP-së.

Rritja e shpejtë e dy dekadave të fundit, me ura të reja, qendra tregtare, xhami, rrokaqiejt dhe sigurisht ndërtesat e mbështetura nga qeveria përmes Administratës së Zhvillimit të Strehimit (TOKI) duket se e kanë patur një kosto.

Urdhër-arrestet duken shumë pak, tepër vonë për dhjetëra mijëra viktima, veçanërisht kur kodet e ndërtimit, të cilat pretendohet se i përmbushin standardet e inxhinierisë sizmike në Turqi, me sa duket nuk janë zbatuar.

Në Turqi, gjithnjë, ka pasur polarizim politik të ashpër, veçanërisht në periudhë zgjedhjesh e kryesisht midis mbështetësve të AKP-së dhe social-demokratëve të partisë kryesore opozitare, Partisë Popullore Republikane (CHP). Por këtë herë, po ato çarje që rrëzuan Turqinë jugore kërcënojnë Erdoganin.

Sipas Erim, tërmeti i ka bërë të pavlefshme të gjitha sondazhet e mëparshme zgjedhore. “Çdo parti ka një listë të pastër tre mujore dhe performanca e tyre gjatë kësaj periudhe do të përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve të majit,” tha ai.

Nga 10 provincat e goditura nga tërmeti, gjashtë kanë qenë gjithmonë bastione të AKP-së. Në zgjedhjet e vitit 2018 në Adiyaman, një nga qytetet e prekura rëndë nga tërmeti, AKP fitoi 70 për qind të votave. Ka pasur kritika se Hatay, pranë kufirit të Turqisë me Sirinë, ka marrë më pak ndihmë ose mbështetje për shkak se votat e saj zakonisht shkojnë për opozitën.

Kur merren parasysh rrënimet që ka shkaktuar tërmeti, ekziston mundësia që zgjedhjet të mos mbahen as në maj, për shkak të pamundësisë për të organizuar votimet. “Nuk ka më as adresa” – tha Sinem Adar nga Qendra për Studime të Aplikuara mbi Turqinë në Berlin.

Shtyrja e zgjedhjeve, në fakt, do ta favorizonte qeverinë, duke i dhënë asaj më shumë kohë për t’i rifituar sërish mbështetësit e vet. Por sipas kushtetutës, votimi nuk mund të shtyhet për më shumë se një muaj. Vetëm atëherë kur shpallet gjendje e jashtëzakonshme e shkaktuar nga një luftë mund të shtyhet për më gjatë. Gjendja e jashtëzakonshme e shpallur në Turqi për shkak të tërmetit nuk klasifikohet këtu.

Pasi të vijohet drejt zgjedhjeve, “ndërtimi si manifestim i kapacitetit të qeverisjes”, siç e quan Adar, është një narrativë që nuk mund të përdoret më. Gjithashtu, do të jetë më e vështirë për Erdoganin të pretendojë (për ekzistencën) e një Turqie “të fortë” të pavarur nga Perëndimi, kur merret parasysh ndihma masive ndërkombëtare e nevojshme për t’u marrë me pasojat e tërmetit.

“I ngjashëm me krizën ekonomike, tërmeti nuk do të sjellë fundin e regjimit të Erdoganit, por sigurisht që do e dobësojë legjitimitetin e aleancës ekzistuese qeverisëse,” thotë Adar.

Autorja Tessa Fox është gazetare, fotografe dhe regjisore e pavarur, e cila në fokusin e vet konfliktet dhe të drejtat e njeriut në Lindjen e Mesme. Botuar në Foreign Policy. Përktheu për DITA, Edona Llukaçaj

@tn.lajmelokale
@tetovanews