Ballina Aktualitet MREKULLIA/Momenti ku ekipi i Forcave të Sigurisë së Kosovës shpëton fëmijën 2-vjeçar...

MREKULLIA/Momenti ku ekipi i Forcave të Sigurisë së Kosovës shpëton fëmijën 2-vjeçar nën rrënojat e tërmetit në Turqi (Video)

Ky është momenti ku ekipi i Forcave të Sigurisë së Kosovës kanë nxjerrë nga rrënojat fëmijën dy vjeçar në Turqi. Fëmija u shpëtua mbrëmjen e sotme nga FSK që ndodhet në zonën e prekur nga tërmeti në Turqi. Në njoftim thuhej se po bënin përpjekjet për të shpëtuar dhe të ëmën nën rrënoja.

“Ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga mëngjesi janë duke operuar me kapacitete të plota në Hatay të Turqisë, në orët e mbrëmjes kanë arritur të nxjerrin një fëmijë të moshës dy vjeçare, dhe janë duke bërë përpjekjet maksimale për të shpëtuar edhe nënën e saj që është e ngujuar në rrënoja.

Ekipet tona gjatë operacionit që janë duke realizuar kanë hasur në viktima në objektet e kollapsuara, por prioritet është duke ju dhënë atyre vendeve ku janë detektuar persona të gjallë, dhe të gjitha ekipet e shpëtimit nga mbarë bota kanë dhënë prioritet për të shpëtuar sa më shumë jetë.”, thuhej në reagim.

https://youtu.be/kPBBVdxLi6M

LAJME TË TJERA NGA TURQIA DHE SIRIA

Tre viktima me origjinë shqiptare janë gjetur nën rrënoja, si pasojë e tërmetit tragjik që goditi më 6 shkurt Turqinë.

Gazetari Ardit Hoxha nga Stambolli raporton se bëhet fjalë për dy prindërit dhe djalin e tyre, trupat e të cilëve janë gjetur të pajetë mëngjesin e ditës së sotme dhe janë nxjerrë nga rrënojat nga ekipet e kërkim shpëtimit, shkruan Euronews.

Ata janë gjetur në qytetin e Kahramanmarash, një nga zonat më të prekura nga tërmeti tragjik.

Deri më tani nuk bëhet me dije identiteti i tyre.

Përse ra tërmeti fatal, ekspertët zbardhin faktorët

Një numër faktorësh kanë kontribuuar për ta bërë tërmetin e 5 shkurtit ndër më fatalët në histori. Një prej tyre është koha e ditës kur ndodhi. Me lëkundjen që ra në orët e mëngjesit, shumë njerëz ishin në shtrat dhe tani kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e shtëpive të tyre.

Krahas kësaj, moti i ftohtë dhe me lagështirë që po lëviz nëpër rajon, dëmet në infrastrukturë dhe arritja e zonave të largëta janë një problem tjetër.

Temperaturat kanë qenë të ulëta të mërkurën në mëngjes, deri në minus 4 gradë në Gaziantep dhe minus 2 në Alepo. Të enjten parashikohet që ato të arrijnë respektivisht në minus 6 dhe minus 4 gradë.

Në këto kushte, pa anashkaluar faktin se personat e bllokuar ndodhen pa ushqim dhe ujë të pijshëm, ata rrezikojnë të preken nga hipotermia.

Ndërkohë, me kaq shumë dëme materiale në të dyja vendet, shumë njerëz kanë ngritur pyetje mbi rolin që infrastruktura e ndërtimeve mund të ketë pasur në këtë tragjedi.

“Çështja që të bën më shumë përshtypje është lloji i shembjes, të cilën ne e quajmë “zbritje me parashutë” e që inxhinierëve nuk u pëlqen ta shohin”, ka deklaruar për CNN Mustafa Erdik, profesor inxhinierie në Universitetin Bogazici të Stambollit. Sipas tij, në shembje të tilla është shumë i vështirë shpëtimi i jetëve.

Në këto kushte pyetja që shtrohet është, sa mund të mbijetojnë njerëzit nën rrënoja? Ekspertët paralajmërojnë se hapësira për të mbijetuarit pas tërmetit po mbyllet.

Ilan Kelman, profesor për katastrofat dhe shëndetin në Kolegjin Universitar të Londrës thotë se pas 72 orësh, shanset për të mbijetuar janë të vakëta.

“Koha është gjithmonë armiku kryesor, sikurse po shohim në Turqi dhe Siri. Njerëzit vdesin nga gjakderdhja, nga plagët, nga lëkundjet sizmike që pasojnë dhe për shkak të temperaturave që kanë shkuar nën zero. Megjithatë, shumica humbin jetën nga mungesa e ushqimeve dhe ujit të pijshëm”, ka thënë Kelman.

Turqia ndodhet në një ndërthurje pllakash tektonike dhe kjo e bën atë një vend të prirur ndaj tërmeteve. Pllaka arabe po lëviz me 20 milimetra në vit drejt asaj të Anadollit dhe ky konsiderohet shkaku kryesor i tërmetit të kësaj jave . Më pas, thellësia e tij në tokë ishte një faktor tjetër.

Apeli i gazetares: Për çfarë ka nevojë më shumë sot Turqia

Nada Dosti, gazetare shqiptare në Turqi tha në një intervistë për Euronews Albania se situata në jug të Turqisë 2 ditë pas tërmetit shkatërrimtar është dramatike.

Ajo tregoi se ka pasur thirrje për dhurim gjaku, por nevojat janë përmbushur menjëherë pasi njerëzit janë vënë në radhë për të dhuruar gjak për të plagosurit nga tërmeti.

“Ka nevojë edhe për burime njerëzore, përkthyes pasi kanë ardhur ekipe të shpëtimit nga vende të ndryshme të botës që kanë hasur vështirësi në komunikimin me turqit. Ka qenë i vështirë transporti në zonat e prekura nga tërmeti, për shkak të motit të keq që ka përfshirë vendin. Është ofruar transport falas për vullnetarët dhe të prekurit për të lëvizur nga zona e prekur”, tha Dosti.

Një tërmet tragjik goditi Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e së hënës duke shkaktuar mbi 11 mijë viktima dhe mijëra të plagosur.

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.

Bëhet me dije se ka pasur edhe tërmete pasuese, përfshirë edhe një me magnitudë 7.5 ballë të shkallës rihter.

Ekipet e emergjencave vazhdojnë punën për nxjerrjen e personave që ndodhen nën rrënoja.

Erdogan: Do ta rindërtojmë Kahramanmaras për 1 vit

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se objektivi i qeverisë së tij është të rindërtojë rajonin jugor të Kahramanmaras, epiqendra e tërmetit vdekjeprurës të së hënës brenda një viti.

“Ne kurrë nuk mund t’i lejojmë qytetarët tanë të qëndrojnë në rrugë”, tha Erdogan të mërkurën ndërsa fliste nga një zonë ndihme emergjente e krijuar nga agjencia e menaxhimit të fatkeqësive të vendit, shkruan CNN.

“Shteti ynë po përdor të gjitha burimet e tij me AFAD (Agjencinë e Menaxhimit të Fatkeqësive të Turqisë) dhe bashkitë. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, theksoi ai.

Presidenti tha se qeveria po planifikon të japë 10.000 lira turke (rreth 531 dollarë amerikanë) për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti dhe ka organizuar hotele ku qytetarët të qëndrojnë, nëse duan.

Erdogan pranoi gjithashtu se qeveria “kishte disa probleme” në pastrimin e rrugëve të bllokuara dhe sigurimin e gazit natyror për qytetet dhe punonjësit e ndihmës, gjë që pengoi shpëtimtarët të arrinin ndërtesat e shembura për të tërhequr të mbijetuarit.

Megjithatë, ai tha se situata tani është “nën kontroll”. “Ne jemi në një vend më të mirë sot, do të jemi edhe më mirë nesër”, shtoi Erdogan.

“Sa dola, ndërtesa u shemb”- I riu rrëfen si i mbijetoi tërmetit shkatërrimtar

“Ne u larguam vetëm me shpirtin tonë”- këto ishin fjalët e një adoleshenti që mundi të dilte në kohë nga një ndërtesë që u shemb nga tërmeti në Siri.

Ai dhe tre të rinj të tjerë të mbijetuar i përshkruan sprovat e tyre për organizatën bamirëse “Save the Children”.

Ata përshkruan me detaje momentet e tërmetit shkatërrimtar të 6 janarit.

“Ne ndjemë se shtëpitë po dridheshin, ata që mundën të iknin, ikën, por pjesa tjetër vdiq.

Ne u larguam vetëm me shpirtin tonë, kaq. Edhe sendet personale si telefoni apo gjëra të tjera nuk mund të shpëtoheshin. Ne vrapuam me rrobat tona, por pjesa tjetër është zhdukur”, tha njëri prej tyre.

Ndërkohë që një tjetër deklaroi: “Ne ishim në gjumë, por babai im më zgjoi dhe dolëm jashtë. Ndërtesa po dridhej dhe vazhdoi të dridhej, më pas u shemb. Ne ishim shumë të frikësuar.”

Ku shkoi taksa e tërmetit? Qytetarët në Turqi: Paguam që të jetonim të sigurt 

Që nga viti 1999, qytetarët në Turqi kanë paguar 4 mld euro taksë për parandalimin e fatkeqësive. Tragjedia e tërmetit të fundit ka ngjallur zemërim në vend, të cilët ngrenë akuza për korrupsion në qeveri.

Drama që po përjetojnë njerëzit e prekur nga tërmeti në Turqi, ka shkaktuar zemërimin e disa prej tyre.

Kur ekipet e shpëtimit mbërritën në Gaziantep, qytet i shkatërruar në masë, u përballën me njerëz të revoltuar që akuzonin qeverinë për korrupsion dhe paaftësi për të mbrojtur popullatën.

Pas tërmetit të vitit 1999 që vrau 17 mijë njerëz në Izmir, u miratua një taksë e re, në formën e një fondi që do të shpenzohej parandalimin e fatkeqësive.

Taksa që paguhej nga qytetarët arriti në 4 mld euro, por shembja e më shumë se 5000 ndërtesave që ranë si shtëpi kartoni, kanë shkaktuar këtë valë zemërimi.

“Ata nuk e dinë se çfarë kanë kaluar njerëzit këtu. Ku kanë shkuar të gjitha taksat tona, të mbledhura që nga viti 1999 ”, tha Celal Deniz për agjencinë franceze të lajmeve. 61-vjeçari shtoi se vëllai dhe nipërit e tij janë nën rrënoja.

Banorët e goditur nga tërmeti presin nga qeveria të dërgojë më shumë ndihma, ndërsa presidenti Rexhep Tajip Erdogan pritet të udhëtojë në Pazarçik, qytet pranë Gaziantepit.

VIDEO/ Momenti kur emergjencat shqiptare mundohen të nxjerrin personat nën rrënoja

Euronews Albania ka mundur të sigurojë një video nga puna e ekipit shqiptar të kërkim shpëtimi,t që po punon për nxjerrjen e personave nga rrënojat e godinave në Turqi.

Siç shihet dhe nga pamjet, ekipi shqiptar në bashkëpunim me kolegët turq, po vijon punën nën rrënoja duke gërmuar për shpëtimin e personave që mund të jenë ende gjallë.

Kujtojmë se vetëm ditën e djeshme ekipi shqiptar i kërkim shpëtimit mundi të shpëtonte një fëmjë 4-vjeç që ndodhet në rrënojat e një ndërtese 4-katëshe.

“Me të mbërritur ekipi shqiptar na aktivizoi AFAD-i, Agjencia e Emergjencave të Turqisë, na lokalizuan në një godinë 4 katëshe, ku nxorëm 3 kufoma dhe 1 fëmijë 4-vjeçe të gjallë.

Kjo fal stërvitjeve dhe trajnimeve që kanë bërë Forcat e Armatosua dhe në veçanti ekipi i Emergjencave Civile mbi kërkim shpëtimin’, tha për Euronews Grei Malo, pjesëtar i ekipit shqiptar të dërguar në Turqi.

Gazetari raporton për Euronews nga Gaziantep, gruaja shpërthen në lot në rrënoja

Yuliyan Stoyanov, gazetari i Euronews Bullgaria, i cili ndodhet në qytetin Gaziantep, zbuloi gjatë një lidhjeje me Euronews Albania situatën në një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 6 shkurtit.

Gjatë raportimit live të Stoyanov, mes rrënojave u shfaqën disa persona të cilët kërkon familjarët e tyre.

Edhe pse kanë kaluar 48-orë nga rënia e tërmetit, Stoyonov tha se njerëzit ende kanë shpresë se mund të gjejnë gjallë të afërmit e tyre.

Ai nënvizoi se kushtet atmosferike janë shumë të këqija, si dhe bëri me dije se 1 në 3 godina është e shembur.

“Kjo gruaja pas krahëve të mi është duke qarë duke parë këto rrënojat. Njerëzit po kërkojnë të afërmit e tyre.

Shikoni këtë familjen, këta po kërkojnë për të afërmit e tyre. Ata që pata pas meje janë familjarë që po kërkojnë të afërmit e tyre. Janë ende duke pritur për ta. Ka ende shpresë për të gjetur të mbijetuar. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 48-orë, shanset janë zvogëluar ndjeshëm, por këta njerëz kanë ende shpresë se dikush nën rrënoja mund të jetë I gjallë.

Herë pas here shohim njerëz të mbuluar me batanije të cilët po largohen nga këto zona, pasi dhe temperatirat janë shumë të ulëta. Ka ndihma nga vendet e tjera, por dhe forcat turke, qytetarët po jetojnë nëpër tenda por nuk ka ujë dhe nuk ka drita, jetojnë në kushte të vështira. E vetmja gjë që ata kanë janë rrobat e trupit me të cilat janë larguar nga banesat. Një në 3 banesa është e rrënuar”, tha gazetari.

Fëmija 4-vjeçar nuk largohet nga rrënojat, pret një lajm të mirë për nënën

Foto dramatike vijnë nga Gaziantepi i Turqisë, një nga zonat më të prekura nga tërmeti shkatërrimtar i 6 shkurtit.

Një qytetar turk i quajtur Ibrahim, së bashku me fëmijën 4-vjeç, është filmuar pranë rrënojave të pallatit së tyre duke pritur me ankth nëse do të kenë ndodnjë lajm të mirë nga bashkëshortja që ndodhet nën rrënoja.

Teksa kanë kaluar më shumë se 48-orë nga tërmeti shkatërrimtar njerëzit mbajnë ende shpresë se familjarët e tyre të dashur mund të nxirren të gjallë nga rrënojat.

Numri i viktimave nga tërmeti tragjik në Turqi dhe Siri ka kaluar mbi 11 mijë, ndërkohë që ky numër pritet të rritet pasi ka ende shumë persona të zhdukur nën rrënoja.

E trishtë! Një person në Siri humb 12 anëtarët e familjes nga tërmeti (VIDEO)

E gjithë bota është tronditur nga pasojat që ka lënë tërmeti tragjik në Turqi e Siri dy ditë më parë.

Numri i viktimave ka kaluar mbi 9 mijë, mes tyre familjarë, fëmijë e gra e burra.

Së fundmi është bërë publike një video në rrjetet sociale, një burrë tregon se ka humbur 12 anëtarë të familjes së tij.

Në video ai shihet me sytë me lot, ndërsa tregon tmerrin që po përjeton.

Numri i viktimave të tërmetit shkatërrimtar që goditi Turqinë dhe Sirinë është më shumë se 9500 persona.

Shifra ende nuk është përfundimtare, sepse në të dyja vendet ka ende shumë njerëz të bllokuar nën rrënojat e mijëra ndërtesave që ranë për shkak të magnitudës 7.9 ballë të tërmetit.

Pas tërmetit që zgjati më shumë se dy minuta, Turqia është goditur edhe nga tërmete të tjera të fuqishme. Në Turqi, mbi 11.300 ndërtesa janë shembur në shtatë provinca të ndryshme, duke prekur kryesisht qytetet Adana, Gaziantep, Sanliurfa, Diyarbakir, Iskenderun dhe Adiyaman.

Një gjendje e jashtëzakonshme tre mujore është shpallur në Turqi nga presidenti Recep Tayyip Erdogan në 10 provincat më të prekura nga tërmeti. Vendet në mbarë botën po dërgojnë mbështetje për të ndihmuar ekipet e kërkime shpëtimet.

Tërmeti vdekjeprurës, Ankaraja në përpjekje për të hapur dy pika të tjera kufitare me Sirinë

Qeveria turke po bën përpjekje për të hapur dy pika të tjera kufitare me Sirinë, në mënyrë që të lehtësojë dërgimin e ndihmave humanitare për viktimat e tërmetit të vendit, tha sot ministri i Jashtëm Mevlut Cavusoglu.

Dëmtimi në anën siriane të rrugës që çon në postën kufitare Gilvegiozu e cila mbetet e hapur vetëm për ndihmën humanitare të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së – po pengon operacionin e ndihmës nga tërmeti, u tha gazetarëve ministri i jashtëm turk në Siri.

“Ka disa vështirësi në drejtim të dërgimit të ndihmës (në Siri) nga Turqia dhe komuniteti ndërkombëtar. Për këtë arsye po bëhen përpjekje për hapjen e dy pikave të tjera kufitare ”, tha Çavusoglu.

Numri i fundit zyrtar i të vdekurve nga tërmetet e së hënës në Turqinë juglindore dhe veriperëndim të Sirisë e vendos numrin e të vdekurve në më shumë se 11,700 në të dy vendet./abcnews.al/

OBSH: Siria dhe Turqia, në rrezik të një “krize dytësore shëndetësore”

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se po rrit përgjigjen e saj në Siri dhe Turqi sepse sëmundjet tashmë të pranishme, veçanërisht në Siri, do të përforcohen, duke përfshirë kolerën dhe sëmundjet e frymëmarrjes.

“Ka një krizë shëndetësore dytësore që shfaqet si pasojë pasi rreziqet themelore shëndetësore ka të ngjarë të përkeqësohen. E kam fjalën për, dhe veçanërisht në rastin e Sirisë, sëmundjet diarreike, duke përfshirë kolerën, sëmundjet e frymëmarrjes dhe paaftësinë fizike dhe mendore si edhe përkeqësimin e kushteve kronike, sëmundjet jotransmetuese, për shkak të ndërprerjeve të vazhdimësisë së kujdesit dhe kapacitetit për të trajtuar çështjet e vazhdueshme të rregullta shëndetësore

Siç e kam parë vetë, këto kapacitete janë prekur rëndë për shkak të krizës komplekse të gjatë paraekzistuese, “tha zyrtari i lartë i urgjencës i OBSH-së Dr. Adelheid Marschang. Robert Holden, menaxher i incidenteve të OBSH-së për reagimin ndaj tërmetit, tha se fokusi në të dyja vendet është tek të mbijetuarit.

“Ne kemi shumë njerëz që kanë mbijetuar dhe janë në kushte të përkeqësuara dhe të tmerrshme. Kemi ndërprerje të mëdha në furnizimin bazë me ujë; kemi ndërprerje të mëdha në karburant, furnizim me energji elektrike, bazat e jetës. Ne jemi në rrezik real të shohim një fatkeqësi dytësore e cila mund të shkaktojë dëm për më shumë njerëz sesa fatkeqësia fillestare nëse nuk lëvizim me të njëjtin ritëm dhe intensitet siç po bëjmë në anën e kërkim-shpëtimit”, tha ai.

“Ne duhet të sigurojmë që njerëzit të kenë elementet bazë për të mbijetuar këtë periudhë të ardhshme,” shtoi ai. /abcnews.al

Tërmeti në Turqi, Bursa e Stambollit mbyllet për herë të parë që nga viti 1999

Bursa e Stambollit ka njoftuar se do të jetë e mbyllur për herë të parë që nga viti 1999 deri të martën e ardhshme për shkak të paqëndrueshmërisë së tregut pas tërmetit vdekjeprurës që goditi Turqinë dhe Sirinë. Bursa e arsyetoi vendimin e saj sot duke përmendur “luhatshmërinë e shtuar dhe luhatjet e mëdha të çmimeve pas tërmetit shkatërrues”. Ajo kishte regjistruar humbje të konsiderueshme përpara se të vendoste të pezullonte tregtimin këtë mëngjes.

“Duke pasur parasysh volumin e ulët të tregtimit që nuk lejon përcaktim efektiv të çmimit, të gjitha tregtimet e zhvilluara më 8 shkurt 2023 do të anulohen”, sqaroi pasdite Bursa, duke sqaruar se në fund do të qëndrojë e mbyllur deri më 14 shkurt.

Hera e fundit që Bursa e Stambollit u mbyll ishte pas tërmetit të vitit 1999, i cili vrau më shumë se 17,000 njerëz. Politikanët kishin bërë thirrje për anulimin e të gjitha transaksioneve në bursë që ndodhën pas tërmetit të së hënës.

“Nuk mjafton mbyllja (bursa). Transaksionet që u bënë në bursën e Stambollit pas tërmetit duhet të anulohen”, tha deputeti Murat Bakan, anëtar i partisë kryesore opozitare.

“Pra, bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të 500,000 mikro-investitorëve që janë nën rrënoja, të cilët janë të vdekur ose që presin ndihmë dhe që nuk kanë akses në internet”, shkroi ai në Twitter.

Tërmeti në Turqi dhe Siri, BE do të mbajë një konferencë donatorësh për të mbledhur fonde

BE ka njoftuar një konferencë donatorësh për të mbledhur fonde për Turqinë dhe Sirinë, ndërsa vazhdojnë të përballen me pasojat e rënda të tërmetit të fuqishëm. Shefja e bllokut, Ursula von der Leyen, njoftoi konferencën në një deklaratë të përbashkët pas një telefonate me kryeministrin suedez Ulf Kristersson.

Ngjarja do të mbahet në mars në Bruksel. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen theksoi se prioriteti i bllokut tani është të “punojë gjatë gjithë kohës për të shpëtuar sa më shumë jetë të jetë e mundur, pasi shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja, në ndërtesat e shkatërruara”.

Në një njoftim për shtyp të mërkurën, BE tha se operacioni aktual është një nga “operacionet më të mëdha të kërkim-shpëtimit” të kryera përmes Mekanizmit të saj të Mbrojtjes Civile. Deri më tani, blloku tha se ka dërguar 31 ekipe kërkimi dhe shpëtimi dhe 5 ekipe mjekësore nga 23 vende në Turqi dhe Siri.

Autoritetet siriane i bënë thirrje BE-së të aktivizojë Mekanizmin e saj të Mbrojtjes Civile të mërkurën në mëngjes, ndërsa homologët e tyre turq i kërkuan bllokut të aktivizojë mekanizmin mbështetës të hënën.

Blloku gjithashtu u zotua t’i sigurojë Turqisë 3 milionë euro ndihmë. Siria do të marrë 3.5 milionë euro ndihmë emergjente. BE tha se financimi i fundit do të jetë për të strehuar personat e prekur, për t’i mbështetur me sende të ndryshme shëndetësore, si dhe për të mbështetur operacionet e kërkimit dhe shpëtimit./abcnews.al

Tërmeti në Turqi, të paktën 70 refugjatë palestinezë në mesin e viktimave

Refugjatët palestinezë kishin ikur nga Palestina në përpjekje për t’i shpëtuar luftës dhe varfërisë. Shumë prej tyre arritën në Turqi dhe kishin zënë rrënjë atje, deri në orët e para të 6 shkurtit, kur tërmeti preu fillin e jetës së tyre.

Rreth 70 palestinezë janë ndër viktimat e tërmeteve vdekjeprurëse në Turqi, mes 11,700 viktimave në vend dhe Siri, sipas numërimit të fundit.

Midis tyre është Abdel-Karim Abu Jallum i cili la shtëpinë e tij në Rripin e Gazës 12 vjet më parë. Ai udhëtoi për në Turqi dhe, kur siguroi punë të qëndrueshme, solli familjen nga Palestina.

Megjithatë, herët të hënën, tërmeti me magnitudë 7.8 që tronditi Turqinë juglindore mori jetën e 50-vjeçarit Abdel-Karim, gruas së tij 33-vjeçare Fatima dhe katër fëmijëve të tyre (3-16 vjeç).

“Vëllai im shkoi në Turqi në kërkim të një jete më të mirë, larg luftërave dhe bllokadave ,” tha Ramzi, 43 vjeç, për Reuters ndërsa të afërmit mbërritën në shtëpinë e familjes në Rripin e Gazës për të shprehur ngushëllimet e tyre. E gjithë familja e tij u shkishërua…”, monologon ai.

Jallum punonte si shofer taksie në Gaza, por nuk ishte në gjendje të mbante familjen e tij. Kështu, në vitin 2010, ai mori vendimin për të kërkuar një të nesërme më të mirë në Turqi. Aty u punësua në një zdrukthtari në Antioki dhe pak kohë më vonë solli Fatimen dhe tre fëmijët e tyre në qytetin turk.

Duke parë me optimizëm të ardhmen, familja fitoi një tjetër anëtar tre vjet më parë dhe vitin e kaluar u transferua në një shtëpi më të madhe.

Që nga mëngjesi i së hënës, të afërmit në Gaza po përpiqeshin dëshpërimisht të kontaktonin Abdel-Karimin, 50 vjeç, ose Fatimën, 33 vjeç. Por më kot.

Frika e tyre më e keqe u konfirmua të martën kur panë imazhet e shtëpisë së rrafshuar në Antioki. Në një foto, trupat e tyre të pajetë mund të shiheshin mes rrënojave. Qëndrimi i trupit të Abdel-Karimit dëshmoi se babai i kishte përqafuar fëmijët e tij, duke u përpjekur t’i mbronte ata.

“Unë nuk e kisha parë djalin tim apo fëmijët e tij për 12 vjet,” thotë nëna e Abdel-Karimit me lot në sy. ” Dua t’i shoh dhe të them lamtumirë ,” shton ai, duke pritur që trupat e tyre të transportohen nga Turqia.

Ekipi i FSK-së shpëton një fëmijë 2-vjeçar nga rrënojat në Turqi

Forca e Sigurisë së Kosovës tha se ka shpëtuar nga rrënojat e tërmetit në Turqi një fëmijë të moshës 2-vjeçare. Në njoftimin për media thuhet se ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga mëngjesi janë duke operuar me kapacitete të plota në Hatay të Turqisë, dhe përveç shpëtimit të fëmijës, “janë duke bërë përpjekjet maksimale për të shpëtuar edhe nënën e saj që është e ngujuar në rrënoja”.

FSK-ja tha se gjatë operacionit që janë duke realizuar, ekipet e saj në Turqi kanë hasur në viktima në objektet e kollapsuara, por se prioritet i tyre mbeten vendet ku janë detektuar persona të gjallë, “dhe të gjitha ekipet e shpëtimit nga mbarë bota kanë dhënë prioritet për të shpëtuar sa më shumë jetë”.
Në Turqi dhe Siri, si pasojë e tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit, kanë humbur jetën mbi 11.700 persona.

Mbrëmjen e po kësaj dite, një kontingjent i FSK-së ishte nisur drejt Turqisë për t’i dalë në ndihmë këtij shteti. Presidentja Vjosa Osmani, e shpalli të mërkurën ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave nga tërmeti në Turqi dhe Siri. Ekipe me specialistë nga vende anembanë botës janë mobilizuar për të ofruar ndihmë në operacionet e kërkim-shpëtimit në Turqi e Siri./REL