Ballina Bota Një vit më pas, lufta në Ukrainë po ndikon ende ekonominë botërore

Një vit më pas, lufta në Ukrainë po ndikon ende ekonominë botërore

Pas një viti përballje, luftës në Ukrainë nuk po i duket fundi. Miliona civilë nuk mund të kthehen në shtëpi. Shumë ende në vend janë të detyruar të jetojnë pa ushqim, ujë apo energji elektrike.

Kjo nuk është një krizë e izoluar, pasi efektet e valëzuara të luftës ndihen në të gjithë globin. Bllokada e eksporteve të grurit ukrainas, ka përkeqësuar situatën e urisë në disa nga rajonet më të cenueshme të botës.

Një vit pasi Rusia pushtoi Ukrainën, ekonomia mbarëbotërore po i ndjen ende pasojat.

Ka më pak furnizime me grurë, pleh dhe energji. Ka gjithashtu inflacion më të lartë dhe më shumë pasiguri ekonomike.

Por sado i keq të ketë qenë ndikimi i luftës, mund të ishte edhe më keq.

Kompanitë dhe vendet në botën e zhvilluar kanë mundur t’u mbijetojnë vështirësive.

Në ekonomitë në zhvillim, megjithatë, ndikimi ka qenë më i madh.

Si është jeta brenda Ukrainës?

Konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë po shkakton dëme ekstreme civile dhe po lë miliona pa mundësi ushqimi, uji dhe furnizimesh të tjera thelbësore.

Civilët e pafajshëm janë përfshirë mizorisht në konflikt, me pothuajse 19,000 viktima që nga 24 shkurt 2022.

Më shumë se 8,000 njerëz janë vrarë, por numri aktual ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë. Mbi 5.4 milionë janë zhvendosur brenda vendit.

Ka pasur dëme katastrofike në infrastrukturën civile, duke përfshirë spitalet dhe shkollat.

Në muajt e fundit të dimrit, familjet kanë kërkuar strehim në ndërtesa të dëmtuara që nuk mund t’u bëjnë ballë temperaturave të ulëta ose reshjeve të mëdha të borës.

Sulmet në infrastrukturë

Sulmet me raketa kanë dëmtuar 30-50% të rrjetit energjetik të Ukrainës, dhe dëmi i përgjithshëm në infrastrukturën energjetike në Ukrainë, vlerësohet të arrijë në të paktën 113.5 miliardë dollarë.

Shkatërrimi i burimeve të ujit në veçanti, ka lënë rreth 16 milionë njerëz pa mundësi për të siguruar ujë të pijshëm ose pa kanalizime, si dhe të rrezikuar nga sëmundjet të shkaktuara nga uji i ndotur.

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar fluturimin masiv më të shpejtë të detyruar të shekullit në Europë, ku shumica e të zhvendosurve janë gra dhe fëmijë.

Që nga nëntori 2022, janë regjistruar mbi 8 milionë refugjatë nga Ukraina në të gjithë Europën.

Si ndikon lufta në Ukrainë në pjesën tjetër të botës?

Në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të zhvilluara, ka pasur një rritje të çmimeve të konsumit, e shkaktuar pjesërisht nga ndikimi i luftës në çmimet e naftës. Por rritja e çmimit është zbutur.

Kjo ka rritur shpresat se Rezerva Federale e SHBA nuk do të rrisë normat e interesit. Normat më të larta të interesit mund të çojnë në recesion.

Kina gjithashtu hoqi kufizimet e saj të rënda zero-COVID, në fund të vitit të kaluar. Kufizimet kishin ngadalësuar rritjen ekonomike të vendit.

Nga ana tjetër, për fat, një dimër i ngrohtë ka ndihmuar në uljen e çmimeve të gazit natyror dhe kufizimin e dëmeve nga kriza energjetike, pasi Rusia ndërpreu në shkallë të gjerë gazin për Europën.

Në shkallë të ulët apo të gjerë, lufta po shkakton dhimbje.

Në Europë, për shembull, çmimet e gazit natyror janë ende tre herë më të larta se sa ishin përpara se Rusia të fillonte pushtimin.

Çmimet e larta të ushqimeve janë veçanërisht të papërballueshme për shtresat e varfëra të popullsisë.

Lufta ka prekur eksportet e grurit, elbit dhe vajit të gatimit nga Ukraina dhe Rusia.

Të dy vendet janë furnizuesit kryesorë për Afrikën, Lindjen e Mesme dhe një pjesë të Azisë, ku shumë njerëz luftojnë me urinë. Rusia ishte gjithashtu furnizuesi kryesor i plehrave kimikë.

Në Nigeri, një importues kryesor i grurit rus, çmimet mesatare të ushqimeve u rritën 37% vitin e kaluar.

Çmimet e bukës janë dyfishuar në disa vende për shkak të mungesës së grurit.

Të paktën 40% e furrave të bukës në kryeqytetin nigerian Abuja, u mbyllën, pasi çmimi i miellit u rrit me rreth 200%.

Në Spanjë, qeveria po shpenzon 300 milionë euro për të ndihmuar fermerët të blejnë pleh. Çmimi i plehrave është dyfishuar që nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakarta, shumë shitës ushqimesh e dinë se njerëzit nuk mund të paguajnë më shumë para.

Kështu që disa po shesin sasi më të vogla për të njëjtin çmim, një praktikë të njohur si “tkurrje inflacioni” (shrinkflation).

E gjithë kjo nënkupton një ngadalësim të ekonomisë botërore.

Perspektiva e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) uli pritjshmëritë e rritjes ekonomike për vitin 2023.

FMN thotë se vitin e kaluar, çmimet u rritën 7.3% në vendet më të pasura. Kjo shifër tejkaloi parashikimin e janarit 2022, prej 3.9%.

Çmimet u rritën me 9.9% në vendet më të varfra, nga vlera 5.9% e parashikuar para pushtimit.

Cilat vende janë prekur nga lufta në Ukrainë?

Pasojat botërore të luftës kanë pasur ndikime katastrofike në vendet që tashmë përballen me konflikte dhe kriza.

Afrika Lindore po përballet me një krizë urie, pasi rajoni është përballur me një thatësirë të madhe, së bashku me ndërprerjen e furnizimit me ushqime të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Në të gjithë rajonin, 21.7 milionë njerëz nuk kanë mundësi të sigurojnë mjaftueshëm ushqim dhe 1.5 milionë fëmijë janë në rrezik kequshqyerje, e cila përbën kërcënim për jetën.

Somalia po përballet me thatësirën më të madhe në 40 vitet e fundit dhe aktualisht është në mes të sezonit të gjashtë pa të shira.

Kjo, e kombinuar me ndikimin e dekadave të konfliktit, e ka bërë vendin në mënyrë të rrezikshme të varur nga drithërat e importuara, veçanërisht nga Ukraina dhe Rusia.

Nga mesi i vitit 2023, mbi 8 milionë njerëz, gati gjysma e popullsisë, do të përjetojnë një krizë pasigurie ushqimore, pasi së shpejti vendi do të përballet me uri të theksuar.

Në Lindjen e Mesme, lufta në Ukrainë ka shkaktuar rritje spirale të çmimeve të grurit dhe karburantit.

Refugjatët sirianë janë ndër më të prekurit, pasi shumë prej tyre nuk kanë të ardhura për të përballuar koston e jetesës, që është rritur në mënyrë dramatike.

Kohët e fundit, vendi është shkatërruar edhe nga një tërmet i fuqishëm 7.8 ballë.

Në Amerikën Qendrore, çmimet për ushqimet kryesore si misri, janë shumë mbi mesataren pesëvjeçare.

Së bashku me ndryshimet klimatike dhe pasigurinë e vazhdueshme, gati 13 milionë njerëz në të gjithë rajonin po përballen gjithnjë e më shume me urinë./ Monitor

@tn.lajmelokale
@tetovanews