Ballina Bota DETAJET/ Si e planifikoi 13-vjeçari mαsαkrën në shkollën e Beogradit

DETAJET/ Si e planifikoi 13-vjeçari mαsαkrën në shkollën e Beogradit

Në Serbi do të debatohet me vite të tëra për atë që ndodhi në orën 08:40 të mëngjesit të së mërkurës në një shkollë të në Vraçar të Beogradit. Do të debatohet nëse ligji është i mirë, kush e ka fajin, për “vlerat perëndimore”, arsimin e vjetëruar, prindërimin, dhunën sociale, rrjetet sociale, internetin, celularët, Reality Show-t…

Por çfarëdo që i ndodhi Serbisë, ajo nuk filloi dje. Këtë mëngjes prindërit ishin dëshmitarë të aktit të fundit të një drame të përgjakshme që u ngjiz shumë kohë më parë, ndoshta në familjen e djalit-vrasës, ndoshta në shkollë, ndoshta në një vend të tretë ose më shumë. Deri tani dimë se autori Kosta Keçmanoviq, i lindur më 30 korrik 2009 (vetëm 13 vjeç) është rritur në atë që në shikim të parë mund të karakterizohet si një familje normale, me prindër të respektuar.

Babai është mjek i njohur, radiolog. Nëna është shkencëtare, profesoreshë e mikrobiologjisë. Një fëmijë i talentuar, me sjellje të denjë që kishte fituar edhe në konkurse. Pas kësaj kishte pasur disa shqetësime. Në shkollë nisën ta quanin “budalla”. Ai ishte transferuar nga një shkollë tjetër në klasën e VII me kërkesë të tij. Megjithatë, ai nuk u pranua as në shoqërinë e re dhe ky ishte një nga motivet e planifikimit të një krimi masiv.

Pas masakrës së të hënës, njëra nga vajzat e shkollës tha se me të “ishin tallur në shkollë” edhe pse aktualisht nuk ka asnjë informacion zyrtar dhe të besueshëm se Kosta Keçmanoviq ka qenë viktimë e abuzimit të vazhdueshëm të bashkëmoshatarëve. Ka vetëm një raportim për lëndime të marra nga një sulm në një shkollë aktrimi.

Sigurisht, kishte pasur disa shenja paralajmëruese. Sipas informacioneve jozyrtare, duket se babai është i pasionuar nga armët e zjarrit dhe mban të tilla në banesë. Babai e ka çuar në poligon për herë të parë në fillim të vitit të kaluar, kur ai ishte vetëm 12 vjeç. Ai kishte qëlluar aty me një pistoletë të kalibri të vogël. Duket se i pëlqeu. Kishte gjuajtur në shenjë.

Edhe pse ky është një faktor rreziku, mund të mos jetë shkaku i vetëm. Mijëra familje në Serbi kanë armë në shtëpitë e tyre, por asnjë fëmijë nuk ka vrarë një nxënës të vetëm në këtë mënyrë, e lëre më 8 dhe një roje shkolle. Hetimet dhe një analizë psikike do të përcaktojnë shkaqet e sakta.

Dihet që edhe këtë vit ai ka qenë në poligon edhe dy herë me të atin. Hera e fundit ishte vetëm një muaj më parë. Ishte gjatë asaj periudhe që ai mendoi për një krim masiv. Siç tha vetë pas masakrës, në atë kohë ai u ndje plotësisht i refuzuar dhe filloi të planifikonte se si të vriste të gjithë fëmijët e shkollës së tij. “Ai thoshte se donte të provonte diçka” – tha një nga bashkëmoshatarët e tij.

Gjatë asaj periudhe, Kosta përpiloi dy dokumente të shkruara me dorë. Njëra është një listë me 16 emra dhe mbiemra të fëmijëve të klasës VII/2 të Shkollës Fillore “Vladislav Ribnikar” sipër së cilës shkruhet “SH. K.”, ndoshta një shkurtim për “Shënjestrat kryesore”. Një emër ishte fshirë më pas, kështu që emrat e 8 djemve dhe 7 vajzave mbetën në listë.

Dokumenti i dytë është një planimetri e përafërt e shkollës me paraqitjen e klasave dhe mbishkrimin “Primary Targets” në anglisht. Besohet se ky ka qenë plani bazë i Kostës për sulmin vrasës ndaj bashkëmoshatarëve të tij. Nuk dihet se si Kosta arriti të merrte me vete armën mëngjesin fatal dhe si shkoi në shkollë. Policja e shkollës ishte në vendin e saj të punës atë mëngjes, por besohet se ai kishte studiuar lëvizjet e saj çdo mëngjes.

Ai ka mbërritur në shkollë gati në fund të orës së parë. Në hyrje, ai ka vrarë me pistoletën CZ-99 të babait të tij, rojen Dragan Vlahoviq. Më pas në hyrje të shkollës ka qëlluar dy vajza. Njërën e ka qëlluar në kokë ndërsa tjetrën në këmbë. Vajza me plagë në kokë është në gjendje shumë të rëndë dhe mjekët po luftojnë për jetën e saj. Më pas ai vrau fëmijën e parë në korridor. Në ato momente ai zbrazi karikatorin e parë me 18 fishekë të kalibrit 9 mm dhe vendosi një të ri. Ka pranuar se me vete kishte 4 karikatorë.

Më pas ai hyri në klasën e tij VII/2. Aty fillimisht ka qëlluar në qafë mësuesen e historisë Tatjana Stevanoviq, të cilën e ka plagosur rëndë. Më pas ka qëlluar në drejtim të nxënësve. Ai vrau 8 nxënës, 7 vajza dhe 1 djalë. Fëmijët e tjerë në shkollë dëgjuan të shtënat, por në fillim menduan se ishin fishekzjarrë. Shumë shpejt u bë e qartë se ishte një tragjedi. Fëmijët bërtisnin dhe kërkonin ndihmë, kurse mësuesit u kërkonin nxënësve të mos dilnin nga klasa. Mes viktimave dhe të plagosurve janë disa nga lista e Kostës.

Planin e skicuar e ka realizuar thuajse tërësisht, por nuk u ngjit në katin e dytë të shkollës, të cilën e ka pasur për qëllim. Pas të shtënave në klasë, ai ka dalë në oborr, ku ka hedhur një kornizë pranë shkallëve. Ishte vetë ai që ka marrë në telefon policinë në orën 08:42. Kur forcat e rendit kanë mbërritur ai nuk ka bërë rezistencë. 13-vjeçari nuk mund të arrestohet zyrtarisht për shkak të moshës. Në çantën e shpinës iu gjet pistoleta si dhe 3 kokteje molotovi. Ai tha se donte t’i pengonte të hynin në shkollë derisa të përfundonte atë që kishte planifikuar, por e braktisi atë pjesë të planit sepse kishte frikë nga shpërthimi.

Nga të shtënat kanë mbetur të plagosur 6 fëmijë, 4 djem dhe 2 vajza. Kosta Keçmanoviq është transportuar në Departamentin e Policisë për qytetin e Beogradit, në Departamentin për të mitur. Aty u soll edhe nëna e tij, e cila u ndalua. Babai i tij është arrestuar për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, për të cilën kërcënohet me një dënim me 12 vjet burg. Në mënyrë paradoksale, Kosta Keçmanoviq nuk do të kalojë asnjë ditë në burg. Me shumë mundësi do të dërgohet për ekzaminim psikiatrik dhe mund të mbyllet në një institucion të përshtatshëm për të mitur me probleme. “Blic” raporton se në deklaratat e para pas vrasjes masive, ai nuk ka shfaqur asnjë pendim për masakrën. /LAPSI.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews