Ballina Bota Për herë të parë, Ukraina rrëzon raketën hipersonike ruse

Për herë të parë, Ukraina rrëzon raketën hipersonike ruse

Të shtunën, forcat ajrore ukrainase njoftuan se kanë rrëzuar një raketë hipersonike ruse mbi Kiev. Ata kanë përdorur sistemet amerikane Patriot të mbrojtjes ajrore. Kjo arritje shënon rastin e parë të Kievit ku është diktuar një nga raketat më moderne të Moskës.

Komandanti i Forcave Ajrore, Mykola Oleshchuk, tha në një postim në rrjetin Telegram se raketa balistike e tipit Kinzhal ishte diktuar në një sulm gjatë natës së 4 majit, në kryeqytetin ukrainas. Kjo është gjithashtu hera e parë që bëhet e ditur se Ukraina ka përdorur sistemet Patriot të mbrojtjes.

“Po, ne e rrëzuam raketën unikale Kinzhal”, shkruante zoti Oleshchuk. “Kjo ndodhi gjatë sulmit të natës më 4 maj në qiellin e rajonit të Kievit.”
Ai tha se raketa Kh-47 u lëshua nga një avion MiG-31K nga territori rus. Ajo u rrëzua me një raketë Patriot. Kinzhal është një nga armët më të fundit dhe më të përparuara ruse.

Ushtarakët rusë pohojnë se raketa balistike e lëshuar nga ajri ka një rreze veprimi deri në 2,000 kilometra dhe fluturon me një shpejtësi 10 herë më të madhe se shpejtësia e zërit, duke e bërë të vështirë zbulimin e saj.

Ndërthurja e shpejtësisë hipersonike me pjesën e përparme të rëndë të raketës, bën të mundur që Kinzhal të shkatërrojë objektiva shumë të fortifikuara, si bunkerë nëntokësorë apo tunele malore.

Ushtria ukrainase është shprehur më parë se i mungonin armët e duhura për të zbuluar raketën balistike Kinzhal me shpejtësi shumë të madhe.

Ukraina mori dërgesën e parë të sistemit të raketave Patriot në fund të prillit. Nuk ka të dhëna për numrin apo ku janë vendosur. Megjithatë dihet se ato janë siguruar nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Holanda./VOA

@tn.lajmelokale
@tetovanews