Ballina Bota Tension në Moskë/ Cilët janë legjionarët që guxuan të sulmojnë Rusinë

Tension në Moskë/ Cilët janë legjionarët që guxuan të sulmojnë Rusinë

Një grup luftëtarësh të përshkruar nga Kremlini si “diversantë” kaluan kufirin nga Ukraina natën e së hënës duke hyrë në rajonin e Belgorodit. Aty ata sulmuan disa objekte policore dhe ushtarake duke nxitur një përgjigje të fortë nga forcat ruse. Pas dy ditë luftimesh, Moska njoftoi se i rrethoi kryengritësit dhe vrau më shumë se 70 prej tyre duke e detyruar pjesën tjetër të tërhiqet sërish në territorin e Ukrainës.

Kievi e ka hedhur poshtë që ata të jenë militantë ukrainas dhe thotë se ata janë formacione ushtarake ruse që luftojnë kundër Kremlinit. Në anën tjetër Perëndimi e ka parë me nervozizëm nisjen e luftimeve brenda territorit rus edhe pse Kievi e mohon që të ketë gisht. Zyrtarët ukrainas thonë se ata janë shtetas rusë nga i ashtuquajturi “Legjioni i Lirisë së Rusisë” dhe “Korpusi Vullnetar Rus” (RDK) që kërkojnë të krijojnë një “zonë sigurie” për ukrainasit. BBC thotë se të dy grupet në të kaluarën janë përshkruar si pjesë e një legjioni ndërkombëtar që janë përfshirë në mbrojtjen territoriale të Ukrainës.

Andriy Yusov nga drejtoria e inteligjencës së Kievit thotë se të dy grupet po punonin “në mënyrë autonome në territorin e Rusisë” dhe se ukrainasit nuk ishin të përfshirë. Ndërsa një TV ukrainas tha se ata ishin milicia dhe “vullnetarë rusë”. Korpusi Vullnetar Rus (RDK) u bë i njohur në mars 2023 duke marrë pjesë në një bastisje ndërkufitare në rajonin Bryansk të Rusisë ku tha se pjesë e saj ishin 45 persona.

Raporte të pakonfirmuara ruse folën për të shtëna, viktima dhe pengje, ndërsa RDK tha se kishte kaluar kufirin për t’u bërë thirrje rusëve të rebelohen kundër qeverisë së tyre. Grupi tha se nuk kishte marrë peng askënd dhe se u tërhoq i sigurt në territorin ukrainas. Udhëheqësi i tyre njihet si Denis Kapustin ose Denis Nikitin, një nacionalist rus. Grupi përkrah një shtet rus mono-etnik.

Në vitin 2020, një uebsajt investigativ ukrainas pretendoi se ky grup kishte lidhje me grupe neo-naziste. Nikitin ka folur në të kaluarën se i përkiste një lëvizjeje huliganësh të futbollit. Grupi i tij RDK akuzon opozitën e Rusisë se është përulur ndaj qeverisë për çështjen e luftës në Ukrainë. Një tjetër anëtar i korpusit, i quajtur “Fortuna”, tha për mediat ukrainase nëntorin e kaluar se ata numëronin 120 persona.

“Ne jemi një njësi vullnetare. Ne nuk jemi rekrutë ose ushtarakë me kontratë si qytetarët ukrainas” – tha ai. Ndërsa Legjioni i Lirisë së Rusisë (FRL) është një organizatë shumë e ndryshme që lufton së bashku me trupat ukrainase kundër forcave ruse. Ai përdor një flamur të bardhë-blu-bardhë i konsideruar nga një pjesë e opozitës ruse si flamuri i “Rusisë së lirë”.

Nëse Denis Nikitin kërkon “përmbysjen e regjimit të Putinit”, luftëtarët e legjionit janë më të prirur ta quajnë veten centristë. Megjithatë, më 22 maj, legjioni njoftoi se kishte “çliruar” fshatin rus të Kozinka, përtej kufirit ukrainas, në jug-perëndim të Belgorodit. Madhësia e këtij legjioni është e paqartë, por sipas faqes së saj të internetit, ai pretendon se “po lufton në bashkëpunim të plotë me Forcat e Armatosura të Ukrainës dhe nën udhëheqjen e komandës ukrainase”. Anëtari më i njohur i grupit është Cezari. Ai tha se një pjesë e forcave të tyre ishin ushtarë rusë të dorëzuar te forcat ukrainase. Ata e kishin bërë këtë për të ndryshuar anën. ©LAPSI.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews