Ballina Bota Blinken: Ukraina ka rimarrë 50% të territorit që kishte vënë nën kontroll...

Blinken: Ukraina ka rimarrë 50% të territorit që kishte vënë nën kontroll Rusia

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Ukraina ka rimarrë gjysmën e territorit që Rusia kishte marrë fillimisht nën kontroll që kur filloi agresionin, por se Kievi përballet me “një luftë shumë të vështirë” për të siguruar rimarrjen e mëtejshme.

“Tashmë është siguruar rreth 50% e territorit që u mor fillimisht,” tha zoti Blinken në një intervistë për CNN-in të dielën.

“Janë ende ditë relativisht të hershme të kundërofensivës. Është e vështirë,” tha ai, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për një ose dy javë, por për muaj.

Në fund të muajit të kaluar, presidenti Volodymyr Zelenskiy u citua të ketë thënë se përparimi i kundërofensivës kundër forcave ruse ishte “më i ngadalshëm nga ç’dëshirohej”.

Ukraina ka rimarrë disa fshatra në jug dhe territorin përreth qytetit të rrënuar të Bakhmut në lindje, por nuk ka shënuar përparim të madh kundër frontit rus të fortifikuar rëndë.

I pyetur nëse Ukrainës do të marrë avionë luftarakë F-16 të prodhuar nga SHBA, Blinken tha se besonte se po.

“Është e rëndësishme të sigurohemi që kur t’i marrin, të jenë të trajnuar siç duhet, të jenë në gjendje t’i mirëmbajnë avionët dhe t’i përdorin ato siç duhet.”

Një koalicion prej 11 vendesh do të fillojë trajnimin e pilotëve ukrainas për të përdorur avionët luftarakë F-16 në gusht në Danimarkë dhe një qendër trajnimi do të ngrihet në Rumani.

Ukraina ka kërkuar prej kohësh avionë F-16 të prodhuar nga Lockheed Martin, por këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, tha muajin e kaluar se nuk kishte vendim përfundimtar për dërgimin e tyre nga Uashingtoni.

Zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar se duhen të paktën 18 muaj për trajnimin dhe dorëzimin e avionëve.

Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës më shumë se 41 miliardë dollarë ndihmë ushtarake që kur filloi agresioni i Rusisë në shkurt 2022.

@tn.lajmelokale
@tetovanews