Ballina Bota The Economist: Rikthimi i Trump shkatërron botën

The Economist: Rikthimi i Trump shkatërron botën

Re të zeza po mblidhen mbi planetin tonë. Por rreziku më i madh që mund t’i kanoset botës vitin e ardhshëm nuk vjen nga ndryshimi i klimës apo fenomene të tjera natyrore. Rreziku ka një emër dhe quhet Donald Trump.

Kështu shkruan prestigjiozja britanike “The Economist”, sipas të cilës një fitore e Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të ardhshëm është mundësi që ka nisur të marrë formë.

Sipas gazetës, rizgjedhja e Trump do të përbënte një zhvillim ndryshe nga mandati i tij i parë dhe rrjedhimisht, fati i botës do të varet nga fletët e votimit të dhjetëra mijëra zgjedhëse nga një grusht shtetesh në procesin elektoral të 2024-s.
“Donald Trump përbën rrezikun më të madh për botën vitin e ardhshëm. Një fitore e tij do të inkurajonte Vladimir Putin dhe Shi Xhinping dhe do të ishte kërcënimi më i madh për vetë Shtetet e Bashkuara”, shkruan “The Economist”.

Gazeta rendit një sërë faktorësh që sipas saj materializojnë deri diku një rikthim të mundshëm të miliarderit të pasurive të patundshme në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Së pari, ajo i referohet faktit se Trump dominon në radhët e kandidatëve republikanë që synojnë të sfidojnë Joe Biden në zgjedhjet e ardhshme.

Gjithashtu, sondazhet e nxjerrin atë përpara presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara në shtetet e lëkundura. Në njërën prej anketave, e kryer nga “New York Times”, 59% e votuesve mbështesnin Trump dhe vetëm 37 mbështesnin Biden sa i takon zhvillimit ekonomik.

Nga ana tjetër, paditë civile dhe procedimet penale në dëm të tij vetëm sa kanë përforcuar pozitat e Trump në primaret në radhët e republikanëve.

Prej dekadash demokratët janë mbështetur tek votat e komunitetit hispanik dhe atij me ngjyrë, por një numër i rëndësishëm votuesish të këtyre kategorive po e braktisin partinë.

Në 12 muajt e ardhshëm, një lëvizje e secilit prej kandidatëve mund të përcaktojë garën dhe kështu të përmbysë botën – shkruan më tej “The Economist”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews