Nga Valona Tela REL
“Gjermania nuk është e sëmura e Evropës; është vetëm pak e lodhur”, ka thënë ministri gjerman i Financave, Christian Lindner.
Fraza “e sëmura e Evropës” i referohet një vendi në kontinent që përjeton vështirësi ekonomike, trazira sociale apo varfërim.
Ekonomia e Gjermanisë – më e madhja në Evropë – është tkurrur për 0.3 për qind vitin e kaluar.
Ministri gjerman e ka cilësuar këtë si “thirrje për veprim” dhe, pa ofruar shumë detaje, ka thënë se Gjermania është “në fillim të një epoke të re reformash”.
“Ajo që i duhet Gjermanisë tani, është një kafe e mirë, që do të thotë reforma strukturore”, ka thënë ai.
Gjermania është bërë e njohur si “e sëmura e Evropës” në fund të viteve 1990, kur ekonomia e saj është lëkundur dhe papunësia është rritur.
Për rrjedhojë, ajo ka ndërmarrë një varg reformash në tregun e punës dhe ekonomia e saj ka lulëzuar në dekadën pas krizës globale financiare të vitit 2008.
Tkurrje ka pasur në vitin 2020, për shkak të pandemisë COVID-19, dhe vitin e kaluar. Tani, sipas parashikimeve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Gjermania pritet ta ketë rritjen më të ngadalshme ekonomike këtë vit, në mesin e 20 vendeve më të industrializuara të botës. Më keq se ajo pritet të jetë vetëm Argjentina.
Por, ky nuk është problemi i vetëm i saj – 2024-shin, Gjermania e ka nisur me protesta masive të bujqve dhe greva në transport. Të gjitha kanë për bazë shkurtimin e subvencioneve nga Qeveria dhe mosmarrëveshjet për paga.
“Ne, si bujq, është dashur të durojmë shumë shkurtime, të të gjitha llojeve, në vitet e fundit. Vetëm na janë dorëzuar urdhra e rregullore. Shkurtimet e paralajmëruara për naftën në bujqësi janë kulmi”, ka thënë Ralf Hickmann, një bujk gjerman, për agjencinë e lajmeve Reuters.
Shkurtimet janë planifikuar për të zgjidhur një krizë buxhetore, pasi Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë ka vendosur në nëntor të vitit të kaluar se buxheti i Qeverisë për vitin 2024 ka qenë i paligjshëm.
Kjo situatë, përveçse ka shkaktuar grindje në Qeverinë e udhëhequr nga kancelari Olaf Scholz, ka nxitur edhe frikë se mund ta rrisë popullaritetin e ekstremit të djathtë.
Javën e kaluar ka pasur protesta masive në Gjermani kundër partisë anti-migrante Alternativa për Gjermaninë.
“Ne duhet ta rrisim vetëdijen te bashkëqytetarët tanë se diçka nuk shkon. Unë besoj se nëse ushtrohet presion i mjaftueshëm në rrugë, kjo gjithashtu do t’i motivojë politikanët që të veprojnë dhe të mos heshtin, siç kanë bërë deri më tash”, ka thënë për agjencinë Reuters Ulrike Hartmann, protestuese kundër ekstremit të djathtë.
Po përse ka ardhur Gjermania, përkatësisht ekonomia e saj në këtë gjendje?
Për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, një përgjigje jep Sander Tordoir, ekonomist në Qendrën për Reformën Evropiane në Berlin:
“Modeli gjerman i viteve 2010, i cili ka qenë i suksesshëm, nuk funksionon për të ardhmen. Faktorët që e kanë ndihmuar atë, siç kanë qenë gazi i lirë rus apo kërkesat nga Kina, kanë marrë fund”.
Carsten Brzeski, kryeekonomist në kompaninë e shërbimeve financiare ING Research, i cilëson këta si faktorë ciklikë, por thotë se në stagnimin e ekonomisë gjermane kanë ndikuar edhe disa faktorë strukturorë. Për Exposenë, ai shpjegon më shumë:
“Faktorë strukturorë janë: mungesa e investimeve gjatë 10-15 vjetëve të fundit, humbjet në konkurrencën ndërkombëtare për një periudhë të gjatë, tranzicioni energjetik që ka mbetur prapa për shkak të varësisë nga Rusia. Gjermania është shumë e varur nga tregtia globale dhe tani, kur tregtia globale ka ndryshuar, ekonomia e Gjermanisë vuan”.
“Dhe, e fundit, por jo më pak e rëndësishme – ne kemi mungesë investimesh në arsim dhe, po ashtu, ndryshime demografike”, thotë Brzeski.
Situata si këto ndodhin gjithmonë, thotë për Exposenë Oliver Holtemoeller, nga Instituti për Kërkime Ekonomike në Halle.
Ai kujton se në fillim të viteve ’80 ka qenë një situatë e vështirë ekonomike që ka çuar në ndërrimin e Qeverisë së atëhershme gjermane. Bashkimi i Gjermanive thotë se ka sjellë, po ashtu, probleme ekonomike në vitet ’90. Pra, janë probleme që ndodhin kohë pas kohe, derisa bota ndryshon, thotë Holtemoeller.
“Është shumë herët të flitet për ‘të sëmurën e Evropës’. Mendoj se ky nuk është rasti, sidomos nëse shikoni zhvillimin nga kriza financiare. Gjermania ka pasur vite shumë të forta pas krizës financiare, ndërsa vendet e tjera në Evropë kanë qenë më dobët. Pra, nëse e shikoni për një periudhë më të gjatë kohore, duke filluar pas krizës financiare, e kuptoni se Gjermania është ende në gjendje të mirë”, thotë ai.
Prej se është rindërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania, me fabrikat e saj të mëdha, ka qenë shtysa kryesore e rritjes ekonomike në Evropë. Ajo është pasuruar duke shitur mallrat e saj në botë dhe duke grumbulluar një suficit të lartë tregtar. Por, krizat gjeopolitike dhe rivalitetet industriale në Kinë dhe SHBA e kanë dobësuar tashmë kërkesën për produkte të prodhimit gjerman jashtë vendit.
Ekonomistët paralajmërojnë se shkurtimi i shpenzimeve nga Qeveria mund ta zvarrisë tutje ekonominë. Ata favorizojnë të kundërtën e kursimeve.
“Strategji afatgjate e Gjermanisë do të duhej të ishin investimet në vend, që kanë munguar për së paku 15 vjet, dhe disa reforma që për kohë të gjatë janë neglizhuar”, thotë Tordoir.
“T’i jepet industrisë siguri afatgjate se çmimet e energjisë do të mbeten të qëndrueshme. Na duhen më shumë investime në digjitalizim, në infrastrukturë, në arsim. Këto janë më shumë investime publike, por na duhen edhe investime private. Dhe, për të pasur më shumë investime private, na duhen stimuj tatimorë, reduktim i burokracisë, pra më pak ngarkesa administrative”, thotë Brzeski.
Holtemoeller, nga Instituti për Kërkime Ekonomike, përmend edhe një faktor tjetër që do t’i duhej ekonomisë gjermane: migrimin.
“Popullsia gjermane është duke u plakur dhe tkurrur. Pa migrantë shtesë, do të jetë vështirë të plotësohen pozitat për punë dhe do të ketë rënie të mëtejshme të aktivitetit ekonomik”, thotë Holtemoeller.
Gjermania, prej vitesh, ka hapur dyert për migrantë të vendeve të ndryshme, të cilët janë përfshirë në tregun e punës atje. Në vitin 2021 ajo ka miratuar edhe një rregullore që u ka dhënë “qasje të privilegjuar të punës” në tregun gjerman qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.
Të dhëna për vitin 2023 nuk ka ende, por më 2022 Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka lëshuar mbi 9.300 viza pune për shtetasit e Kosovës.
Gjatë të njëjtit vit, në Serbi janë lëshuar mbi 11.700 viza pune, ndërsa në Bosnje e Hercegovinë mbi 10.500.
Ekspertët pranojnë se është e pamundur të dilet me zgjidhje që rregullon gjithçka brenda natës. Megjithatë, kujtojnë se Gjermania ka dëshmuar se mund të lëvizë shpejt kur nuk ka zgjidhje tjetër.
Kur Rusia ka ndërprerë rrjedhat e gazit natyror në vitin 2022, Qeveria gjermane ka miratuar prokurimin dhe ndërtimin e disa terminaleve, për të siguruar gaz të lëngshëm natyror. Brenda disa muajsh, ajo ka arritur t’i mbushë objektet e magazinimit me gaz natyror, ndërkohë që kompanitë dhe konsumatorët i ka inkurajuar t’i kursejnë karburantet.
“Është vërtet koha për Gjermaninë që të nisë dhe të investojë në ekonominë e saj dhe të mbështetet më shumë në kërkesat evropiane dhe të brendshme për produktet e saj”, thotë Tordoir.
Brzeski, nga kompania ING Research, nuk pret që këtë vit ekonomia e Gjermanisë të nisë të rimëkëmbet.
“E dimë se Qeveria është duke ndërmarrë masa kursimi. Pra, nuk do të ketë ndonjë përparim të madh sa u përket investimeve. Kjo do të thotë se më 2024 do të vazhdojmë të kemi një ekonomi që do të luftojë me stagnimin. Unë mendoj se do të kemi një recesion prej 0.2 deri në 0.3 për qind. Por, natyrisht, shumëçka varet edhe nga zhvillimet në botë”, thotë ai.
Rruga përpara e Gjermanisë kërkon një ekuilibër delikat midis adresimit të shqetësimeve të menjëhershme dhe zbatimit të strategjive afatgjate. Ekspertët po e vëzhgojnë nga afër, pasi trajektorja e saj ekonomike ka implikime edhe përtej kufijve.
Shpresat janë që, së paku, aroma gjallëruese e kafesë së sapobërë të nisë e të nuhatet sa më shpejt.