Ballina Bota Tani Perëndimi mund të mos ketë zgjidhje tjetër përveçse të sulmojë Iranin

Tani Perëndimi mund të mos ketë zgjidhje tjetër përveçse të sulmojë Iranin

Nga John Bolton*

Sulmet e militantëve të grupimit rebel Huthi ndaj anijeve tregtare por edhe anijeve të Marinës Amerikane në Detin e Kuq, e kërcënojnë ekonominë globale, duke rrezikuar rrugën tregtare shumë të rëndësishme në Kanalin e Suezit.

Si të mos mjaftonin 14 sulme të tilla në muajin e kaluar, dhe drejtpërdrejt kundër Izraelit, Irani i është bashkuar tani zyrtarisht konfliktit. Pentagoni deklaroi më 23 dhjetor se një dron i lëshuar nga Irani, goditi një anije tregtare të lidhur me Izraelin në ujërat e Oqeanit Indian.

Ajo ishte hera e parë që nga 7 tetori, që Uashingtoni e fajësoi drejtpërdrejt Iranin, pavarësisht mbi 100 sulmeve të mëhershme ndaj personelit amerikan në Irak dhe Siri nga milicia shiite e varur nga Irani, për të cilat Shtëpia e Bardhë ka ngurruar të përmendë publikisht përgjegjësinë.

Teherani e mohoi sulmin e ndodhur në Oqeanin Indian, duke përsëritur justifikimin e tij se Hamasi vepron në mënyrë të pavarur në luftën kundër Izraelit. Megjithatë, pas atij incidenti India vendosi në rajon destrojerët e saj të pajisur më raketa të saktësisë së lartë, dhe po kërkon më shumë prova mbi autoret e sulmit.

Por pas Krishtlindjeve, Irani kreu “gafën klasike të Uashingtonit – pra tha të vërtetën aksidentalisht – kur Korpusi i Gardës Revolucionare e cilësoi sulmin barbar të Hamasit si “një nga aktet e hakmarrjes për vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani nga SHBA dhe sionistët”.

Hamasi nxitoi të mohojë lidhjen, por përgënjeshtrimi i tij ishte po aq i pabesueshëm sa edhe përpjekja e mëvonshme e Gardës Revolucionare për t’u distancuar nga deklarata e mëparshme. E vërteta është se Irani ka kryer drejtpërdrejt një akt lufte kundër asaj që besonte se ishte një objektiv izraelit.

Edhe pse vështirë se mund të krahasohet me barbarinë e Hamasit, me sulmet e Hezbollahut dhe Huthi-t, me mbështetjen masive në armatime dhe të dhëna të inteligjencës, Teherani e ka kaluar kufirin. Supozimi i shumë ekspertëve në Perëndim, është se duhet të presim akoma më shumë sulme ditët në vijim.

Për shembull Irani ka kërcënuar së fundmi se do të bllokojë transportin tregtar nëpër Mesdhe. Ndaj është lufta e tij, ajo që e nxit përshkallëzimin e mundshëm të situatës, dhe jo vetëmbrojtja e Perëndimit. Administrata Biden, shumica e mediave dhe propaganduesit pro-iranianë, mund të vazhdojnë ta shpërfillin realitetin se kush po sulmon dhe godet në këtë konflikt.

Por po rriten në mënyrë të pashmangshme provat se sulmet e 7 tetorit, synonin të derdhnin gjakun e hebrenjve për të zbatuar strategjinë e “unazës së zjarrtë” të Soleimanit, ku Irani nxit shpërthimin e luftës në shumë fronte, duke i drejtuar operacionet nëpërmjet terroristëve dhe aktorëve shtetërorë që ai ka armatosur, trajnuar dhe financuar.

Objektivat afatshkurtra të Iranit mbeten ende të mjegullta. A ishte sulmi brutal i papritur i Hamasit një lojë e veçantë, për të parë nëse do të binte qeveria e Izraelit; për të vlerësuar mbështetjen perëndimore për Izraelin; për të bllokuar rivendosjen e raporteve të plota diplomatike Izrael-Arabi Saudite, apo një kombinim të të të gjithave këtyre?

Apo Irani po priste të shihte nëse Izraeli do të bllokohej ushtarakisht në Gaza, dhe më pas të vendoste se cili do të ishte hapi i tij i ardhshëm? Apo sulmi ishte nja nismë vetjake e Hamasit? Që nga ajo kohë edhe Hezbollahu ka lëshuar raketa dhe mortaja në drejtim të Izraelit, duke e detyruar këtë të fundit të evakuojë civilët nga një brez 2 kilometra i gjerë përgjatë kufirit me Libanin.

Ndërsa Hezbollahu nuk ka nisur ende një sulm të plotë, ai ka shtuar arsenalin e tij, ndoshta në pritje të momentit të përshtatshëm për të goditur. Sulmet e milicisë Huthi dhe shiite janë përballur vetëm me përgjigje të dobëta dhe joefektive nga ana e Perëndimit.

As Hamasi, as Huthi-t dhe as milicia irakiane nuk e kanë nxitur ende SHBA-në apo Izraelin të hakmerren drejtpërdrejt kundër Iranit. Natyrisht, Teherani nuk ndihet mjaftueshëm nën presion për të frenuar milicitë që varen prej tij, duke dëshmuar se Perëndimi nuk ka krijuar kushte për parandalimin e konflikteve.

Shtëpia e Bardhë dhe zëdhënësit e saj, përsërisin pafundësisht se nuk duan përhapjen e konflikteve aktuale. Por mungesa e një strategjia reale të Biden, e bazuar vetëm tek shpresa, nuk do të ketë sukses. Vetëm nëse Izraeli, Amerika, Britania dhe të tjerët tregojnë se kanë vendosmërinë dhe aftësinë për t’i shkaktuar kosto të mëdha Iranit, si ndëshkim për sulmet e tij, ata do t’i bindin Ajatollahët se vazhdimi i mëtejshëm në këtë rrugë, do t’iu sjellë atyre dhimbje të patolerueshme.

Dhe ka shumë të ngjarë, që vetëm forca e drejtpërdrejtë ushtarake, e përdorur ndaj objektivave më të rëndësishëm brenda Iranit do të imponojë kosto të tilla, duke i treguar Teheranit se i ka bërë llogaritë gabim jo vetëm mbi Izraelin, por edhe për presidentin amerikan Joe Biden dhe Perëndimin në përgjithësi.

Pikërisht për këtë arsye, janë aq të rëndësishme provat e një sulmi të drejtpërdrejtë iranian ndaj anijes tregtare në Oqeanin Indian. Prej vitesh ka qenë e qartë se përmbysja e regjimit të mullahëve dhe zëvendësimi i tyre me ndonjë formë tjetër qeverisjeje që gëzon mbështetjen e qytetarëve të Iranit, është thelbësor për reduktimin e pasigurive në mbarë Lindjen e Mesme.

Financimi i veprimeve terroriste kundër Izraelit nga vendet arabe, është sot më i vështirë, sidomos tani që po zgjerohen marrëdhëniet e plota dhe të hapura diplomatike me Jerusalemin. Nëse zhduket financimi i i Iranit ndaj Hamasit, Hezbollahut, Houthi-ve dhe barbarëve të tjerë, do të bjerë dukshëm aftësia e tyre për të mbijetuar, përveçse në kampet e largëta stërvitore në Afganistanin e sunduar sërish nga talebanët. Ky është rezultati që duhet të synojnë të arrijnë Uashingtoni dhe Londra.

Në vend se ta nxisin Izraelin për më shumë “ndërprerje të luftimeve” dhe “armëpushime”, ata duhet ta lejojnë Jerusalemin të arrijë objektivin e tij legjitim për ta eliminuar Hamasin si forcë ushtarake dhe politike. Kjo është mënyra më e sigurt për t’i bindur Ajatollahët e Iranit, se loja ka dështuar dhe fundi i tyre mund të jetë shumë pranë.

Daily Telegraph

*John Bolton, ish-këshilltar për sigurinë kombëtare të SHBA-së, në kohën e presidencës Trump.

@tn.lajmelokale
@tetovanews