Ballina Bota Fabrikat e mashtrimit online në Azi

Fabrikat e mashtrimit online në Azi

Mijëra vetë në kërkim të një pune rekrutohen prej kriminelëve në Azinë jugore dhe detyrohen të punojnë në rrjete online për të mashtruar njerëz në mbarë botën. Ekipi i gazetarëve të DW investigoi në kufirin e Mianmarit.

Aaroni nuk mund ta besonte fatin e tij. Një kompani teknologjike në zhvillim në Tajlandë po i ofronte atij një punë të ëndrrave – një pagë të lartë, përfitime të mëdha dhe një rrugëdalje nga një e ardhme e pashpresë në jug të Afrikës.

Sapo përfundoi studimet, ai u rekrutua nga një firmë IT me seli në Tailandë. “Unë shpresoja të shkoja dhe të punoja jashtë shtetit. Dhe një ditë, më kontaktuan,” tha Aaron. “Mendova se gjithçka ishte e ligjshme – derisa arrita në Bangkok.”

Në aeroport, Aaronin e pritën ngrohtësisht dhe hipi në një makinë me dy të rinj të tjerë nga Afrika perëndimore. Aaron, u njoh në makinë me një tjetër afrikan, me Lucan. “Supozohej të shkonim në një hotel që është ndoshta 10 minuta larg nga aeroporti. Por ne u nisëm në një drejtim tjetër.”

Shoferi voziti për gati tetë orë përpara se të mbërrinte në qytetin kufitar të Tajlandës, Mae Sot, ku Aaron dhe shokët e tij u trafikuan mbi lumin Moei dhe kaluan në një pjesë të Mianmarit të shkatërruar nga lufta. “Kishte njerëz me armë”, kujtoi ai. “Ata thanë se duhet të hipnim në varkë – dhe ne kaluam.”

OKB vlerëson se më shumë se 100,000 njerëz po detyrohen të punojnë në qendrat e mashtrimit në Mianmar.Fotografi: DW
Aaroni dhe shokët e tij u trafikuan në një kompleks të ngjashëm me burgun e quajtur KK Park. Këtu, mijëra njerëz detyrohen t’i hyjnë rrugës së kriminalitetit – për të mashtruar njerëzit në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Kinë. OKB vlerëson se më shumë se 100,000 njerëz po detyrohen të punojnë në qendrat e mashtrimit në Mianmar. Grupi i gazetarëve investigativë të DW u takua me disa të mbijetuar të kompleksit. Ata përshkruan survejim të gjerë, tortura dhe madje edhe vrasje çdo javë.

Punë dhe tortura

Me të mbërritur në park, Aaron, Lucas dhe të tjerë u udhëzuan, se si të mashtrojnë njerëzit online. Përmes manualëve shpjegohej në detaje, se si duhej fituar besimi dhe se cilat ishin pikat e dobëta të viktimës. P.sh.: Jini me humor. Klienti duhet të krijojë simpati për ju, në mënyrë që të harrojë gjithçka’. Ose thjeshtë: ‘Fitoni besimin e tyre’.

Aaronit dhe të tjerëve u jepeshin objektiva javore, që duhej t’i përmbushnin. Një shumë e caktuar parash, që duhej të përftonin, ose një numër i caktuar klientësh të rinj, me të cilët duhej të vendosnin kontaktin. Nëse nuk arrinin objektivat, ata ndëshkoheshin. “Nëse nuk kishe klient të ri në mesditë, nuk kishte ushqim për drekën. Nëse dikush të shihte, që nuk i ke kthyer përgjigje klientit, të rrihnin ose të linin me orë të tëra të qëndrojë në këmbë”, tregon Lucas. “Ne punonim 17 orë në ditë, pa ankesa, pa pushime, pa ndalim”, thotë Lucas më tej. “Dhe nëse themi se duam të ikim, na thonë se do të na shesin ose do të na vrasin”.

Por kush qëndron pas këtij operacioni brutal?

Ne shqyrtuam imazhet ekskluzive të marra nga brenda kompleksit dhe folëm me disa të mbijetuar që mbaheshin atje. Të gjithë i njohën stemat në uniformat e gardianëve. Ato janë shenjat e Forcave zyrtare të Gardës Kufitare, një grup ish-rebelësh që pushuan së luftuari kundër juntës së Mianmarit një dekadë më parë në këmbim të mbretërimit të lirë mbi territoret e tyre. Ushtarët e tyre janë të pranishëm në KK Park. Por shefat e operacionit janë kinezë, sipas disa burimeve.

Gjurmimi i kriptos në KK Park

Ne ndoqëm gjurmët e parave nga disa viktima të mashtruara për të parë se ku të çonin. Na çuan në portofolet e kriptomonedhave që KK Park përdorte për të mbledhur fondet e viktimave. Prej aty, fondet u pastruan në portofole të tjera, të cilat veprojnë si llogari dixhitale dhe ruajnë kriptovalutat.

Një prej këtyre portofoleve u hap nga Wang Yi Cheng, një biznesmen kinez me bazë në Tajlandë. Ai mori kriptovaluta me vlerë dhjetëra milionë dollarë nga fondet e përdorura nga KK Park. Wang është pjesë e një rrjeti më të madh të biznesmenëve kinezë jashtë shtetit që përfundimisht të çon te një bos famëkeq i mafies kineze.

Në kohën kur Wang merrte transferta të drejtpërdrejta nga fondet e menaxhuara nga KK, ai shërbeu si nënkryetar i Shoqatës së Shkëmbimit Ekonomik Thai-Azia, një shoqatë në Bangkok që promovon marrëdhëniet kineze dhe tajlandeze.

Thai-Asia ndan ndërtesën e saj me Qendrën e Shkëmbimit të Kulturës Hongmen Jashtë Shtetit, e cila u sekuestrua nga policia në vitin 2023, së bashku me një qendër tjetër Hongmen në Bangkok, për operim të paligjshëm dhe shërbim si një front për krimin e organizuar kinez.

Wan Kuok Koi, nofka ‘Broken Tooth’, i dënuar me 15 vjet burg në Macao në vitin 1999Fotografi: AFP/dpa/picture-alliance
Lidhja kineze

Këto organizata janë të lidhura ngushtë me Wan Kuok Koi, nofka ‘Broken Tooth’. Ai themeloi Shoqatën Botërore të Historisë dhe Kulturës Hongmen në vitin 2018, një organizatë që qysh atëherë është sanksionuar nga SHBA për përfshirjen e saj në krimin e organizuar.

Por organizata Hongmen e Wan-it promovon gjithashtu Iniciativën ambicioze të Pekinit, Belt and Road (BRI), një projekt infrastrukturor trilion dollarësh që synon të integrojë Kinën më tej në ekonominë globale. Njihet gjithashtu si Rruga e Re e Mëndafshit. “Wan Kuok Koi gjithashtu ka një citim që ai e përdor mjaft rregullisht: ai thotë se dikur luftonte për kartelet dhe tani ai lufton për Partinë Komuniste Kineze,” thekson Jason Tower për DW, një ekspert kryesor për krimin e organizuar në Institutin Amerikan për Paqe.

Organizatat kriminale kineze e kanë përdorur Bangkokun si terren të operacioneve të tyre të lidhura me KK Park në MianmarFotografi: Stefan Czimmek
Zona ku u ndërtua KK Park është një rajon i synuar i investimeve BRI të Kinës. Raportet e qeverisë kineze përshëndetën projektet e zhvillimit në afërsi të KK Park si pjesë e ambicieve të saj BRI, megjithëse më vonë u distancua prej tyre pas akuzave për përhapje mashtrimesh. Vetë KK Park nuk përmendet në komunikimet zyrtare kineze dhe as nuk mbajti ceremoni të mëdha si projektet e tjera zhvillimore në zonë. Në vend të kësaj, KK Park u ndërtua me qëllim për mashtrim.

Rrjeti i KK Park zgjerohet

Operacionet mashtruese të KK Park gjurmohen mbrapsht në një rrjet kompleks biznesesh dhe shoqatash të përdorura nga kriminelët për të legjitimuar krimet e tyre dhe për të pastruar miliona pasuri të krijuara nga mashtrimet – dhe ky rrjet vazhdon të zgjerohet nga Azia Juglindore në Afrikë, Evropë dhe Amerikën e Veriut.

“Ne me të vërtetë shohim se këto rrjete kriminale po bëhen gjithnjë e më të fuqishme, gjithnjë e më shumë me ndikim dhe po nguliten gjithnjë e më shumë në vende të ndryshme të botës”, thotë Tower. “Dhe përpjekjet e zbatimit të ligjit po prekin vetëm majën e ajsbergut.”

Vendimi: Arrati apo shitje e mëtejshme si skllav

Një nga shokëve të Aaron, Lucas’ iu ofrua shansi për t’u arratisur, teksa bosët e mafies vendosën ta shesin atë. Pasi atyre iu ndalua disa herë paga, Lucas e të tjerë refuzuan të vazhdojnë punën. Atyre iu dha urdhër të mbledhin sendet e tyre. “Dëgjova të thonin, se do të na shisnin në organizata të tjera”, kujton ai. Lucas dhe kolegët e tij reaguan shpejt. Ata mundën të kontaktojnë Judah Tana, i cili njihet në të gjithë zonën kufitare si ndihmës për ata që duan të arratisen. Në këtë mënyrë Aaron dhe Lucas përfunduan në sediljen e pasme të një Jeep-i. Kështu mori fund për ta një zhgjëndër. Pak pas kësaj ata mundën të kthehen në atdheun e tyre.

Emrat e viktimave janë ndryshuar nga redaksia.

Autorë: Julia Bayer, Lewis Sanders, Julett Pineda, Yu-Chen Li