Ballina Bota “Plak me probleme me kujtesën”/ Republikanët: Biden të largohet pas raportit të...

“Plak me probleme me kujtesën”/ Republikanët: Biden të largohet pas raportit të prokurorit

Në SHBA, disa përfaqësues republikanë kanë kërkuar zbatimin e amendamentit 25 të Kushtetutës për të hequr Joe Biden. Ky amendament është sanksionuar pas vrasjes së John F. Kennedy për të zëvendësuar presidentin amerikan në rast vdekjeje, shkarkimi, dorëheqjeje apo paaftësie të tij. Është i njëjti amendament i kërkuar disa herë për të hequr Donald Trump gjatë mandatit të tij. Shkak për kërkesën e republikanëve u bë prokurori special Robert Hur që e liroi Biden nga akuzat për nxjerrje të dokumenteve sekrete pasi e quajti atë “një burrë të moshuar me probleme me kujtesën”.

Tashmë senatorët republikanë Rick Scott, Mike Lee dhe Josh Hawley kanë thirrur Amendamentin e 25-të. Kërkesa u nënshkrua edhe nga përfaqësuesit Mary Miller, Marjorie Taylor Greene dhe Mike Collins. Claudia Tenney gjithashtu i shkroi një letër sekretarit të drejtësisë duke kritikuar konkluzionet e prokurorit special Robert Hur, i cili nuk ngriti akuza kundër presidentit për trajtimin e pakujdesshëm të dokumenteve të klasifikuara. “Biden duhet të paditet, ose duhet të hiqet. Këtu nuk ka rrugë e mesme” – tha ajo.

Shumë figura të tjera të profilit të lartë të krahut të djathtë, si themeluesi i Turning Point USA, Charlie Kirk, drejtuesi i emisionit radiofonik Mark Levin dhe ish-guvernatori i Wisconsin, Scott Walker, kanë sugjeruar gjithashtu zbatimin e Amendamentit të 25-të.

Çfarë është Amendamenti i 25-të

Amendamenti i 25-të i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një dispozitë që rregullon trashëgiminë presidenciale në rast të vdekjes, dorëheqjes, largimit ose paaftësisë së presidentit aktual. Ai u ratifikua në vitin 1967, pas vrasjes së John F. Kennedy në 1963, gjë që kishte ngritur dyshime për legjitimitetin e pasuesit të tij Lyndon B. Johnson.

Amendamenti thotë se zëvendëspresidenti bëhet president nëse presidenti vdes, jep dorëheqjen ose shkarkohet nga Kongresi. Ai gjithashtu parashikon që presidenti mund të emërojë një zëvendëspresident të ri me miratimin e shumicës së të dy dhomave të Kongresit nëse zëvendëspresidenti vdes, jep dorëheqjen ose bëhet president. Së fundi, ai i lejon zëvendëspresidentit dhe shumicës së anëtarëve të kabinetit që ta shpallin presidentin të paaftë për të ushtruar kompetencat dhe detyrat e tij, duke ia transferuar përkohësisht detyrën zëvendëspresidentit. Presidenti mund ta kundërshtojë këtë deklaratë dhe të rifitojë kompetencat e tij nëse Kongresi nuk konfirmon paaftësinë brenda 21 ditëve.

Amendamenti është zbatuar 4 herë në historinë e SHBA-së. Hera e parë ishte në vitin 1973, kur Presidenti Richard Nixon emëroi Gerald Ford si zëvendëspresident pasi Spiro Agnew dha dorëheqjen për korrupsion. Hera e dytë ishte në vitin 1974, kur Ford u bë president pas dorëheqjes së Nixon për skandalin Watergate. Hera e tretë ishte në vitin 1974, kur Ford emëroi Nelson Rockefeller si zëvendëspresident pasi u bë president. Hera e katërt ishte në vitin 1985, kur Presidenti Ronald Reagan i transferoi përkohësisht kompetencat e tij Zëvendës Presidentit George H.W. Bush gjatë operacionit për të hequr një polip nga zorra e tij.

“Ndihma” e Kamala Harris do të ishte e nevojshme për të rrëzuar Biden. Aktualisht, disa liderë republikanë kanë kërkuar të eksplorojnë mundësinë e largimit të Presidentit Joe Biden në bazë të Amendamentit të 25-të, duke e akuzuar atë për paaftësi dhe deficit memorie. Megjithatë, kjo procedurë do të kërkonte pëlqimin e Zëvendës Presidentes Kamala Harris dhe një shumicë të anëtarëve të kabinetit, si dhe Kongresit, ku demokratët kanë shumicën në të dy dhomat. ©LAPSI.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews