Zgjerohet në të tjera kampuse universitare, protesta pro Palestinës që ka nisur disa ditë më parë në Columbia dhe tashmë ka gjetur mbështetje tek të rinjtë anembanë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Studentët po demonstrojnë kundër luftës mes Izraelit dhe Hamasit dhe kërkojnë që ndihmat humanitare të lejohen të arrijnë në Gazë.
Javën e kaluar më shumë se 100 studentë u arrestuan në universitete në të gjithë vendin. Protestat po mbahen në një kohë kur administratorëve të shkollave u kërkohet të marrin masa kundër antisemitizmit.
Të martën, një kamp me tenda u ngrit në Universitetin e Kalifornisë, ‘Berkeley’ në shenjë mbështetjeje për të arrestuarit e një dite më parë në universitetet ‘Columbia’ dhe ‘Yale’.
Sipas Zërit të Amerikës, Në Uashington, studentët në Universitetin Amerikan protestuan kundër politikave të brendshme që ata thonë se rezultuan nga demonstratat pro-palestineze në mbarë vendin dhe tani kufizojnë lirinë e tyre të shprehjes.