Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar mbrëmjen e sotme në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me ç’rast është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit.
Zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni, ka bërë të ditur se prokurori është në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, si edhe me Prokurorinë Speciale dhe Njësinë antiterrorit.
“Po, në vendin e ngjarjes ka dalur menjëherë prokurori kujdestar bashkë me ekipet e Policisë, është në kontakt dhe bashkëpunim edhe me Prokurorinë Speciale dhe Njësinë e Antiterrorit. Është duke u punuar për zbardhjen e këtij rasti”, tha ai.
Ndërkohë për shkak të këtyre pasojave KRU “Mitrovica” ka ftuar banorët që të sigurojnë rezerva të ujit të pijshëm.
Shpërthimi në Zubin Potok, KRU “Mitrovica” del me një njoftim të rëndësishëm
Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Mitrovica’ ka njoftuar se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes. Kjo erdhi si pasojë e shpërthimit të fuqishëm në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku edhe është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit.
Ata kanë kërkuar nga qytetarët që të sigurojnë rezerva të ujit të pijes.
“Si pasojë e dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër Lepencit, nga i cili kanal ne furnizohemi me ujë të pa përpunuar, është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes. Prandaj, ju lusim që të siguroni rezerva të ujit të pijes. Për çdo zhvillim të ri ne do u mbajmë të informuar”, thuhet në njoftim.