Prokurorinë Publike ka hapur lëndë kundër Artan Grubit, gjyqtarit Enver Bexheti, si dhe të tjerëve që janë vendosur në listën e zezë të SHBA-ve, njoftuan nga Prokuroria në brifingun me gazetarët, raporton Portalb.mk.
Kryeprokurori Ljupço Kocevski theksoi se rasti kundër të dyve tashmë është ngritur që dje.
“Që dje kam formuar lëndë për të siguruar prova për të vërtetuar përgjegjësinë penale të personave për ryshfet dhe tregti me ndikim. Prokuroria do të japë urdhra të mëtejshëm. Dua të theksoj se bashkëpunimi me SHBA-në dhe me ambasadën është i shkëlqyeshëm dhe na ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit”, tha Kocevski.
Ai shtoi se edhe për persona të tjerë të listës së zezë janë hapur lëndë.
“Për personat e tjerë që janë në listën e zezë, ka procedurë kundër Ramiz Merkos, ndaj Stevço Jakimovskit, ka gjithashtu procedurë edhe ndaj personave të tjerë nga lista e zezë. Nga ana jonë veprohet pothuajse për të gjithë personat që janë në listën e zezë”, thotë Kocevski.
Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe në prag të Ditës së të Drejtave të Njeriut, ish-zëvendëskryeministri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë futur në Listën e Zezë të SHBA-ve e cila lidhet me personat e korruptuar.
Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut.
Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe gjykatësi i Apelit Enver Bexheti janë cilësuar publikisht për përfshirje në korrupsion të madh duke pranuar ryshfet për të çrregulluar procedurat gjyqësore lidhur me dënimin penal të Sasho Mijallkovit.
Gjykatësi Enver Bexheti nga Gjykata e Apelit në Shkup ra në sy me atë që përkundër pyetjeve të vazhdueshme: “kur, kur, kur do të caktojë gjykimin e Sasho Mijallkovit, pse po e fsheh, a po e mban qëllimisht në sirtar që të vjetërsohet?”, ai si gjykatës raportues i çështjes së përgjimeve “Target-Fortesa” thjesht ka heshtur. As kryetarët e gjykatës nuk dinin çfarë të thonë, e aq më pak zëdhënësit, sepse Bexheti e kishte robëruar këtë çështje. Kolegët e tij nga Gjykata e Apelit në Shkup filluan të dyshojnë se ai merr ryshfet, përmendën tarifat në euro, edhe atë në ditë, për mbajtjen e lëndës.
Ky rast ka nxitur reagime të shumta në opinion si dhe nga partitë politike.
Këtë vit në listën e zezë amerikane u shtuan: ish prokurorja Katica Janeva dhe kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski. Vitin e kaluar, SHBA zgjeroi “listën e zezë”, duke futur në të: kryetarin e Komunës së Strugës, Ramis Merko , ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, biznesmeni Orce Kamçev dhe familja e tij, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë si dhe kompania “Cytrox“. Në “listën e zezë” amerikane janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë.
Kujtojmë që propozim Ligji për masat kufizuese, pra ligji që përfshin personat e listës së zezë arriti në Kuvend në janar, por Qeveria teknike e tërhoqi me arsyetimin për harmonizime shtesë.