Ballina Shëndeti “Tremben” okulistët! iPhone-i i ardhshëm do të monitorojë shëndetin e syve?

“Tremben” okulistët! iPhone-i i ardhshëm do të monitorojë shëndetin e syve?

Në të ardhmen, iPhone mund të bëhet një mjet i dobishëm për monitorimin e shëndetit të syve, duke identifikuar shenja të mundshme të miopisë dhe duke njoftuar përdoruesin për rrezikun e problemeve të shikimit. Apple ka regjistruar një patentë të re që sugjeron përdorimin e sensorëve ose kamerave të iPhone për të matur distancën mes telefonit dhe syve të përdoruesit, një metodë që mund të ndihmojë në identifikimin e nevojës për një vizitë tek okulisti.

Patentimi i kësaj teknologjie sugjeron se pajisjet e Apple mund të kenë aftësinë të analizojnë mënyrën si përdoret telefoni, duke verifikuar pozicionin e syve në lidhje me ekranin dhe duke evidentuar mundësinë e zhvillimit të problemeve të shikimit, siç është miopia. Nëse zbulohen shenja të mundshme të problemeve të shikimit, përdoruesi mund të njoftohet për të bërë një vizitë tek specialisti.

Përveç kësaj, kjo teknologji mund të ofrojë mundësinë për të përshtatur automatikisht madhësinë e shkrimit dhe cilësimet e ekranit në mënyrë që të ulet lodhja e syve. Kjo do të ndihmonte në parandalimin e problemeve të shikimit që mund të shkaktohen nga përdorimi i gjatë i pajisjeve elektronike, një fenomen gjithnjë e më i përhapur në shoqërinë moderne.

Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse Apple do të implementojë këtë teknologji në produktet e saj, por regjistrimi i patentës tregon se kompania po punon për mundësinë e zhvillimit të një funksionaliteti të tillë në pajisjet e saj. Kjo mund të shënojë një hap të rëndësishëm në përdorimin e teknologjisë për përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së përdoruesve.