Ballina Aktualitet U shpall non grata nga SHBA, reagon Artan Grubi

U shpall non grata nga SHBA, reagon Artan Grubi

Departamenti i Shtetit Amerikan futi në listën e zezë Artan Grubi, ish-zëvendëskryeministër nga radhët e BDI-së.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar Grubi, i cili përmes një statusi në faqen e vet në Facebook shprehet se nuk ka asnjë informacion lidhur me këtë vendim ndërsa thekson se do bëjë përpjekjet maksimale për të futur vendin në NATO dhe BE.

“Në mungesë të informacioneve të hollësishme, u informova nga mediat për vendimin e sotëm të Departamentit të Shtetit.

Do të bëj përpjekje maksimale me të gjithë ata miq, me të cilët kemi punuar bashkë ndër vite për ta anëtarësuar vendin në NATO dhe në Bashkimin Europian, për ta zbardhur këtë rast në tërësi”, shkruan Grubi.

Bashkë me Grubin në listën e zezë është përfshirë edhe Enver Bexheti, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Maqedonisë së Veriut.

Sipas DASH, Artan Grubi dhe Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm duke pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkov, ish-shef i shwrbimeve sekrete tw Nikolla Gruevskit, i pwrfshirw nw pwrgjime masive nw Maqedoni, qw nga viti 2008 deri nw vitin 2015.

“Në bazë të nenit 7031(c), Departamenti i Shtetit cakton publikisht Artan Grubin dhe Enver Bexhetin për përfshirjen e tyre në korrupsion të konsiderueshëm duke pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijallkov, drejtor i Drejtorisë për Siguri të Maqedonisë së Veriut dhe Kundërzbulimi. Mijallkov u caktua në vitin 2022 për korrupsion të konsiderueshëm sipas nenit 7031(c), dhe OFAC e sanksionoi atë në përputhje me E.O. 14033. Në kuadër të këtij aksioni janë caktuar edhe anëtarët e ngushtë të familjes së Grubit”, – thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.