Qeveria e Kosovës e tërhoqi vendimin për vendosjen e taksës doganore prej 30 për qind në importin e pemëve, perimeve dhe misrit.
Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëvendësministri për Tregti dhe Industri i Qeverisë së Kosovës, Fadil Arifi.
Megjithatë, sipas tij, masa do të vazhdojë të vlejë për 7 produkte.
“Ato masa vazhdojnë të vlejnë për domatet, specat, mollët, dardhët, kumbullat, mjedrat dhe rrushin. Vendimi është sjellë ditën e djeshme (e martë). Ministria ka kërkuar nga Qeveria ndryshimin dhe plotësimin e vendimit. I kemi hequr masat për produktet tjera, ndërkaq, për produktet për të cilat vazhdojnë masat, ato janë të përkohshme. Këto masa, më pas, janë miratuar në qeveri”, tha Arifi.Sipas tij, deri te ndryshimi i vendimit ka ardhur pas “presioneve të ndryshme”, ndërsa në bazë të analizës, shtoi ai, ka qenë e rëndësishme që masat të mbeten për produktet që përmendi.
Masat e para, sipas tij, Kosova i ka vendosur në bazë të analizimit të tregut.
Edhe ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimit i Qeverisë së Serbisë, Rasim Lajiq, konfirmoi se Prishtina i ka tërhequr masat për taksën doganore prej 30 përqind.
“E përshëndesim këtë vendim dhe presim që edhe masat tjera të hiqen sa më parë”, tha Lajiq.
Këtë deklaratë, ai e bëri pas takimit në Beograd me nënkryetarin e Këshillit të ministrave, ministrin e Tregtisë së Jashtme dhe të Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnje e Hercegovinës, Mirko Shareviq, si dhe ministrin e Bujqësisë dhe Pylltarisë të Maqedonisë, Lupçe Nikolovski.